Kuponi tatimor i lëshuar nëpërmjet pajisjeve fiskale dhe detyrimi për përdorimin e tyre

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nëpërmjet rubrikës “Tatimet Këshillojnë”, ka publikuar informacion në lidhje me “Kuponi tatimor i lëshuar nëpërmjet pajisjeve fiskale dhe detyrimi për përdorimin e tyre”.

Kuponi tatimor është dokument i lëshuar me anë të pajisjeve fiskale apo të pajisjeve të tjera elektronike. Forma dhe përmbajtja e kuponit tatimor është siç përcaktohet në Vendimin e Këshillit te Ministrave Nr.781, datë 14.11.2007 “Për karakteristikat teknike e funksionale të pajisjeve fiskale, sistemit të integruar të kompjuterizuar për transferimet periodike, automatike të deklarimeve financiare, sistemit të komunikimit për procedurën e dokumentacionin për miratimin e tyre dhe për kriteret për pajisjen me autorizim të shoqërive të autorizuara për ofrimin e pajisjeve fiskale” dhe akteve të tjera nënligjore në zbatim të tij.

Kujdes!

Personi i tatueshëm shitës me pakice, subjekt i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar apo i Tatimit mbi Fitimin, është i detyruar përveç kuponit tatimor, të lëshojë një faturë tatimore me TVSH, kur vlera e çdo furnizimi të kryer për blerësin, pavarësisht nga statusi i këtij të fundit, është më e madhe se 40,000 lekë, përfshirë TVSH. Për çdo furnizim të tillë të bërë për individët konsumatorë jotregtarë, në faturën e lëshuar nga shitësi paraqitet detyrimisht emri, mbiemri dhe adresa e blerësit. Personi i tatueshëm shitës me pakicë, subjekt i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar apo i Tatimit mbi Fitimin, është i detyruar gjithashtu që përveç kuponit tatimor, të lëshojë një faturë tatimore me TVSH, pavarësisht nga vlera e furnizimit, në rastet kur marrësi i furnizimit është person i tatueshëm dhe kërkon faturë tatimore për nevoja biznesi apo kur marrësi i furnizimit edhe kur nuk është personi i tatueshëm, e kërkon faturën.

Personat e tatueshëm, që shesin mallra për konsum final apo ofrojnë shërbime, në njësi të përhershme të hapura për publikun duhet të instalojnë pajisje fiskale dhe të lëshojnë kuponë tatimorë. Kuponi tatimor lëshohet në dy kopje, një nga të cilat është kopje letër që i jepet klientit konsumator të mallrave apo shërbimeve të blera dhe tjetra i mbetet vetë personit të tatueshëm në shiritin e kontrollit të arkës regjistruese. Kuponi tatimor është dokumenti 2 nëpërmjet të cilit realizohet transparenca e duhur në marrëdhëniet e çdo biznesi me klientët e tij.

Për personat e tatueshëm, të cilët kryejnë furnizime të shërbimeve të natyrës bar-kafe, restorant, mensa, ku konsumohen pije dhe ushqime, lëshimi i kuponit tatimor duhet të bëhet për çdo porosi të kryer. Me porosi të kryer nuk nënkuptohet porosia nga çdo person, por porosia e kryer për çdo tavolinë. Ndërkohë nëse e njëjta klientelë kryen një porosi të dytë, atëherë me dorëzimin e porosisë ajo pajiset me kuponin tatimor për porosinë e dytë.

Kuponët e kasës ose dëftesat tatimore nuk njihen si dokument justifikues i shpenzimeve për blerësin ushtrues veprimtarie tregtare, përveç rastit kur janë të shoqëruara me faturë tatimore.

Personat e tatueshëm, subjekte të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar apo të Tatimit mbi Fitimin që shesin mallra apo shërbime me pakicë, por nuk janë të detyruar të pajisen me arkë regjistruese ose pajisje të tjera fiskale, si dhe personat e tatueshëm tatimpagues i Tatimit të Thjeshtuar mbi Fitimin e biznesit të vogël, që shesin mallra e shërbime me pakicë, por që gjithashtu nuk janë të detyruar të kenë arke regjistruese ose pajisje të tjera fiskale, janë të detyruar të lëshojnë për çdo shitje që kryejnë dëftesa tatimore. Dëftesa tatimore është e detyruar të lëshohet edhe në çdo rast tjetër që arkat regjistruese apo pajisjet e tjera fiskale, për çfarëdo arsye qoftë, nuk janë në gjendje pune. Dëftesa tatimore lëshohet në dy kopje, një nga të cilat i jepet klientit konsumator të mallrave apo shërbimeve të blera dhe tjetra mbetet në bllokun e vetë personit të tatueshëm.

Tatimpaguesit, që kryejnë shitje me shumicë të mallrave në adresa të identifikuara vetëm për shitje me shumicë, nuk lejohen që në këto njësi të tregtimit me shumicë të shesin tek blerës, joushtrues të një veprimtarie tregtare (individë).

Për tatimpaguesit (prodhues, tregtues apo importues), të cilët tregtojnë edhe me shumicë për tatimpagues të tjerë të regjistruar, por njëkohësisht kanë si pjesë të biznesit të tyre në adresa të ndara nga njëri-tjetri, edhe njësitë e tregtimit me pakicë për publikun (rrjet dyqanesh) të pajisura me NIPT-e sekondare dhe pajisje fiskale me vete, ky kufizim nuk zbatohet për shitjet e kryera ne adresat e identifikuara veçmas si njësi të shitjes me pakicë.

Automjetet e pajisur me NIPT-e sekondare, të cilat përdoren për shitjet me shumicë “derë më derë”, nuk konsiderohen njësi të tregtimit me pakicë.

Detyrimi për përdorimin e pajisjeve fiskale, vendosja e sistemeve të monitorimit të qarkullimit

Tatimpaguesit, që kryejnë qarkullimin e mallrave ose shërbimeve, për të cilat pagesat nuk kryhen nëpërmjet bankës, ose institucioneve financiare të parasë elektronike, të licencuara nga Banka e Shqipërisë, janë të detyruar të përdorin sistemin fiskal nëpërmjet përdorimit të pajisjeve fiskale, për regjistrimin e pagesave me para në dorë dhe për lëshimin në mënyrë të detyrueshme të kuponit tatimor. Këta tatimpagues janë të detyruar të pajisen, të përdorin dhe të mirëmbajnë pajisjet fiskale në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi. Tatimpagues në sektorë të veçantë të ekonomisë, sikundër janë hidrokarburet janë të detyruar të instalojnë dhe të përdorin sisteme të monitorimit të qarkullimit sipas kritereve të përcaktuara në ligjin e procedurave tatimore apo akteve nënligjore në zbatim të ligjit.

Përjashtohen nga detyrimi i lëshimit të kuponit tatimor:

  • tatimpaguesit, që paguajnë Tatim mbi të Ardhurat nga kryerja e veprimtarive për shuma të vogla të të ardhurave neto, me përjashtim të shoferëve të taksive;
  • personat, që nuk janë tregtarë dhe e realizojnë qarkullimin e produkteve bujqësore dhe të papërpunuara mbi tezga në tregjet e organizuara, si dhe jashtë merkatove;
  • individët, që lëshojnë me qira mjedise biznesi;
  • veprimtaritë, të cilat ushtrohen në zona të larta malore, me popullim më pak se 300 individë dhe që janë të ndryshme nga vendet turistike.