Më datë 12 janar 2018, në ambjentet e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, u zhvillua mbledhja e Komitetit për Legjislacionin, Taksat dhe Procedurat në të cilën u diskutua mbi projektvendimin “Mbi etiketimin e ushqimit dhe informimin e konsumatorit”, projektvendim ky i dërguar për mendim në emër të shoqatës nga Ministrja e Shtetit për Mbrojten e Sipërmarrjes znj. Sonila Qato.
Nga të pranishmit në mbledhje ishte bërë një analizë nen per nen i këtij projektvendimi, si dhe duke e ballafaquar dhe me Rregulloren nr. 1169/2011 të Parlamentit Europian dhe të Këshillit, datë 25 tetor 2011, “Për dhënien e informacionit ushqimor për konsumatorët”.
Ajo çfarë u vu re ishte se Rregullorja nr. 1169/2011 e Parlamentit Europian dhe e Këshillit ka 50 nene, ndërsa projektvendimi ka vetëm 41 nene, pra janë hequr 9 nene të rëndësishme. Problemi më i madh nuk vjen nga mungesa e këtyre neneve që mund të shtohen por ky problem krijohet edhe nga copëtimi apo përkthimi i pjesshëm i disa neneve.
Këto probleme po dhe një renditje problematikash të tjera nga analizat e bëra të këtij projekvendimi, ju vunë në dijeni Ministres Qato, me një shkrese zyrtare dërguar ditën e hënë datë 15 janar 2018.
Në mbledhjen e komitetit u vendos unanimisht që t’i kërkohej Ministres së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes që:
– Të ndalohet procesi i aprovimit të këtij projektvendimi;
– Të rishikohet projektvendimi me tendecën e përputhjes së plotë me Rregulloren nr. 1169/2011 e Parlamentit Europian;
– Koha e hyrjes në fuqi i këtij Vendimi, të jetë nga (1-3 vjet) pas aprovimit (duke e gjykuar për pika të veçanta).