Konsultim me biznesin “Mbi risitë e Kodit të Ri Doganor dhe Dispozitat Zbatuese”

Konsultim me biznesin “Mbi risitë e Kodit të Ri Doganor dhe Dispozitat Zbatuese”

Më 31 maj 2017, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Këshilli Investimeve organizuan një takim konsultimi me biznesin mbi risitë e Kodit të ri Doganor. Takimi erdhi si një kërkesë e organizatave të mësipërme të biznesit parashtruar në takimin e 10-të të Këshillit të Investimeve. Kodi i ri Doganor është miratuar në korrik 2014 dhe hyn plotësisht në fuqi në 1 qershor 2017.

Kodi i ri është hartuar në përputhje me direktivat e BE-së dhe ofron një sërë procedurash më të thjeshtuara për bizneset eksportuese dhe importuese. Dispozita zbatuese të Kodit të ri janë përgatitur tashmë nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave pranë Ministrisë së Financave dhe pritet të hyjnë në fuqi së bashku me Kodin Doganor.

Lidhur me këtë, përfaqësues të DPD-së prezantuan në takim disa nga aspektet më të rëndësishme të Kodit me impakt në marrëdhëniet e biznesit me administratën doganore si, deklarimet në doganë, mundësitë për aplikim për procedura të thjeshtuara, regjimet doganore, etj.

Nga ana tjetër, përfaqësues të biznesit kanë paraqitur pranë Ministrisë së Financave dhe paraqiten edhe në këtë takim disa nga shqetësimet mbi procedurat doganore, të ngritura edhe në Këshillin e Investimeve, të cilat adresojnë çështje si; skanimi i konteniereve, përdorimi i çmimeve të referencës për përcaktimin e detyrimeve në dogana, klasifikimi tarifor i mallrave, aplikimi kontrolleve fizike, etj.

Në përfundim të takimit, në frymën e mirëkuptimit të domosdoshëm midis komunitetit të biznesit dhe DPD, palët theksuan nevojën për konsultime dhe ballafaqime periodike në tryeza, që do të trajtojnë çështje specifike dhe të rëndësishme për lehtësimin e mëtejshëm të procedurave doganore dhe forcimin e bashkëpunimit midis palëve për një tregti të sigurt, të hapur dhe të drejtë.