Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit, Shtator 2018

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin Shtator 2018 është 1,9 %.

Rritja më e madhe e çmimeve prej 5,4 %, vërehet në grupi “Argëtim dhe kulturë”, pasuar nga grupet:

  • “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,2 %;
  • “Transporti” me 1,9 %;
  • “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” 1,6 %;
  • “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,2 %;
  • “Hotele, kafene dhe restorante” me 1,0 %;
  • “Shërbimi arsimor” me 0,8 %, “Komunikimi” me 0,7 %, etj.

Në muajin Shtator 2018, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,3 %. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Argëtim dhe kulturë” me 2,0 %, pasuar nga grupet:

  • “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,6 %,
  • “Veshje dhe këpucë” me 0,5 %,
  • “Transport” me 0,1 %.

Ndërsa, çmimet e grupeve “Pije alkoolike dhe duhan”, “Hotele kafene dhe restorante” dhe “ Mobilje dhe paisje shtëpie” çmimet u ulën me 0,1 % secili.

Read more

Promovimi i prodhimeve shqiptare

Rreth 600 restorante në diasporë me pronarë shqiptarë apo që menaxhohen nga shqiptarët janë evidentuar nga përfaqësitë diplomatike për të qenë në dispozicion të eksportuesve dhe shoqatave të agrobiznesit në Shqipëri. Qëllimi i kësaj nisme në kuadër të Diplomacisë Ekonomike është shtimi dhe mundësia për rritje të potencialit të eksportit.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme organizuan eventin e promovimit të prodhimit shqiptar drejt diasporës.

Në të morën pjesë anëtarët e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, që përfaqësojnë sektorë të ndryshëm të industrisë së prodhimit, si mjaltë, ujë mineral, bulmet, lengje të freskëta frutash, kantina vere, pije alkoolike, etj.

Pas fazës së evidentimit të këtyre 600 restoranteve, do të bëhet kanalizimi i të gjitha energjive që këto restorante të kenë mundësi të bëjnë pjesë të asortimenteve të tyre prodhime shqiptare, që mund të eksportohen në tregjet europiane dhe të Amerikës së Veriut.

Së shpejti ky projekt do të finalizohet me një aplikacion që do të quhet “Albanian Flavors”, ku do të prezantohen prodhimet shqiptare.

[slider style=”flat” category=”Promovimi i prodhimeve shqiptare” orderby=”date” order=”ASC”]

Read more

Tregtia e Jashtme, Shtator 2018

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në muajin shtator 2018, eksportet e mallrave arritën vlerën 26 mld lekë, duke u rritur me 8,7 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 28,0 %, në krahasim me gusht 2018.

Importet e mallrave arritën vlerën 51 mld lekë, duke u ulur me 4,7 %, në krahasim me një vit më parë dhe rritur me 5,5 %, në krahasim me gusht 2018.

Deficiti tregtar i këtij muaji është 25 mld lekë, duke u ulur me 15,6 %, krahasuar me shtator 2017 dhe me 11,1 %, në krahasim me gusht 2018.

Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të eksporteve

Rritja vjetore e eksporteve prej 8,7 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet:

  • “Materiale ndërtimi dhe metale” me +3,2 pikë përqindje;
  • “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +2,3 pikë përqindje;
  • “Produkte kimike dhe plastike” me +1,9 pikë përqindje“.

Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar negativisht grupi: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me -0,8 pikë përqindje.

Eksportet, gjatë këtij nëntëmujori janë rritur me 15,3 %, krahasuar me një vit më parë.

Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë:

  • “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +5,6 pikë përqindje;
  • “Materiale ndërtimi dhe metale” me +4,1 pikë përqindje;
  • “Tekstile dhe këpucë” me +2,7 pikë përqindje.

Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar negativisht grupi: “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” me -0,04 pikë përqindje.

Për më shumë klikoni këtu

Read more

Propozimet e Sipërmarrjes Prodhuese mbi Paketën Fiskale 2019

 

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, pas rishikimeve të propozimeve nga prodhuesit për paketën fiskale 2018 dhe mos marrjes në konsideratë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, si dhe pas konsultimeve të fundit të kryera me anëtarët e saj, mbi propozimet për paketën fiskale për vitin 2019, ka përgatitur propozimet e sipërmarrjes prodhuese për vitin 2019, si vijon:

  1. Të rishikohet në mënyrë integrale ligji për procedurat tatimore

Pas ndërhyerjeve pothuajse çdo vit të këtij ligji, ka ardhur koha që ky ligj të rishikohet në mënyrë integrale. Të bëhet një vlerësim juridik duke marrë në konsideratë të gjithë ndryshimet e kryera ndër vite, si dhe të gjitha problematikat e marrëdhënies tatim pagues – autoritet tatimor, me qëllim shmangien e të gjthë mbivendosjeve/përplasjeve që ndodhin gjatë aplikimit të ligjit dhe udhëzimit përkatës. Ka ardhur momenti të kemi një ligj të procedurave tatimore më të thjeshtë, më të kuptueshëm nga ana e tatim paguesve, si dhe më të mirë implementueshëm nga ana e organeve tatimore.

  1. Ligji Nr. 9975, 28.07.2008 “Për Taksën Kombëtare”, i ndryshuar

2.1 Nenit 2, pika 8.4 të projektligjit “Për Taksën Kombëtare”, të ndryshuar, të propozuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë:

Ishte: Në rastin e prodhimit brenda vendit, taksa e ambalazheve prej qelqi, mblidhet nga Administrata Tatimore sipas afateve dhe procedurave të deklarimit në këtë ligj. Administrata Tatimore monitoron dhe kontrollon lëndët e para që përdoren për prodhimin e ambalazheve të qelqit, si dhe granulatin e importuar me qëllim prodhimin e materialeve dhe ambalazheve plastike brenda vendit.

Të bëhet: Për produktet dhe ambalazhet e qelqit dhe plastikës të prodhuara brenda vendit nga riciklimi i mbetjeve të qelqit dhe plastikës, taksa të caktohet në masën 1 lekë për kg, me kusht që subjekti ta provojë këtë fakt me anë të kartës teknologjike të prodhimit. Kjo taksë mblidhet nga administrata tatimore sipas afateve dhe procedurave të deklaruara në këtë ligj. Administrata tatimore monitoron dhe kontrrollon lëndët e para që përdoren për prodhimin e produkteve dhe ambalazheve prej qelqi dhe plastike nga procesi i riciklimit të mbetjeve që gjenerohen brenda vendit.

2.2 Ndryshimi i taksës mbi ambalazhet dhe produktet plastike

Kjo taksë sot është 100 lekë/kg + TVSH. Aplikohet për disa produkte si kapsulat që përdoren për prodhimin e shisheve plastike (kodi doganor 39235010) të ujit apo pijeve, apo kutitë plastike që përdoren për ambalazhimin e produkteve ushqimore të cilat përdoren gjerësisht edhe për produktet bujqësore si luleshtrydhe, domate, qershi, etj.

Evidentojmë që nga kjo taksë përjashtohen shumë produkte. Ndër më të rëndësishmit është granulati plastik, i cili nuk taksohet mbasi konsiderohet “lëndë e parë”.

Problemet që sjell kjo taksë me mënyrën si aplikohet:

  • Taksa aplikohet vetëm për disa produkte dhe rëndon së tepërmi kostot e tyre. Konkretisht rrit me 52 % koston e kapsulave për prodhimin e shisheve. Në vendet e rajonit si Greqi, Maqedoni, Mali i Zi, Kosovë, Bullgari, për këto produkte aplikohet vetëm taksë doganore në masën 0 ÷ 6 %;
  • Përjashtimi i disa artikujve nga kjo taksë bëhet shkak për evazion në treg. Kjo vjen mbasi granulati plastik (artikull i përjashtuar nga taksa) deklarohet i përdorur kryesisht për artikuj të përjashtuar nga kjo taksë (tip fletë plastike për serat), ndërkohë që është përdorur për artikuj të taksuar që tregtohen pa faturë;
  • Si pasojë e përjashtimeve dhe evazionit fiskal që ato gjenerojnë,  shteti mbledh vetëm 6 ÷ 7 lekë/kg plastikë nga 100 lekë/kg që duhet të mblidhte.

Propozojmë:

Kjo taksë të bëhet 15 lekë/kg taksa për të gjithë produktet plastike, kodi doganor 39. (këtu hyjnë edhe kapsulat kod 39235010). Ky rregullim do të sillte disa efekte pozitive:

  • Do të çlironte industritë prodhuese nga një super taksë;
  • Do të ulte çmimet në treg dhe do të stimulonte konsumin;
  • Do të ndalonte evazionin;
  • Do të arkëtonte 200 % të ardhura në arkën e shtetit.
  1. Ligji Nr. 61/2012 “Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë”

3.1 Kërkojmë heqjen e akizës për lëndët e para djegëse.

3.2 Taksa e Karbonit/Taksa e Akcizës

Për shkak të ndryshimeve të fundit gjatë vitit 2012 në ligjin “Për akcizën” dhe “Për taksat kombëtare”, Shqipëria aktualisht aplikon taksat indirekte për lëndët djegëse të ngurta, në shumën 5 lekë/kg (d.m.th 2 lekë/kg për akcizën dhe 3 lekë/kg për taksën e karbonit). Këto taksa rrisin çmimin e importit të karburantit me 45% – 50%.

Kjo rritje në industrinë e çimentos përkthehet një barrë e konsiderueshme në strukturën e saj të kostos, që ka një efekt prej ~ 2.5 – 3 euro kosto shtesë për ton të produktit përfundimtar, në varësi të llojit të çimentos së prodhuar.

Në tregjet ndërkombëtare tregtare kjo pengesë në kosto është e rëndësishme dhe nëse nuk hiqet do të dëmtojë shumë shpejt kapacitetin e Shqipërisë për të eksportuar çimento.

Si BE- ja dhe vendet fqinje (me përjashtim të një takse të vogël në Kosovë) nuk aplikojnë taksa indirekte mbi lëndët djegëse të cilat përdoren në industri. Produktet e energjisë dhe energjia elektrike në vendet e BE-së tatohen vetëm kur ato përdoren si lëndë djegëse për motorë apo për ngrohje dhe jo kur përdoren si lëndë e parë/lëndë djegëse në procesin e prodhimit, apo për qëllime të reduktimit kimik ose në procese elektrolitike dhe metalurgjike. (Direktiva e BE-së 2003/96 / KE, e datës 27 tetor 2003, e cila ristrukturon kuadrin ligjor të Komunitetit për tatimin e produkteve të energjisë dhe energjinë elektrike).

Sa më sipër, Taksa e Akcizës, si dhe Taksa e Karbonit, duke qenë se janë taksa indirekte, zakonisht aplikohen për produktin përfundimtar dhe si të tilla mbulohen nga konsumatori përfundimtar. Duke pasur parasysh mënyrën se si këto taksa indirekte aplikohen aktualisht në Shqipëri ato rendojnë produktin ndërmjetësues, duke prekur në këtë mënyrë prodhuesin.

Përveç sa më sipër dhe në lidhje me Taksën e Akcizës, edhe mekanizmi i rimbursimit i parashikuar nga Ligji për Akcizën nuk siguron çlirimin e nevojshëm të ofruar nga kuadri ligjor i BE-së, pasi legjislacioni evropian aplikon përjashtimin e akcizës dhe jo rimbursimin për produktet e energjisë kur ato përdoren si lëndë e parë/lëndë djegëse në procesin e prodhimit apo për qëllime të reduktimit kimik apo në proceset elektrolitike dhe metalurgjike.

Propozojmë:

Heqja e Taksës së Akcizës dhe Karbonit, duke zbatuar në këtë mënyrë standardin e aplikuar në BE, pritet të rivendosë kushte të barabarta në tregun e çimentos së Shqipërisë dhe në këtë mënyrë të përmirësojë konkurrencën e industrisë vendase e cila është prekur në mënyrë disproporcionale nga krizat ekonomike. Duhet të theksohet se industria vendase e çimentos i shton produktit përfundimtar vlera lokale të konsiderueshme, kontribuon në të ardhurat tregtare të Shqipërisë me ~ 48 milionë euro në vit dhe siguron punësim për mbi 800 punonjës të drejtpërdrejtë.

Megjithatë, duke pasur parasysh ndikimin e konsiderueshëm të këtyre taksave në buxhetin e shtetit, një zgjidhje alternative është:

  • zëvendësimi i tyre me një rritje ekuivalente në T.V.SH ose vendosjen e një takse tjetër në vend të saj, për tu aplikuar për produktin përfundimtar (çimento);
  • heqjen e taksës së karbonit dhe akcizës në masën e zbatueshme për eksportet që kryhen dhe vendosjen e taksave doganore ekuivalente për produktet e çimentos të importuara;
  • të paktën aplikimin e një skeme rimbursimi për Taksën e Karbonit në formën që aplikohet gjithashtu për Taksën e Akcizës.
  1. Neni 282 i Ligjit Nr. 102/2014, datë 31.7.2014 “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar
  • Kundër vendimit të autoriteteve doganore, shkelësi mund t’i paraqesë Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave një kërkesë ankimore brenda 30 ditëve nga data e njoftimit.
  • Për t’i paraqitur ankesën, ankimuesi duhet të paguajë shumën e përgjithshme të detyrimeve të importit ose eksportit, sipas përkufizimeve të këtij titulli, si dhe të garantojë shumën e sanksioneve të aplikuara për shkeljen objekt konflikti.

Probleme që krijon ky nen:

Konsiderojmë rastin që ndodh vazhdimisht në doganë ku subjekte të rregullta ngarkohen nga autoritetet doganore me detyrime dhe sanksione (gjoba) të padrejta të cilat ata i kundërshtojnë. Më dendur këto ankesa janë për dy shkaqe:

  1. Interpretim i gabuar i kodit të artikullit nga i cili llogaritet një detyrim shtesë. Shpesh kodi është konform kodit euvropian dhe ndryshohet nga autoritetet doganore.
  2. Detyrimi që lind për shkak të aplikimit jo konform të çmimeve të referencës.

Shumë dendur këto detyrime apo gjoba vendosen nga kontrolle aposteriori.

  • Pra, sipas Nenit 1 ankimuesi ka të drejtën të paraqesë kërkesën.
  • Sipas Nenit 2 duhet të paguajë detyrimin e plotë.

Propozojmë:

Unifikim të nenit 2 me ligjin për procedurat tatimore, pra pranimin e alternativës që ankimuesi të vendosë garanci bankare për shumën e detyrimit.

Neni 2 do të shkruhej:

Për të paraqitur ankesën, ankimuesi duhet të paguajë shumën e përgjithshme të detyrimeve të importit ose eksportit, ose të paraqesë një garanci bankare për këtë shumë.

  1. Ligi Nr. 8438, datë 28.12.1998, “Tatimi mbi të ardhurat”, i ndryshuar

Tatimi mbi të Ardhurat e Korporatës – Zgjatja e periudhës së shfrytëzimit për humbjet Tatimore

Një nga synimet kryesore të Qeverisë Shqiptare është të tërheqë gatishmërinë e investimeve të huaja direkte (IHD) për të kryer investime Greenfield (në fushën e gjelbër). Duke pasur parasysh natyrën dhe përmasën e këtyre investimeve Greenfield, zakonisht nevojiten 3-5 vjet përpara se këto investime të fillojnë të nxjerrin fitime. Në disa raste, për shkak të kushteve të tregut, kjo periudhë mund të jetë edhe më e gjatë. Në rrethana të tilla, këto shoqëri mbledhin humbjet të cilat duhet të shfrytëzohen ndaj fitimeve në të ardhmen.

Legjislacioni shqiptar, sipas Ligjit për “Tatimin mbi të Ardhurat” nr. 8438 datë 28.12.1998, i ndryshuar, parashikon që humbjet tatimore mund të barten dhe shfrytëzohen për një periudhë jo më shumë se 3 vjet.

Në referim të argumentit të lartpërmendur, kur këto Shoqëri fillojnë të nxjerrin fitime dhe duke marrë parasysh kushtet aktuale ekonomike të pandryshuara, është e qartë se dispozita përkatëse e legjislacionit shqiptar nuk i shërben qëllimit të krijimit të një ambienti tërheqës për investimet Greenfield. Përkundrazi, vendet fqinje si Greqia, Bullgaria, Serbia, Turqia u japin Shoqërive një periudhë minimale prej 5 vjetësh për të shfrytëzuar humbjet tatimore.

Propozojmë:

Duhet pasur parasysh fakti se vendet e BE-së, si p.sh Italia, u japin Shoqërive një periudhë të pacaktuar kohore për shfrytëzimin e humbjeve tatimore të krijuara gjatë 3 viteve të para të investimit, në këtë drejtim, si dhe me qëllim krijimin e një mjedisi tërheqës për investimet e huaja direkte që kryejnë investime Greenfield, rekomandohet së tepërmi që periudha 3 vjeçare e përcaktuar në ligjin “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, të zgjatet minimalisht 10 vjet.

  1. Ligji 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar

6.1 Në aneksin nr. 2 të projektligjit ku janë përcaktuar “Kategoritë minimale dhe nivelet treguese të taksës vendore mbi pasurinë e paluajtshme truall (jo hapsirë publike)”, vihet re se vlera e taksës së truallit për qëllime biznesit krahasuar me vlerën e taksës së truallit për qëllime banimi nga individët është nga 35 herë – 85 herë më e lartë.

Propozojmë:

Të barazohet vlera e taksës së truallit për qëllime biznesit me vlerën e taksës së truallit për qëllime banimi nga individët.

6.2 Shkalla e taksës – Neni 22/2

Shkalla e taksës për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për veprimtari ekonomike, kërkojmë të bëhet 0.05% për veprimtaritë prodhuese.

6.3 Taksat Lokale – Taksat e Përkohshme

Ligji për Taksat Vendore (Neni 33) parashikon që Këshilli Bashkiak, kur gjykon të domosdoshme, vendos taksa me karakter të përkohshëm, në interes të përgjithshëm të komunitetit, në territorin brenda juridiksionit të tij. Sidoqoftë, nuk jepet asnjë specifikim tjetër në ligj lidhur me kufizimet e këtij autoriteti, arsyetimin e domosdoshëm që duhet të mbështesë vendimin për vendosjen e këtyre taksave, si dhe qartësimin se çfarë do të ishte e domosdoshme për komunitetin, për qëllimet e vendosjes së këtyre taksave. Kjo e lë Këshillin Bashkiak një autoritet që tejkalon vetë ligjin dhe krijon pasiguri për të ardhmen.

Propozojmë:

Me qëllim garantimin e zbatimit të parimeve kushtetuese në vendosjen e Taksave, por gjithashtu për të shmangur ekspozimin e paparashikueshëm dhe të pajustifikuar financiar të operatorëve të biznesit, Ligji duhet të përcaktojë qartësisht dhe Këshillat Bashkiakë duhet të përcaktojnë dhe parashikojnë qartësisht në vendimet e tyre, gjatë vendosjes së taksave të tilla të përkohshme, me arsyetimin e mjaftueshëm mbi:

  • të specifikohet kur Këshillat Bashkiake kanë të drejtë të aplikojnë këto taksa:
  • nevojat përkatëse të komuniteteve për përfitimin e të cilëve aplikohen këto taksa;
  • kushtet dhe kriteret për llogaritjen dhe implementimin e këtyre taksave;

Gjithashtu, këto taksa nuk duhet:

  • të aplikohen më shumë se një periudhë më të gjatë se 6 muaj;
  • të mos jenë më shumë të larta se 50% kundrejt taksave të vendosura nga parlamenti.
  1. Ligjin nr.9920, datë 19.05.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar

7.1 Neni 7

Neni 71/2 “Përdorimi i metodave alternative të vlerësimit ne rastet e veprimeve për shmangien e tatimit dhe abuzimit me parimet e ligjit tatimor”, pika 1 shkronja d, propozuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, është: evidentohen elementë të veprimeve/transaksioneve që synojnë shmangien ose uljen e detyrimeve tatimore, për përcaktimin e detyrimit tatimor, administrata tatimore nuk merr parasysh një veprim/transaksion apo një seri veprimesh/transaksionesh, të cilat, duke qene se janë ndërmarrë me synim përfitimin e një avantazhi tatimor që vjen në kundërshtim me qëllimin e ligjit,  rezultojnë fiktive në bazë të te gjitha fakteve dhe rrethanave.

Propozojmë:

Kjo pikë nuk duhet të vendoset në ligjin për “Procedurat tatimore”, pasi avantazhi tatimor është e drejtë themelore e çdo personi për ta zgjedhur.

7.2 Neni 8

Në nenin 75 “Detyrimet tatimore të paguara më tepër” shtohet pika 3 me përmbajtjen si më poshtë:

“3. Kompensimi nga teprica kreditore i detyrimeve tatimore brenda çdo tatimi, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetsore, kryhet automatikisht nga sistemi informatik”.

Propozojmë:

Kompensimi nga teprica kreditore i detyrimeve tatimore brenda çdo tatimi dhe nga tatimi në tatim, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetsore, kryhet automatikisht nga sistemi informatik”.

7.3 Neni 12

Në nenin 107 “Pagesa e detyrimit tatimor, objekt ankimi”, në fund të fjalisë në pikën 2 shtohet shprehja me fjalët si më poshtë:

…si dhe kamatvonesat e llogaritura.”

Propozojmë:

Të mos shtohen këto fjalët.

7.4 Neni 13

Në nenin 115 “Plotësim i pasaktë i deklaratës tatimore”, në pikën “2”, shtohet në fund, fjalia me këtë përmbajtje:

“Shumë e papaguar e detyrimit tatimor konsiderohet edhe deklarimi i pasaktë i tepricës kreditore të TVSH-së, e cila llogaritet si diferencë e tepricës kreditore që duhej deklaruar me tepricën kreditore të deklaruar”.

Propozojmë:

Të mos shohet fjalia në pikën “2”.

7.5 Neni 14

Pas nenit 115/1 shtohet neni 115/2 me përmbatjen si më poshtë:

“Neni 115/2

Dënimet për mosnjoftimin e ndryshimeve në lidhje me ndryshimin e pronësisë

Nëse një person juridik nuk njofton administratën tatimore në lidhje me ndryshimet e pronësisë, sipas kërkesave të nenit 27/1 “Ndryshimi i pronësisë” të Ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, ai person juridik është përgjegjës dhe denohet si më poshtë:

  1. për shkeljen në rastin e pikës 3 të nenit të sipërpërmendur, 15 (pesëmbëdhjetë) për qind të vlerës së tregut të aktiveve të trajtuara si me ndryshim pronësie;

Propozojmë:

Të rishikohet vlera 15 (pesëmbëdhjetë) për qind në ulje pasi e dëmton rëndë sipërmarrjen.

7.6 Neni 15

Në nenin 124 “Kundërvajtjet në lëshimin e faturave tatimore, dëftesave tatimore dhe dokumentimin e transaksioneve”, pas paragrafit të pikës 1 shtohet paragrafi i dytë me përmbajtjen si më poshtë:

“Nëse tatimpaguesi pranon vlerësimin tatimor dhe e paguan detyrimin, gjoba sipas paragrafit më lart të kësaj pike, zbritet me 30 (tridhjetë) për qind.”.

Propozojmë:

“Nëse tatimpaguesi pranon vlerësimin tatimor dhe e paguan detyrimin, gjoba sipas paragrafit më lart të kësaj pike, zbritet në 30 (tridhjetë) për qind.”

7.7 Neni 16

Në nenin 129 “Dënimet për tatimpaguesit, që janë banka apo institucione financiare”, në fund të shkronjës “ç”, shtohet fjalia me përmbajtjen si më poshtë:

“Në çdo rast, shuma e gjobës që zbatohet nuk mund të jetë më e madhe se shuma e kërkuar për t’u bllokuar”.

Propozojmë:

Në çdo rast, shuma e gjobës që zbatohet nuk mund të jetë më e madhe se shuma e kërkuar për t’u bllokuar” apo sipas rastit shuma që ka lëvizur nga llogaria.

  1. Heqja e taksave doganore për artikujt që janë lëndë e parë për industrinë prodhuese

 

 

 

Read more

Indeksi i Çmimeve të Konsumit, Shtator 2018

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin shtator 2018 është 2,1 %. Një vit më parë ky ndryshim ishte 1,6 %. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin shtator 2018, krahasuar me gusht 2018, është 0,2 %.

Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit

  • Rritja vjetore e çmimeve në muajin Shtator është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,03 pikë përqindje;
  • Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me +0,58 pikë përqindje.
  • Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me +0,19 pikë përqindje.
  • Çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” kanë kontribuar me +0,14 pikë përqindje.
  • Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,06 pikë përqindje.
  • Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,04 pikë përqindje.
  • Çmimet e grupeve “Komunikimi” dhe “Veshje dhe këpucë” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje secili.
  • Çmimet e grupeve “Shërbimi arsimor” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,01 pikë përqindje secili.
  • Çmimet e grupit “Shëndeti” kanë kontribuar me -0,01 pikë përqindje

Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore

Krahasuar me muajin shtator 2017, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin:

  • “Argëtim dhe kulturë” me 5,2 %;
  • “Transporti” me 3,2 ;
  • “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,8 %;
  • “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,6 %,
  • “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,7 %
  • “Hotele, kafene dhe restorante” me 1,0 %;
  • “Komunikimi” me 0, 7%;
  • “Veshje dhe këpucë” me 0,6 %
  • “Shërbimi arsimor” me 0,5 %, etj.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 14,6 %, pasuar nga nëngrupet “fruta” me 3,8 %, “vajra dhe yndyrna me 2,2 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 1,2 %, etj. Nga ana tjetër çmimet e nëngrupit “sheqer, reçelna e ëmbëlsira” u ulën me 1,2 %.

Ndryshimet mujore të grupeve kryesore

Krahasuar me muajin gusht 2018 rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë” me 2,0 %, ndikuar kryesisht nga ndryshimi i çmimeve të teksteve shkollore.

Rritje patën dhe grupet “Veshje dhe këpucë” me 0,6 %, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,3 %, “Transporti” me 0,2 %, etj.

Ndërsa, çmimet e grupeve “Pije alkoolike dhe duhan”, “Hotele, kafene dhe restorante” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” shënuan një ulje prej 0,1 % secili.

Për më shumë klikoni këtu.

Read more

Marrëveshje Bashkëpunimi

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë dhe Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë firmosën sot një Marrëveshje Bashkëpunimi me qëllim:

  • Krijimin e kushteve të favorshme për zhvillimin e sektorëve prodhues dhe atij të sigurimeve;
  • Shkëmbimin e përvojave profesionale në fushat respektive që kanë një interes të përbashkët, duke përfshirë këtu dhe trajnimet e përbashkëta me synim rritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore apo dhe ndërgjegjësimin e publikut për fushat respektive;
  • Bashkëpunimin midis palëve me qëllim mbrojtjen e interesave të përbashkëta, apo përqafimin e praktikave më të mira ndërkombëtare, nëpërmjet paraqitjes së propozimeve konkrete apo dhe ngritjes së problematikave me interes të përbashkët pranë autoriteteve kompetente shtetërore. Duke patur në konsideratë fushën e veprimtarisë prodhuese, fokus i veçantë do t’i kushtohet shtrirjes së veprimtarisë siguruese në sektorë të tillë si prodhimi i lëndëve të para, bujqësia, turizmi, agropërpunimi, import-eksporti, etj.

Të pranishëm në aktivitet ishin anëtarët e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë dhe Sekretari i Përgjithshëm z. Arben Shkodra, si dhe anëtarët e Shoqatës së Siguruesve Shqiptarë dhe Sekretari i Përgjithshëm z. Edvin Libohova.

[slider style=”flat” category=”Marrëveshje Bashkëpunimi” orderby=”date” order=”ASC”]

Read more

Panairi Ndërkombëtar i Agrobiznesit dhe Ushqimit, 17-19 tetor 2018

Panairi Ndërkombëtar i Agrobiznesit dhe Ushqimit AGROKOS, që do të zhvillohet më datata 17-19 tetor 2018, siguron një mjedis optimal për të gjithë ekspozuesit për të promovuar me sukses ofertat e tyre në një mjedis shumë të kërkuar të biznesit, ku të gjithë mund të prekin rezultatet e panairit AGROKOS gjatë ditëve të ekspozimit. AGROKOS 2018 ka në fokus zhvillimin e sektorit te bujqësisë dhe falë karakterit ndërkombëtar do të kontribuojë në hapjen e tregjeve të reja. Gjithashtu ky panair ndikon në ruajtjen e marrëdhënieve ekzistuese të biznesit, ndikon në forcimin e imazhit, në promovimin e produkteve e shërbimeve, në vend dhe rajon.

Statistika nga AGROKOS 2017

  • Numri i ekspozuesve përfshire edhe Co-Exhibitor: 128
  • Origjina e Ekspozuesve: Kosovë, Holandë , Bosnjë dhe Hercegovinë, Shqipëri, Serbi, Maqedoni, Gjermani, Slloveni dhe Izrael
  • Totali i vizitorëve: 10540 vizitore
  • Numri i vizitorëve profesionistë/Kompani: 7588 (72%)
  • Numri i vizitorëve publik/qytetare jo biznese: 2952 (28%)
  • Mbështetje Institucionale ne vitin 2017: Qeveria Holandeze, Komuna e Prishtinës, KIESA- MTI (Ministry of Trade and Industry) dhe Zyra e Kryeministrit te Kosovës.

Objektivi:

Organizimi i perbashket me vetefinancim i një stende kolektive për 10-20 kompani prodhuese të sektorëve dhe kategorive të ndryshëm të fushës së agrobiznesit për të marrë pjesë në panairin “AGROKOS 2018” siç janë:

  • Prodhues dhe përpunues të frutave dhe perimeve;
  • Prodhues te Vajit te Ullirit
  • Prodhues dhe përpunues e produkteve të qumështit;
  • Prodhues dhe përpunues e produkteve të mishit;
  • Prodhues të verërave dhe birrave;
  • Përkrahja e fermerëve nga viset e largëta rurale etj

Kostoja e pjesëmarrjes në panair:

Nese jeni te interesuar te merrni pjese ne panair dhe deshironi te perfitoni 25 % me lire se çmimi i rregullt, te na shkruani ne adresen e Bashkimit te Prodhuesve Shiptare info@prodhuesit.org

Në çmim janë të përfshira: Hapësirë ekspozuese dhe ndërtimi i stendës prej 8m² me profile alumini dhe ndarje të bardha – “Sistemi Octanorm”, tavolinë informative, tavolinë me ulëse, tepih, ndriçim, mbishkrimi i kompanisë në stendë – tekst standard, dhe një prizë e rrymës. Organizimi i takimeve B2B për çdo kompani dhe taksat e shtetit

Rezultatet e pritshme:

  • Rritja e konkurueshmërisë së prodhuesve shqiptarë në tregun Kosovarë;
  • Gjetja e klientelës së re dhe arritja e marrëveshjeve të reja afariste;
  • Ngritja e vetëdijes dhe inkurajimi i konsumatorëve për konsumin e produkteve shqiptare;
  • Rritja e volumit të shitjes, gjë e cila ndikon në krijimin e vendeve të reja të punës;
  • Rritja e eksportit;
  • Zhvillimi i gjithëmbarshëm.
Read more

Rritja Ekonomike Tremujore (P.B.B)

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, Produkti i Brendshëm Bruto (P.B.B) në tremujorin e dytë të vitit 2018 në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2017, vlerësohet me rritje prej 4,32 %.

Kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët:

  • Industria, Energjia dhe Uji me +2,37 pikë përqindje;
  • Tregtia, Transporti, Akomodimi dhe Shërbimi ushqimor me +0,82 pikë përqindje;
  • Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me +0,44 pikë përqindje;
  •  Bujqësia, Pyjet dhe Peshkimi me +0,29 pikë përqindje;
  •  Arte, argëtim dhe çlodhje, Aktivitete të tjera shërbimi me +0,21 pikë përqindje;
  • Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me +0,17 pikë përqindje;
  •  Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me +0,08 pikë përqindje;
  • Aktivitete të pasurive të paluajtshme me +0,03 pikë përqindje.

Negativisht kontribuoi aktiviteti:

  • Ndërtimi me -0,19 pikë përqindje;
  • Informacionit dhe Komunikacionit me -0,16 pikë përqindje;
  • Taksat Neto mbi produktet kontribuan pozitivisht me + 0,26 pikë përqindje.

Sa i përket ndryshimeve, në krahasim me tremujorin paraardhës, treguesi i Produktit të Brendshëm Bruto vlerësohet me një rritje prej 1,34 %.

Për më shumë klikoni këtu.

Read more