Në mbrojtje të shëndetit të konsumatorëve dhe në mbështetje të prodhuesve të ndershëm

DEKLARATË PËR SHTYP

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë po ndjek këto ditët e fundit me vëmendje raportimet e medias si dhe shqetësimin e krijuar tek qytetarët në lidhje me sigurinë ushqimore. Duke qënë se lidhet drejtëpërdrejtë me cilësinë e shëndetit dhe jetës, siguria ushqimore meriton vëmendjen maksimale nga të gjithë ne.

Para se të jemi sipërmarrës, ne dhe familjet tona jemi konsumatorë dhe jemi po kaq të ekspozuar ndaj rrezikut të ushqimeve të pakontrolluara. Ndaj jemi këtu sot, për të ndarë me të gjithë qytetarët shqiptarë shqetësimin e përbashkët dhe t’ju bëjmë të ditur se reshtohemi në të njëjtën llogore, për të kërkuar nga institucionet publike monitorim, identifikim dhe ndëshkim maksimal të çdo individi apo subjekti, që abuzon, me apo pa qëllim, me cilësinë e produkteve ushqimore, qofshin ato vendore apo të importuara.

Gjithashtu jemi të shqetësuar sepse, në mënyrë të vazhdueshme prodhuesit e ndershëm në sektorin agroushqimor, po përballen me denoncime publike dhe akuza gjithëpërfshirëse pa adresë. Investigimet mediatike flasin për prodhimin e frutave dhe perimeve të rrezikshme për shëndetin, si pasojë e përdorimit të substancave kimike përtej normave të lejuara. Flasin për produkte të bulmetit të prodhuara me lëndë të huaja, deri edhe materiale seriozisht të rezikshme për jetën. Flasin për mashtrime në prodhimin e pijeve alkoolike apo freskuese, duke përdorur konservante artificialë dhe jo nga lëndë të para me origjinë natyrore. Qytetarët informohen për djathë, mish, sallam, domate, pije apo bukë të rrezikshme, por nuk përcaktohet saktë se kush e prodhon apo tregton këto produkte, më qellim që  konsumatori të mos i blejë më ato.

Gjatë këtyre ditëve kemi ndjekur jo vetem denoncimet mediatike por edhe debatin e nxehtë të opinionistëve të ndryshëm. Denoncimeve dhe debatit mediatik i janë bashkuar së fundmi edhe raportime “kuturu” të individëve pa emër në disa portale mediatike, duke paraqitur pa asnjë provë apo masë, foto të ndryshme të produkteve ushqimore të cilat paraqesin në dukje deformime apo dëmtime. Vendi ynë ka një ekonomi që më së shumti bazohet tek bujqësia, agropërpunimi dhe turizmi. Sapo kemi hyrë në sezonin e prodhimit të perimeve të stinës qe më pas të vijojimë me eksportin e tyre dhe jemi në prag të sezonit turistik. Cili është shërbimi që po i bëhet konsumatorit vendas dhe të huaj në këtë rast? Cili është mesazhi që po japim për tregjet e huaja, ku më shumë mundim kemi paragitur produktet tona?

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë ka mbështetur gjithmonë dhe do të vazhdojë të mbështesë median për çdo investigim apo denoncim i cili paraqitet me fakte konkrete dhe prova serioze, të cilat duhet të jenë të vazhdueshme dhe me emra konkret, me qëllim që prodhuesit e ndershëm të mos ndjehen të etiketuar njësoj si mashtruesit dhe shkelësit e ligjit.

Kjo situatë, e cila për fat të keq dhe për çudi po na përsëritet cdo vit, krijon një panik kolektiv në treg, çorienton konsumatorin, ul besimin te çdo produkt vendor dhe na largon më shumë nga tregjet ndërkombëtare. Produkti vendor është krenari kombëtare dhe ne duhet jo vetëm ta mbështesim por edhe ta promovojmë fort.

Prodhuesit e ndershëm vendor kanë bashkëpunuar dhe do të vijojnë bashkëpunimin e ngushtë me autoritetet publike të sigurisë ushqimore, për të vendosur standartet më të mira në prodhimin dhe përpunimin e produkteve vendore, por edhe për të luftuar së bashku fenomenin e informalitetit, mashtrimit dhe spekullimit në sektorin e prodhimit agroushqimor.

Duke përsëritur edhe njëherë vendosmërinë për të mbeshtetur ndeshkimin e spekullantëve, ne kërkojmë, së pari nga institucionet shtetërore përgjegiëse për sigurinë ushqimore, që të intensifikojnë dhe forcojnë kontrollin në treg dhe në rastet kur kanë prova shkencore e laboratorike, të  ndërhyjnë me forcën më të madhe që parashikon ligji, duke bërë madje edhe publikimin e rasteve për tu ardhur në ndihmë konsumatorëve që  të mos bien pre e këtyre produkteve të dëmshme.

Ne kërkojmë nga media, që në rastet kur nuk ka prova të konfirmuara, të mos krijojë panik të panevojshëm të konsumatorët, duke vënë në vitrinën e akuzës të gjithë prodhuesit shqiptarë. Në rastet kur identifikon apo konstaton shkelje flagrante nga subjekte apo individë, ti referojë ato menjëherë pranë autoriteteve me emra apo fakte konkrete. Vetëm kështu i shërbejmë mbrojtjes së konsumatorit, por edhe mbrojtjes se prodhimit vendas, i cili sot ka nevojë më shumë se kurrë per mbështetje dhe promovim.

Së fundmi, ftojme sot përfaqësuesit e ndershëm të sektorit privat, përfaqësuesit e medias, autoritetet publike dhe shoqërinë civile, të  krijojmë “Aleancën për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Prodhimit Vendor”, e cila duhet të fillojë menjëherë bashkëpunimin për  identifikimin, denoncimin dhe goditjen e fenomenin të mashtrimit apo të çdo shkelje në te gjithë zinxhirin e sigurisë ushqimore, veçanërisht për subjektet prodhuese informale, pasi ky fenomen nuk po dëmton vetëm shëndetin e konsumatorëve, por po deformon seriozisht tregun dhe konkurrencën e ndershme.