“Politika, biznesi dhe ekonomia”

Ndërsa Shqipëria përfshihet në vendet me indeksin më të ulët ekonomik, rritja ekonomike që ka vijuar në rënie  nga 3.9% që ishte vitin e kalur në 3.5 % vitin e ardhshëm, e ndërsa pritet të miratohet ditën e hënë paketa fiskale, në misionin “Ekopolitika” të Ora News, ishte i ftuar Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, Arben Shkodra.

Mes tematikave të diskutimit sesi politika po ndikon në klimën ekonomike, gjendjes së tanishme të saj dhe ndikimi i i reformave, apo burimeve që financojnë ekonominë e tanishme, Arben Shkodra foli edhe për probleme të tjera të lidhura me sektorin e prodhimit, i cili sipas tij është lënë në harresë prej politikave.

“Unë jam pjesë e sektorit të prodhimit, sektor i cili është lënë pa konsideratë prej politikave në 30 vite. Çdo sipërmarrës është aty ku është sepse është bërë vet. Nuk shoh asnjë lloj lehtësimi që prej krijimit të një subjekti prodhues”, u shpreh z. Shkodra për Ora News.

Më tej ai vazhdoi me problematika të tjera lidhur me taksat dhe markën “Made in Albania”, për të cilën Qeveria nuk po krijon kushtet e duhura për ta mbështetur atë.

“Taksat janë njësoj me inportuesin. Nuk kanë bërë lehtësimie për “Made in Albania” me të cilën krijohet një pasaport.  Lufta e madhe sot bëhet që çdo shtet të përhap produkete e veta, ndërsa në Shqipëri nuk po ndodh kjo.”, tha Arben Shkodra.

Ndërsa u ndal edhe te Partneriteti Publik-Privat (PPP), ai tha se problemi qëndron tek paaftësia e qeverisë për ta menaxhuar. Sipas tij, duhet krijuar një kulturë e re, pasi qeveritë që ndërrohen punojnë me po të njëjtat biznese dhe praktika.

“Duhet të dalim nga situata e tanishme sepse në momentin që vjen qeveria e re, ajo punon me po të njëjtat biznese dhe me po të njëjtat praktika. Problemi është disbalanca midis propozimeve të qeverisë dhe të anës tjetër. Kjo tregon paaftësinë e qeverive për të menaxhuar PPP.”, shprehet ai, ndërsa për investimet shprehu se “është nevojë e menjëhershme për një observator për të matur efektet e politikave publike dhe impaktit të tyre”.

Përsa i përket paketës fiskale të krijuar në mesin e këtij viti, Arben Shkodra tha se prej tyre është bërë kërkesë për diskutim me qëllim krijmin e një paketë të re fiskale e cila së paku nuk do të ndryshojë për pesë vite, pasi ndryshimet e vazhdueshme rrisin edhe risqet.

“Ne i kemi ftuar të ulemi në diskutim për të hartuar një paket fiskale. Kërkesa jonë e fortë është që duam të bëjmë nga fillimi në mënyrë integrale ligjin për proceduart tatimore dhe të kemi një pakt politik që të paktën për pesë vite mos të ndryshojë.”, u shpeh ai.

Ndërsa sjell shembullin e vendeve të rajonit që po luftojnë në lehtësimin dhe përhapjen e markës “Made in Country”, z. Shkodra tha se paketa e tanishme fiskale është për ato biznese që duan të përfitojnë dhe jo për pjesën tjetër.

“Kjo është paket fiskale për ato biznese që duan të përfitojnë, por për pjesën tjetër është kuturu.”, deklaroi ai.

Në fund ai cilësoi se paketa e re fiskale, e cila pritet të miratohet të hënën në seancën plenare, e cilësoi të gabuar dhe se nuk u është lënë kohë e mjaftueshme për ta diskutuar.

“Kjo është një gjë e gabuar që do të na rëndojë. Nuk do të ketë kohë për konsultime teknike dhe nuk do krijohet mundësia për një material të mirë.”, përfundoi ai.

Për më shumë klikoni këtu