info@prodhuesit.org

tryezat konsultative

Industria joushqimore: Masa për rritjen e konkurrueshmërisë

Shoqata “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë” zhvilloi një tryezë me përfaqësues të industrisë joushqimore, ku u diskutuan faktorët që po rrisin kostot e prodhimit dhe po dobësojnë konkurrueshmërinë e sipërmarrjeve.

Prodhuesit ngritën shqetësime për akcizën e gazit, ndikimin e kursit të këmbimit, taksën e karbonit, çmimin e lartë të energjisë elektrike dhe kostot e transportit. U evidentua gjithashtu barra e taksave vendore, e cila, sipas tyre, nuk përkthehet në shërbime të mjaftueshme nga bashkitë.

Ndër problematikat e tjera u renditën procedurat administrative, doganore dhe tatimore, proceset e pajisjes me leje, mungesa e fuqisë punëtore dhe çështjet që lidhen me mbrojtjen e të dhënave personale të punonjësve.

Përfaqësuesit e industrisë paralajmëruan se kostot e larta po dobësojnë konkurrueshmërinë e sipërmarrjeve, po kontribuojnë në tkurrjen e sektorit dhe po vënë në rrezik qëndrueshmërinë e tyre në treg. Ata kërkuan që shqetësimet e ngritura të trajtohen me masa konkrete nga qeveria dhe institucionet përgjegjëse.

Tryezat me prodhuesit do të zhvillohen rregullisht për të ndjekur çështjet prioritare të sektorit.

https://www.instagram.com/reel/DbAv9WHsxR4/?utm_source=ig_web_copy_link&igsh=MzRlODBiNWFlZA==

Read more

Zhvillohet tryeza e parë sektoriale me përfaqësues të industrisë ushqimore

Shoqata “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë” zhvilloi tryezën e parë sektoriale me përfaqësues të industrisë ushqimore, duke vendosur në qendër sfidat që ndikojnë në zhvillimin dhe konkurrueshmërinë e prodhimit vendas.

Prodhuesit kërkuan uljen e barrës administrative dhe reduktimin e burokracive në dogana dhe institucione të tjera. Ata propozuan gjithashtu marrëveshje me vendet fqinje për lehtësimin e procedurave doganore dhe tregtare.

Një tjetër çështje e ngritur ishte nevoja për më shumë drejtësi fiskale. Sipas prodhuesve, politikat e reja duhet të hartohen në mënyrë që të mos rëndojnë kostot dhe të mos dëmtojnë prodhimin vendas.

Në fokus ishte edhe procesi i përafrimit të legjislacionit me atë të Bashkimit Europian. Prodhuesit kërkuan të konsultohen përpara miratimit të ligjeve, si dhe të informohen e trajnohen mbi standardet dhe detyrimet e reja që rrjedhin nga procesi i integrimit.

Përballë kostove të larta të prodhimit dhe sfidave të integrimit, industria ushqimore kërkon një dialog publik-privat më të fortë, përfshirje reale në vendimmarrje dhe masa konkrete nga qeveria.

https://www.instagram.com/reel/Da2wkz8ukpV/?utm_source=ig_web_copy_link&igsh=MzRlODBiNWFlZA==

Read more