“Agro-Tech Expo & Forum 2019″, Panairi dhe Forumi Ndërkombëtar i Agrobiznesit dhe Agroteknikës

Në datat 15-16 Mars 2019, do të organizohet Edicioni i II-të, “Agro-Tech Expo & Forum 2019″- Panairi dhe Forumi Ndërkombëtar i Agrobiznesit dhe Agroteknikës.

Ky organizim fton në një platformë komunikimi biznesi aktorët më të rëndësishëm kombëtare dhe ndërkombëtarë në fushat e bujqësisë, agropërpunimit dhe agroteknikës. Në vijim të eksperiencës së edicionit të parë, Agro-Tech Expo & Forum 2019, do të krijojë të gjitha kushtet optimale për realizimin me sukses të komunikimit si nëpërmjet ekspozimeve ashtu edhe të takimeve të biznesit me qëllim prezantimin e kompanisë, produkteve edhe shërbimeve, krijimin e partneriteteve, si dhe të marrjes së informacionit të përditësuar me të rejat më të fundit nga teknologjia dhe zhvillimet e politikave. Në edicionin e parë Agro-Tech bëri pjesë të platformës rreth 60 biznese shqiptare dhe të huaja dhe rezultoi një edicion i suksesshëm dhe i pranuar gjerësisht nga sektori. Në edicionin e dytë pritet të dyfishohet interesi në drejtim të pjesëmarrjes dhe vizitorëve jo vetëm nga Shqipëria, por rajoni e më gjërë.

Agro-Tech Expo & Forum 2019, falë vëmendjes ndërkombëtare, nëpërmjet aktiviteteve të organizuara, forumit dhe workshopeve do t’u ofrojë sipërmarrësve shqiptarë dhe të rajonit të Ballkanit mundësi njohjeje dhe penetrimi drejt tregjeve të reja, shkëmbime dhe ndarje të eksperiencave, kontakte të vlefshme, informacione  dhe pse jo edhe mundësi reale për ridimensionimin e biznesit në nivele më të larta.

Bujqësia është dhe do të mbetet një nga sektorët me potencial të lartë zhvillimi në vendin tonë duke qënë burimi kryesor i të ardhurave dhe punësimit veçanërisht në zonat rurale të vendit. Ky sektor siguron rreth 20% të PBB-së dhe 38,2% të punësimit total. Pra, objektivi i këtij panairi është krijimi i një mjedisi të përshtatshëm dhe tërheqës për të gjithë ekspozuesit, për të promovuar me sukses produktet dhe kompanitë e tyre, për të krijuar partneritete dhe për të marrë informacion mbi skemat e reja mbështetëse dhe zhvillimet më të fundit në teknologjinë agrare.

Për informacione më të detajuar, lutemi të shihni broshurën.