Siguria ushqimore dhe ndryshimet e reja ligjore në Kodin Penal

Në datën 6 maj 2019, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural zhvilluan takim konsultativ në lidhje me sigurinë ushqimore dhe ndryshimet e reja ligjore për sa i përket penaliteteve në fushën e sigurisë ushqimore. Në takim mori pjesë dhe Kryeministri i Republikës së Shqipërisë SH.T.Z. Edi Rama.

Duke e konsideruar sigurinë ushqimore një temë shumë të ndjeshme dhe shumë komplekse, Kryeministri Rama tha se “Sot në Shqipëri ka një numër të madh njerëzish dhe sipërmarrësish që i janë dedikuar prej vitesh me pasion, këmbëngulje dhe sakrifica, këtij sektori për të prodhuar dhe për të importuar e eksportuar ushqim”. “Është e dhimbshme, që këta njerëz e sipërmarrje të futen të gjitha në një thes dhe të jetohet me idenë se në Shqipëri hahet helm. Kjo është e pavërtetë, sikundër është e dhimbshme që të ndëshkohen për shkak të këtij perceptimi që ushqehet edhe nga mediat hera-herës, në mënyrë krejt të papërgjegjshme, fermerët shqiptarë e sipërmarrësit, që i janë kushtuar eksportit”, tha Kryeministri.

Sipas Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural z. Bledi Çuçi paketa e ndryshimeve e dispozitave në Kodin Penal, lidhet me garantimin përfundimisht të sigurisë ushqimore në vend. Çuçi tha se, takimi i sotëm është në kuadrin e diskutimeve me aktorët e tregut, me qëllim që të gjithë elementët e kësaj pakete, të marrin fuqi të plotë për të gjitha rastet që prekin sigurinë ushqimore, duke e cilësuar krim penal çdo veprim që prek sigurinë ushqimore”.
“Siguria ushqimore është një sfidë e madhe dhe e vështirë që do ta çojmë deri në fund, me çdo kusht e çmim. Nga ligji detyrohemi të garantojmë sigurinë ushqimore. Kodi Penal që ne kemi aktualisht është i vitit 1995, dhe dispozitat që ai përmban i adresoheshin zhvillimeve të asaj kohe. Referuar shifrave dhe fakteve, ky Kod nuk ka prodhuar asgjë të re për rritjen e sigurisë ushqimore në vend”, – tha ministri Çuçi.

 

Për të ndjekur takimin e plotë klikoni mbi këtë link