Prodhuesit shqiptarë në aktivitetin e “Kuzhinës së Re Shqiptare”

Pazari i ri më datë 18 Shtator u “pushtua” nga 12 kuzhinerë shqiptarë nga Italia, Greqia, Belgjika, Mbretëria e Bashkuar, SHBA, Suedia dhe Danimarka, dhe nga shumë personazhe e personalitete vendase dhe media të huaja të sferës së kulinarisë, të cilët morën pjesë në eventin më të rëndësishëm të gastronomisë shqiptare “Kuzhina e Re Shqiptare”.

Ky event i organizuar nga “RRNO për me gatue” dhe “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”, me mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri synonte të rrisë ndërgjegjësimin mes profesionistëve te kuzhinës dhe publikut dhe të promovonte ri-krijimin e kuzhinës shqiptare duke u bazuar në prodhimet lokale vendase.

Të rinj në moshë, idealistë e të lidhur fort me origjinën edhe pse i përkasin tre gjeneratave të ndryshme të emigracionit dhe diasporës, kthehen në Tiranë me një mision: të hedhin hapat e para të Kuzhines së Re Shqiptare, duke sjelle me vete eksperiencën nga restorante me famë ndërkombëtare dhe ikonat botërore të kulinarisë si Rene Rexhepin, Enrico Crippa dhe Gordon Ramsey.

Aktiviteti u përshendet nga Ministrja e Shtetit për Mbrojten e Sipërmarrjes znj. Sonila Qato, si dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Erion Veliaj.

Të pranishëm në event ishin dhe anëtarë të Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, të cilët dhanë kontributin e tyre në këtë aktivitet, si dhe promovuan produktet “Made in Albania” në sektorët e bujqësisë, blegtorisë, ushqimit, akuakulturë, përpunuesit e ujit të amballazhuar, pijeve joalkoolike.