“Manifesti i Kuzhines se Re Shqiptare”, 18 shtator 2018, Pazari i Ri, Tiranë

12 kuzhinerë shqiptarë nga Italia, Greqia, Belgjika, Mbreteria e Bashkuar, SHBA, Suedia dhe Danimarka mblidhen në Tiranë me 18 shtator 2018, Pazari i Ri, për të marrë pjesë ne eventin më të rëndësishëm të gastronomisë shqiptare.

Ky event i organizuar nga “RRNO për me gatue”, me mbështejten dhe partneritetin e “Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë”, do të shërbejë si një manifest kësaj lëvizjeje që ka për qëllim krijimin e Kuzhinës së Re Shqiptare.

Qëllimi i eventit: Shpalosja e thesareve gastronomike të fshehura të Shqipërisë/Prezantimi i metodologjive për ri-interpretimin e kuzhinës tradicionale.

Gjatë këtij eventi ne kemi për qëllim të mundësojme diskutimin, eksperimentimin, reflektimin dhe bashkëpunimin mes Chef-s të sapo afirmua të Shqipërisë. Gjithashtu duam të zbulojmë evoluimin e sistemeve të ushqimit në Shqipëri, historinë e tyre, si edhe impaktin social, gjeografik, ekonomik në kuzhinën shqiptare.

Ne besojmë se ky event mund të përfaqësojë një fillim të ri për kuzhinën shqiptare, të rrisë ndërgjegjësimin mes profesionistëve dhe publikut, të promovojë rijetëzimin e kuzhinës shqiptare duke u bazuar në prodhimin sezonal lokal dhe duke pëmirësuar ne këtë mënyrë industrinë e turizmit dhe të agrikulturës.

Një element tjetër i rëndësishëm i eventit tonë është përdorimi i produkteve lokale për recetat dhe pjatat tona. Për këtë qëllim është menduar edhe pjesëmarrja dhe prezantimi i prodhuesve lokalë për të paraqitur produktet e tyre. Eventi do të jetë tërësisht i dokumentuar si nga ana filmike dhe fotografike, por edhe me krijimin e një arkive të dokumentuar e cila do të shërbejë si bazë për trajnimet dhe promocionet në të ardhmen.

Situata dhe Konteksti

Izolimi dhe varfëria gjatë 45 viteve të komunizmit dhe reformat agrare të këtij sistemi pothuajse e shkatërruan traditën gastronomike të formuar ndër shekuj, duke shpërbërë ekosistemin e fermerëve të vegjël dhe prodhuesve artizanë. Po ashtu kuzhina shqiptare gjithmonë ka qenë e influencuar fuqishëm nga kulturat rrethuese kulinare saqë shpesh është konsideruar si një amalgam ku shkrihet kuzhina mesdhetare, ballkanike dhe ajo otomane.  Megjithatë kriza e vërtetë e identitetit e gastronimisë Shqiptare ndodhi gjatë periudhës post-komuniste dhe viteve të tranzicionit. Globalizimi, duke përfshirë edhe migrimin masiv dhe industrializimin kaotik të sistemeve të ushqimit përfaqëson aktualisht sfidën më të madhe të Gastronomisë Shqiptare.

Sfidat

Industria shqiptare e kulinarisë dhe kuzhinës po përballet me sfida të mëdha. Kuzhina tradicionale shqiptare në këtë moment përfaqëson më shumë një kuriozitet sesa të zërë peshën dhe vendin që i takon. Në këto memoment është një nevojë pothuajse emergjente për të dokumentuar dhe zhvilluar këto tradita para se të zhduken edhe burimet e fundit që kanë mbetur.

Përveç kësaj, Shqipëria po përballet me një sfidë të madhe në rekrutimin e personelit të duhur në industrinë e kulinarisë. Sistemi edukues nuk është në nivelet dhe standartet ndërkombëtare dhe shumica e shkollave të kuzhinës janë pothuajse të gjitha në pronësi private dhe shpesh të lidhura me interesa të ngushta komerciale.

Të rinjtë kanë nevojë për modele frymëzuese; atyre u duhet të provojnë dhe të vërtetojnë që talenti i tyre nevojitet ne Shqipëri, dhe që mund të kenë një të ardhme pa qenë nevoja të konsiderojnë  emigrimin.

Rinovimi i Kuzhinës Shqiptare

Shqipëria ka nevojë të Rinovojë kuzhinën e saj në një formë moderne por të bazuar tek traditat e vjetra, ashtu sikurse edhe kuzhinierët të tjerë po veprojnë në të gjithë botën; duke gjetur sërish rrënjët e kulinarisë dhe duke i rijetëzuar ato, dhe te bazuara te prodhimi sezonal dhe lokal. Ky është një trend global i cili kontribuon në ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore në një formë të qëndrueshme si një kundërpeshë e fuqishme kundrejt fuqisë mbizotëruese të globalizmit dhe ushqimit masiv të prodhuar në metodat industriale.

Në Shqipëri janë shfaqur personalitete të guzhinës të cilët po punojnë mbi këto shtylla filozofie, por ky komunitet është shumë i vogël dhe me burime tej mase të kufizuara. Me qëllim forcimin e këtij komuniteti dhe aftësimin për ta marrë përsipër këtë detyrë madhore, lind si nevojë angazhimi i elitave, kudo ku ato janë, si në Shqipëri ashtu edhe jashtë saj në mënyrë që të mundësohet arritja e këtij misioni bashkërisht.

Programi i Eventit 

Janë mbledhur një bazë të dhënash të recetave dhe pjatave tradicionale shqiptare, nga të cilat do të seleksionohen 12 nga më autentiket. Këto gatime do të prezantohen nga 12 kuzhinierë shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe punojnë në restorante të mirënjohura në botë. Secili prej këtyre kuzhinierëve do të angazhohet në rijetëzimin dhe krijimin e një pjate tërësisht të re dhe moderne, por të bazuar në këtë gatim tradicional.

  •  Gjatë eventit si pjata tradicionale ashtu edhe ajo e ri-krijuar do të prezantohen për një publik i cili kryesosht do të përbëhet nga të ftuar specialë dhe kuzhinerë të rinj e të talentuar shqiptarë.
  • Gatimet tradicionale do të prezantohen nga 12 gjyshe të përzgjedhura si një vlerësim i rolit të tyre të pazëvendësueshëm në ruajtjen e kuzhinës tradicionale shqiptare.
  • Pas çdo prezantimi të pjatave tradicionale çdonjëri prej kuzhinierëve të përzgjedhur do të demonstrojë teknikat dhe metodologjitë e përdorura për ri-krijimin e pjatës.
  • Qëllimi kryesor i ri-krijimit të pjatës është të prezantohen teknikat moderne të gatimit, ndërsa ruhet në mënyrë strikte struktura dhe autenticiteti i pjatës tradicionale.