Indeksi i Çmimeve të Prodhimit, rriten me 1% në tremujorin e parë krahasuar me një vit më parë

Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, në tremujorin e parë të vitit 2018, indeksi i çmimeve të prodhimit arriti 103,3, duke u rritur me 1,0 %, në krahasim me tremujorin e parë 2017.

Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të prodhimit

Rritjen më të madhe e kanë shënuar çmimet e prodhimit në seksionin “Industri nxjerrëse” me 4,5 %. Brenda kësaj industrie vihet re rritja e çmimeve të prodhimit të produkteve në nxjerrjen e naftës bruto dhe gazit natyror me 8,0 %.

Në tremujorin e parë 2018, çmimet e prodhimit në aktivitetet e “Industrisë përpunuese” kanë shënuar ulje me 0,5 %, krahasuar me tremujorin e parë 2017. Ndikimin kryesor në këtë ulje e kanë dhënë çmimet e prodhimit të produkteve në aktivitetin e “Përpunimi i produkteve ushqimore” me 1,8 %, “Prodhimi i produkteve metalikë të fabrikuar, përveç makinerive dhe pajisjeve” me 1,2 % dhe “Metalurgjia” me 0,4 %.

Indeksi i çmimeve të prodhimit për produktet vendase arriti 101,0, duke u rritur me 0,7 %, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2017.

Indeksi i çmimeve të eksportit arriti 107,3, duke u rritur me 1,0 %, krahasuar më të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Ndryshimi tremujor i indeksit të çmimeve të prodhimit

Indeksi i çmimeve të prodhimit, në tremujorin e parë 2018, shënoi rritje me 0,5 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2017. Çmimet e prodhimit, në seksionin ”Industri Nxjerrëse” shënuan rritje me 2,6 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2017. Çmimet e prodhimit në aktivitetin “Nxjerrja e naftës bruto dhe gazit natyror” janë rritur me 4,7 %. Çmimet e prodhimit në seksionin “Industri përpunuese” ka shënuar ulje me 0,8 %, krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Ndikimin kryesor në këtë ulje e kanë dhënë çmimet e prodhimit të produkteve në aktivitetin e “Përpunimi i produkteve ushqimore” me 0,5 %, “Prodhimi i produkteve minerale jo-metalike” me 1,2 % dhe “Metalurgjia” me 2,9 %.

Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2017, indeksi i çmimeve të prodhimit për produktet vendase ka shënuar rritje me 0,8 %. Në këtë rritje ndikim kryesor ka dhënë rritja e çmimeve të prodhimit të produkteve në seksionin “Energjia elektrike, gaz, avull dhe ajër i kondicionuar” me 1,3 % dhe “Industri Nxjerrëse” me 2,8 %. Çmimet e prodhimit të produkteve për eksport kanë shënuar ulje me 0,2 %, krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Ndikimin kryesor në këtë ulje e kanë dhënë çmimet e prodhimit të produkteve në seksionin “Industri Përpunuese” me 1,2 %.

Për më shumë informacion klikoni këtu