Kush po përfiton prej zhvlerësimit të euros
April 23, 2018
Trembëdhjetë shërbime të reja tatimore për biznesin
April 25, 2018

Në një intervistë të dhënë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare,  Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, z. Arben Shkodra thotë se, prodhuesit prej shumë kohësh po kërkojnë që të jemi një hap më tej në përafrimin me BE-në.

Rekomandimi i dhënë nga Komisioni Evropian për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian konsiderohet një lajm pozitiv për prodhuesit shqiptarë.

“Është e domosdoshme ta shohim si lajm pozitiv dhe mundësi e mirë për të filluar me hapat e tjerë. Do të hymë në një proces që është monitorim dhe ekzaminim së bashku me Komisionin Evropian e të gjitha hallkat e zinxhirëve të BE, për të bërë një monitorim se sa të përafruar e kemi legjislacionin, kush janë ato boshllëqe që kemi dhe çfarë rrugëtimi duhet për të arritur deri në plotësimin e kritereve për të arritur në BE”, deklaroi Shkodra.

Mund t’u konfirmoj, shprehet ai, se biznesi prodhues shqiptar është jo vetëm i informuar, por edhe i gatshëm për të kontribuar në këtë proces. Produktet shqiptare, janë tashmë të pranishme në tregun evropian, por edhe në tregun botëror.

“Ne eksportojmë bimët medicinale, prodhimet agro-ushqimore që tashmë lejohen të dalin përtej kufijve tanë, me pjesët industriale. Ju jeni në dijeni të të rejave që kemi në fushën e fasonit, ku tashmë shumë nga prodhuesit shqiptar prodhojnë “Made in Albania” me cikël të mbyllur të prodhimit dhe aksesojnë tregjet europiane e botërore. Kjo, është bërë falë një pune mjaft të mirë të prodhuesve shqiptarë, të cilët e kanë krijuar ndërmarrjen, standardizuar dhe kanë gjetur vet tregun për të shitur produktet e tyre. Natyrisht që ka shumë punë për të bërë në lidhje me mbështetjen që duhet t’i japë qeveria dhe hallkat e tjera të saj, që janë ministritë e linjës, kësaj përpjekje titanike që prodhuesi e ka bërë i vetëm për t’a lehtësuar atë, jo vetëm në procesin e prodhimit apo transportit për të kaluar kufijtë tanë, por edhe në gjetjen e tregjeve të ndryshme, të cilat nuk do të sjellin asgjë më pak se sa përfitim në buxhetin e shtetit”, shton Shkodra.

Ai shprehet se menjëherë pas dhënies së rekomandimit nga KE, biznesi ka nisur të diskutoj me qeverinë për kostot dhe përfitimet në këtë fazë.

“Kemi filluar që sot konsultimin me ministrinë e Punëve të Jashtme, pasi ne mund të jemi përfitues shumë të mëdhenj të gjithë procesit të negocimit dhe të integrimit në BE, por edhe humbës shumë të mëdhenj dhe kjo do të varet nga mënyra se si do të ndërtohet i gjithë procesi i negocimit, kush do të jenë aktorët që negociojnë dhe së fundmi nga përfshirja e biznesit në procesin e negocimit, jo vetëm si kontributor e përfitues, por edhe si aktor i domosdoshëm, duke qenë se gjysma e kapitujve të negociatave prek drejtpërdrejt tregun, ekonominë dhe punën tonë të përditshme”, deklaroi Shkodra.

Në fund fare, shprehet ai, ne do të negociojmë për produktet tona dhe do të ishte shumë mirë që zëri i prodhuesve të dëgjohej. Nga ana tjetër, ai vlerëson se është shumë e rëndësishme që të kuptojmë se procesi i negociatave dhe integrimit europian ka të bëjë me një element shumë të rëndësishëm që lidhet me kostot që biznesi do të përballojë direkt ose indirekt, duke plotësuar ne kriteret si vend për t’u përafruar me BE-në.

“Normalisht ne nuk do të dalim pa kosto. Kompanitë do të jenë të detyruara që të përmbushin të gjitha kriteret dhe standardet, të cilat deri tani ndoshta nuk i kanë ashtu siç i ka rregullorja dhe direktiva e BE”, thotë Shkodra. Këtu, duhet edhe të fokusohet dialogu me qeverinë, për të gjetur mundësitë për të lehtësuar kompanitë prodhuese.

Hyrja në tregun e përbashkët, shprehet Shkodra, do të thotë pranimi pa kushte të çdo produkti dhe malli të standardizuar të BE, në tregun shqiptar dhe se si mallrat tona mund të jenë të standardizuara për të arritur në tregjet europiane dhe në fund diskutohet për çmimin.