Ngjarja rajonale B2B, Shkup 2019

Ditën e djeshme datë 8 shtator 2019, në Shkup, u zhvillua për herë të parë ngjarja rajonale B2B, me qëllim takime ndërmjet kompanive të tre shteteve, nga Republika e Maqedonisë së Veriut, Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë. Kompanitë dominuese në aktivitet ishin pjesë e tre sektorëve: ndërtim dhe materiale ndërtimi, prodhim ushqimor dhe tregti me pakicë.

Me ftesë të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, në të cilët ishin dhe organizatorët e aktivitetit, mori pjesë si panelist dhe Kryetari i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë z. Sokol Kraja.

Në këtë aktivitet përveç takimeve B2B mes kompanive, u organizua edhe Forum Ekonomik, i ndarë në dy panele me tema: “Lehtësimi i tregtisë përmes bashkëpunimit institucional ndërmjet Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Shqipërisë” dhe “Mundësitë e bashkëpunimit, investimeve dhe qasjet e përbashkëta në tregjet rajonale dhe me gjerë”.

Qëllimet e kësaj ngjarjeje të madhe rajonale ishin: mundësi e mirë sipërmarrëve nga të tre shtetet, për të promovuar produktet dhe shërbimet e tyre, mundësi për bashkëpunim mes kompanive në sektorët më të rëndësishëm; hapje e mundësive të reja në të tre tregjet që do të mund të zgjerohen edhe në nivel evropian si dhe bashkëpunime të reja rajonale.

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Sh.T.Z. Zoran Zaev, në fjalën e tij përshëndetëse u perqendrua kryesisht te çelja e bisedimeve si një prioritet shumë i madh për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, pasi ndihma e BE-së për këto dy shtete do të jetë shumë e madhe në fonde, të cilat më pas do i adresohen ekonomisë së këtyre vendeve në forma ndihmash, investimeve në ekonomi , etj.

Përgjatë aktivitetit pati pyetje dhe ankesa nga sipërmarrës të pranishëm, për Drejtorinë e Doganave të Maqedonise së Veritu dhe Shqipërisë, lidhur me vonesat në terminalet doganore. Aktiviteti u zhvillua në frymën e bashkëpunimit rajonal por edhe ankesave se po lëvizet shumë ngadalë në këtë drejtim.

Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë ju dha një dekoratë nga organizatoret e eventit.