Prodhuesit, sfidat për vitin 2019 nuk janë të pakta

Prodhuesit, sfidat për vitin 2019 nuk janë të pakta

Flet Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë

Në vitin 2019, industria përpunuese dhe prodhuese në vend do të ndikohet nga disa faktorë. Së pari, për shkak se do të jetë vit elektoral, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë nuk e pret me rritje, sipas Arben Shkodrës, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë. Paketa Fiskale 2019 ka sjellë disa lehtësi te prodhuesit shqiptarë. Në tregun e Kosovës është krijuar një hapësirë e re për eksportuesit, për shkak të taksës mbi prodhimet serbe dhe boshnjake.

Si e parashikoni vitin 2019 për industrinë përpunuese dhe prodhuese në vend?

Për vitin 2019, ecuria e industrisë përpunuese dhe prodhuese në vend do të ndikohet nga disa faktorë. Së pari, dua të përmend ndryshimet në Paketën Fiskale për vitin 2019 që do të lehtësojnë industrinë prodhuese, si ligji për TVSH-në dhe rregullimi i industrisë së plastikës në vend.
Në Paketën Fiskale 2019, furnizimi i shërbimit të përpunimit të mallrave joshqiptare të destinuara për t’u rieksportuar, të kryera nga nënkontraktorët për llogari të shoqërisë së përpunimit aktiv që e ka kontraktuar, është propozuar që të përjashtohet nga TVSH-ja.

Aktualisht, ky furnizim është i tatueshëm me shkallën standarde 20%, ndërsa më herët ka qenë i përjashtuar nga TVSH-ja. Kjo do të ndihmojë kompanitë që operojnë në sektorin fason në vend, të cilat kanë pasur një problematikë të vazhdueshme për shkak të TVSH, edhe për pagesat që ndikonin drejtpërdrejt në likuiditetet e kompanive, por edhe te vonesat në rimbursimin e saj.

Së dyti, do të përmendja si ndryshim pozitiv rregullimin me ligj të industrisë së plastikës. Në Paketën Fiskale 2019 është propozuar një nivel i ri për taksën që aplikohet mbi produktet e plastikës. Niveli i ri i taksës që do të aplikohet mbi produktet e plastikës do të jetë 35 lekë/kg, pra sa 1/3 e nivelit ekzistues (prej 100 lekë/kg).

Cilat do të jenë sfidat për vitin e ardhshëm për prodhuesit shqiptarë?

Për vitin 2019, sfidat për industrinë prodhuese nuk janë të pakta. Mendoj se duhet të lehtësohet barra fiskale për prodhuesit, me argumentin se prodhuesit nuk mund të ketë të njëjtën faturë, sikurse bizneset importuese apo ato që operojnë në sektorin e ndërtimit. Në Serbi dhe në Kosovë aplikohen për prodhuesit të njëjtat çmime energjie si për konsumatorët familjarë.

Një ndër objektivat që ka për vitin e ardhshëm Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë është ndryshimi i Kodit Doganor dhe ndryshimi i Kodit të Punës. Presim që të përmirësohet mjedisi i biznesit për startup-et dhe bizneset në fushën e teknologjisë dhe inovacionit. Bashkimi i Prodhueseve nuk e parashikon me rritje vitin 2019. Ne gjykojnë se, duke qenë një vit elektoral, klima politike do të krijojë një lloj stanjacioni në ekonomi. Së fundmi, shifrat e konsumit nuk kanë qenë edhe aq optimiste dhe është reflektuar rënia e tij.

Për sa u përket eksporteve, prodhuesit janë në pritje se si do të vijojnë bisedimet me Serbinë dhe nëse do të arrihet një marrëveshje. Varet se si do të qasen bizneset eksportuese shqiptare ndaj kësaj hapësire që do të krijohet në tregun e Kosovës. Një tjetër sfidë për bizneset eksportuese në vend është nënçmimi i monedhës euro. Zhvlerësimi i euros i ka bërë prodhuesit shqiptarë më pak konkurrues në rajon, duke qenë se prodhimet shqiptare bëhen më të shtrenjta për tregun jashtë.

 

Intervistë e marrë nga Monitor.