info@prodhuesit.org

Ministrja e Ekonomisë dhe Drejtorja e AKU takim me prodhuesit

Etiketimi, siguria ushqimore dhe zbatimi i legjislacionit në praktikë ishin në qendër të takimit të ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, dhe drejtores së AKU-së, Blerina Gjylameti, me prodhuesit e sektorit ushqimor.

Diskutimi u përqendrua te nevoja për rregulla të qarta, procedura transparente dhe informacion të saktë për konsumatorin, me vëmendje të veçantë te lexueshmëria e etiketave, data e prodhimit, afati i përdorimit dhe skadenca.

Prodhuesit theksuan se siguria ushqimore është në fokus të aktivitetit të tyre dhe se investimi në teknologji dhe respektimi i standardeve mbeten thelbësore.

Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”, vuri theksin te rëndësia që bizneset të njohin në kohë legjislacionin dhe rregulloret e reja të BE-së, pasi kërkesat që po hyjnë në fuqi mund të ndikojnë drejtpërdrejt në proceset dhe modelin e tyre të biznesit. Z. Shkodra nënvizoi gjithashtu nevojën që vetë prodhuesit të kërkojnë dhe të mbështesin transparencën.

Takimi konfirmoi rëndësinë e dialogut të drejtpërdrejtë mes institucioneve dhe industrisë për të adresuar problemet konkrete, për të garantuar standarde të qarta dhe për të forcuar sigurinë ushqimore.

Read more

Projektligji në konsultim, Kodi Doganor drejt ndryshimit

Kodi Doganor pritet t’i nënshtrohet një rishikimi të gjerë, që prek procedurat e bizneseve në dogana, ankimet, garancitë, kamatëvonesat, kursin e këmbimit, sanksionet dhe digjitalizimin e shërbimeve.

Projektligji për ndryshimin e ligjit nr. 102/2014, i hedhur për konsultim publik, synon përafrimin e mëtejshëm me Kodin Doganor të Bashkimit Evropian.

Një nga ndryshimet kryesore lidhet me kamatëvonesat për detyrimet doganore të papaguara. Shuma e kamatëvonesës nuk do të mund të tejkalojë vetë vlerën e detyrimit të importit ose eksportit mbi të cilin llogaritet.

Ndryshime parashikohen edhe në procedurën e ankimit. Subjektet do të mund të kundërshtojnë vendimet e Doganave që i prekin drejtpërdrejt. Kur Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është organi më i lartë administrativ, ankimi bëhet brenda 15 ditëve, ndërsa vendimi duhet të merret brenda 30 ditëve.

Për garancitë doganore, projektligji parashikon që Doganat të mund të mos kërkojnë depozitimin e tyre për mallra tregtare me vlerë deri në ekuivalentin e 1,000 eurove ose deri në 1,000 kg peshë neto, si edhe për mallrat jotregtare.

Ndryshon edhe mënyra e përcaktimit të kursit të këmbimit për llogaritjen e vlerës doganore dhe detyrimeve. Referencë do të jetë kursi i Bankës së Shqipërisë i publikuar të mërkurën e parafundit të çdo muaji.

Rishikimi prek edhe sanksionet doganore, të cilat duhet të jenë efektive, proporcionale dhe dekurajuese. Masat mund të përfshijnë gjoba, por edhe pezullimin, ndryshimin ose revokimin e autorizimeve.

Një pjesë e rëndësishme e reformës është digjitalizimi i Doganave, përmes krijimit të “dritares së vetme kombëtare për doganat” dhe zgjerimit të përdorimit të sistemeve elektronike për shkëmbimin dhe ruajtjen e informacionit. Projektligji zgjeron gjithashtu kuadrin për Operatorët Ekonomikë të Autorizuar (AEO), duke hapur mundësinë e njohjes së statusit dhe përfitimeve edhe për operatorë jashtë territorit doganor shqiptar, mbi bazën e reciprocitetit dhe marrëveshjeve përkatëse.

https://konsultimipublik.gov.al/Konsultime/Detaje/1049

Read more

BE kundër punës së detyruar, rregulla të reja për prodhuesit

Nga 14 dhjetori 2027, në tregun e Bashkimit Europian do të ndalohen produktet për të cilat është përdorur punë e detyruar në çdo fazë të prodhimit ose përpunimit. Rregulli do të zbatohet për produktet që tregtohen në BE, pavarësisht origjinës së tyre, si edhe për ato që eksportohen nga BE-ja.

Hetimet do të bazohen te niveli i rrezikut dhe do të marrin në konsideratë, ndër të tjera, seriozitetin e dyshimit, sasinë e produkteve të përfshira dhe zinxhirin e furnizimit.

Rregullorja nuk vendos një detyrim të ri të përgjithshëm për auditim apo raportim për çdo kompani, por autoritetet mund të kërkojnë informacion mbi masat e ndërmarra për identifikimin dhe menaxhimin e rrezikut të punës së detyruar.

Nëse shkelja provohet, produktet mund te ndalohen në tregun e BE-së, të tërhiqen nga qarkullimi dhe, sipas rastit, të riciklohen ose asgjësohen.

Read more

“Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, nisin aplikimet online

Nisin aplikimet online për programin “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”.

Bizneset mund të shprehin interes përmes e-Albania, ndërsa programi parashikon asistencë teknike falas për përgatitjen e planit të biznesit dhe dokumentacionit të aplikimit.

Financimi mund të arrijë deri në 200 milionë lekë për përfitues, me afat shlyerjeje deri në 10 vjet dhe normë interesi 2–3%.

Prodhimi dhe agro-përpunimi janë ndër sektorët prioritarë. Fondet mund të përdoren për makineri dhe modernizim të prodhimit, digjitalizim, standarde e certifikime për eksport dhe eficiencë energjetike.

Shprehjet e interesit mbyllen më 20 nëntor 2027.

https://www.instagram.com/reel/DdbFfiLxJn7/?utm_source=ig_web_copy_link&stkn=MzRlODBiNWFlZA==

Read more

Përpunimi i drurit, mbi 10.5 milionë dollarë eksporte

Gjithçka nis në pyll.

Prej andej, druri hyn në një proces që i ndryshon jo vetëm formën, por edhe vlerën. Në fabrikë përzgjidhet, përpunohet dhe merr trajtën e produktit final.

Punimi i drurit në Shqipëri, ka evoluar në një industri moderne, që sot realizon nga dyert dhe dyshemetë, te kuzhinat, mobiljet dhe arredimet e plota.

Prodhimi nuk mbetet vetëm brenda kufijve.

Në vitin 2024, vetëm kategoria e mobiljeve të tjera prej druri regjistroi mbi 10.5 milionë dollarë eksporte, me rreth 69 mijë njësi të dërguara jashtë vendit.

Brenda kësaj industrie, kompanitë shqiptare kanë ndërtuar profile të ndryshme prodhimi.

FPM TuttoMobili, me mbi 40 mijë metra katrorë ambiente dhe 307 të punësuar, prodhon mobilje që sot arrijnë në 26 vende dhe katër kontinente.

VEKO, e nisur në vitin 1993 si punishte familjare, është zhvilluar drejt përpunimit industrial, me prodhim që përfshin edhe panele prej druri masiv dhe një aktivitet të shtrirë përtej tregut vendas.

Euro-Biçaku ka zgjeruar profilin nga dyert te mobiljet, kuzhinat dhe zgjidhjet e personalizuara, me produkte të pranishme në Itali, Gjermani, Zvicër, Holandë dhe në tregjet e rajonit.

BOLT bashkon prodhimin me projektimin, duke realizuar mobilje të personalizuara dhe arredime të plota për banesa, hotele, restorante, zyra dhe institucione.

Në përpunimin e drurit, “Made in Albania” i jep vazhdimësi një tradite të vjetër, sot të dallueshme për cilësinë.

https://www.instagram.com/reel/DdV83nGB46t/?utm_source=ig_web_copy_link&stkn=MzRlODBiNWFlZA==

Read more

“Inspektimet të jenë këshilluese deri në vitin 2027”

Inspektorati i Përgjithshëm zhvilloi një tryezë dialogu me shoqatat dhe dhomat përfaqësuese të biznesit, në kuadër të reformimit të sistemit të inspektimit dhe ndërtimit të një raporti të ri me sipërmarrjen.

Në fjalën e tij, Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”, theksoi se sfida kryesore është që kjo frymë reformuese të reflektohet edhe te inspektorët në terren, aty ku biznesi përballet drejtpërdrejt me kontrollin dhe zbatimin e ligjit.

Z. Shkodra rikujtoi se përafrimi me legjislacionin e Bashkimit Europian do të sjellë kërkesa më të ndërlikuara, detyrime të reja dhe kosto shtesë për sipërmarrjen.

Në këtë proces, paralajmëroi ai, ekziston rreziku që derregullimi të pasohet nga mbirregullimi, duke shtuar barrën mbi bizneset në një periudhë kur ato duhet të përshtaten me standarde të reja.

Z. Shkodra propozoi që deri në vitin 2027 inspektimet të kenë kryesisht karakter këshillues: të evidentojnë mangësitë, të orientojnë biznesin dhe t’i japin kohën e nevojshme për t’u përshtatur përpara aplikimit të sanksioneve.

Read more