Kjo është një krizë e funksionimit të sistemit demokratik në vend

Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, z. Arben Shkodra,  në një intervistë për Monitor tha se administrata është shpërqendruar nga shërbimet, burokracia është shtuar, bankat po pezullojnë planet për kreditimin. Mungesa e produktivitetit të administratës dhe ulja e ritmeve të aktivitetit të biznesit mund të përkthehet në një krizë fiskale, pasojat së cilës do të kenë efekte në periudha afatgjata, pohon Shkodra.

Kriza politike po jep efekte në ekonomi në disa dimensione, të cilat përkthehen në kosto për biznesin. Një prej tyre janë kostot nga mungesa e shërbimeve publike. Në kohë krizash, administrata publike humb fokusin për të ofruar shërbime. Për pasojë, procedurat burokratike shtohen dhe në shumë raste kontratat shtyhen. Kjo sjellje e administratës krijon humbje të shumëfishta, si në arkat biznesit e më pas në arkën publike, pasi prirja për të paguar dhe për të mbledhur taksat zbehet.

Në kohë krizash, edhe administrata publike bëhet joproduktive. Nuk shkohet përpara me projektet zhvillimore dhe përvoja ka treguar se projektet ekonomike me interes për biznesin shtyhen. Mungesa e eficencës në administratë krijon barriera dhe kosto ekstra që në fund të fundit, kurdoherë janë barrë ndaj biznesit.

Dimensioni tjetër është në sektorin monetar. Bankat pezullojnë planet e kreditimit në periudha të tilla. Konsumatorët pezullojnë konsumin e mallrave me vlerë dhe për rrjedhojë, krijohet mungesë qarkullimi që vë në vështirësi biznesin.

A ka skenarë se mund të përballohet me sa më pak humbje kjo situatë?

Po, ka. Bizneset shqiptare kanë lindur dhe janë rritur në hijen e krizave politike. Kjo nuk është një risi për ne. Nisur nga përvoja, bizneset shqiptare, deri në njëfarë mase, janë imune dhe kanë ndërtuar sisteme menaxhimi të posaçme në këto raste. Në periudha krizash politike, ndryshojnë planet e organizimit dhe të menaxhimit. Bizneset priren të shmangin procedurat me administratën publike dhe në vend të tyre, të përdorin mjete më efikase si më të shpejta për të mbaruar punë, duke shfrytëzuar edhe njohjet personale. Gjithashtu, në këto periudha, bizneset rishikojnë projeksionet, duke kryer shpenzime të domosdoshme dhe aplikojnë strategji për të ruajtur të ardhurat, duke mos tentuar zgjerimin e tyre.

A keni një mesazh për politikën?

Kjo nuk është një krizë politike por një krizë e funksionimit të sistemit demokratik në vend. Në 30 vite tranzicion, Shqipëria nuk ia ka dalë të ndërtojë një sistem ku të qeverisin institucionet dhe tani, pas tri dekadash, ne kemi individë mbi institucionet.

Kriza është më e përshkallëzuar këtë herë pasi, sistemi i drejtësisë nuk është funksional, ka krizë parlamentare dhe ekzekutivë. Më e rënda është kriza e besimit. Shqiptarët kanë humbur besimin te sistemi që kemi ndërtuar këto 30 vite. Tashmë besimi ka rënë, edhe për sistemin arsimor në vend, për shëndetësinë dhe te media si pushtet i katërt. Sistemi politik aktual ka dështuar të japë zgjidhje dhe kjo situatë po shpopullon vendin me shpejtësi. Kjo është më rënda që po i ndodh Shqipërisë. Duke gjykuar nga kjo situatë, mendoj se duhet të krijohet një front i ri politik që të kthejë shpresën te njerëzit dhe të instalojë funksionimin e rendit demokratik në vend.

Read more

Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit, Maj 2019

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin Maj 2019 është 1,6 %.

Rritja më e madhe e çmimeve prej 3,3 %, vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet:

  • “Hotele, kafene dhe restorante”, me 2,1 %;
  • “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,5 %;
  • “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,0 %;
  • “Veshje dhe këpucë” me 0,7 %;
  • “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” dhe “Shërbimi arsimor” me 0,1 % secili.

Nga ana tjetër çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u ulën me 2,4 %, pasuar nga grupet “Transporti” me 0,2 % dhe “Shëndeti” me 0,1 %.

Në muajin Maj 2019, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është -1,4 %.

Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,4 %, pasuar nga grupet:

  • “Veshje dhe këpucë” me 0,5 %;
  • “Shëndeti” me 0,3 %;
  • “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,2 % secili, etj.

Nga ana tjetër çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u rritën me 0,6 %.

Për më shumë shihni statistikat e plota këtu.

Read more

Statistikat e Bujqësisë, 2018

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në vitin 2018, prodhimi i perimeve është 1.166.283 ton, duke shënuar një rritje vjetore rreth 1,25 %, krahasuar me vitin 2017. Niveli më i lartë i prodhimit të perimeve është në qarqet Fier me 418.921 ton, Tiranë me 127.176 ton dhe Berat me 118.687 ton.

Prodhimi i drithërave në vitin 2018 është 678.196 ton, duke shënuar një rënie me 3,35 %, në krahasim me një vit më parë. Niveli më i lartë i prodhimit të drithërave u arrit në qarkun e Fierit me 172.433 ton, pasuar nga qarqet Elbasan me 96.441 ton dhe Korçë me 74.969 ton.

Në vitin 2018, prodhimi i patates është 254.543 ton, duke shënuar një rritje me 1,9 %, në krahasim me vitin 2017. Qarqet që kanë nivelin më të lartë të prodhimit janë, Korça me 66.502 ton, Fieri me 46.128 ton dhe Elbasani me 27.650 ton

Për më shumë klikoni këtu

Read more

Bizneset në status pasiv – Si të paguani tatimin mbi dividentin

Në përgjigje të interesimit të tatimpaguesve mbi teknikat e deklarimit dhe mënyrën e pagesës së tatimit mbi dividentin kur janë në status pasiv, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaron si më poshtë:

Ka dy mënyra deklarimi të shpërndarjes së dividentit – fitimin e mbartur nga periudhat e mëparshme, –  për tatimpaguesin në status pasiv, i cili sipas Ligjit 9920 datë 19.5.2008 i ndryshuar, për këtë periudhë nuk paraqet deklarata periodike tatimore.

  1. Kalimi nga regjistri (statusi) pasiv në regjistrin (statusin) aktiv të administratës tatimore. 
  • Tatimpaguesi riaktivizohet në Qendrën Kombëtare të Biznesit në rast se kërkesa për pezullim është kryer nga vetë tatimpaguesi pranë QKB-së. Pas këtij ndryshimi, statusi i ndryshuar pasqyrohet automatikisht nga sistemi elektronik i QKB-së në sistemin e DPT-së, me datë të vlefshme aktivizimi datën e miratimit të aktivizimit në QKB.
  • Tatimpaguesi riaktivizohet në zyrat e regjistrimit të DRT-ve përkatëse nëpërmjet një kërkese, në rastet kur statusi i tij në pasiv është vendosur nga administrata tatimore. Statusi i ri do të jetë me datë të vlefshme aktivizimi, datën e miratimit të kërkesës së tij.

Pas riaktivizimit me anë të një prej mënyrave të mësipërme, tatimpaguesi deklaron dividentin në deklaratën e Tatimit në Burim, por gjithashtu dorëzon edhe të gjitha deklaratat për periudhën përkatëse, sipas përgjegjësive tatimore për të cilat është regjistruar.

Pas përmbushjes së këtij detyrimi, tatimpaguesi mund të ndryshojë statusin e tij pranë QKB-së, duke u rivendosur përsëri në regjistrin pasiv.

     2. Tatimpaguesi mund të dorëzojë deklaratë të re tatimore, me ndryshime të tatimit në burim për periudhën e fundit aktive.

  • Kjo deklaratë e re mund të dorëzohet nga vetë tatimpaguesi nëse periudha që do të ndryshohet është brenda 36 muajve nga afati i dorëzimit të deklaratës fillestare.
  • Në rastet kur periudha që do të ndryshohet është jashtë 36 muajve nga afati i dorëzimit të deklaratës fillestare, ndryshimi kryhet nga administrata pas kërkesës me shkrim nga tatimpaguesi.

Në zbatim të Ligjit Nr. 9920, datë 19.5.2008 i ndryshuar, neni 67, dorëzimi i një deklarate tatimore të ndryshuar përfshin pagesën e çdo detyrimi tatimor shtesë të deklaruar.

Detyrimi i deklaruar dhe i detyrueshëm për t’u paguar sipas deklaratës së ndryshuar, do të përfshijë përveç principalit edhe kamatëvonesat për periudhën ndërmjet afatit të dorëzimit të deklaratës fillestare dhe datës së dorëzimit të deklaratës tatimore të ndryshuar, për llogaritjen e  të cilave zbatohen dispozitat e këtij ligji.

Read more