info@prodhuesit.org

Si të korrigjojmë një shtypje gabim të kuponit tatimor

Administrata tatimore kujton se çdo transaksion i kryer gabim nga tatimpaguesi në pajisjen fiskale duhet të vet-deklarohet duke depozituar një kërkesë për korrigjim pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore.

Në rastet kur si rezultat i një gabimi të pavullnetshëm, nga ana e tatimpaguesit, është regjistruar një veprim shitjeje i pa realizuar (gabim) nga ana e tatimpaguesit veprohet si më poshtë:

  • Tatimpaguesi njofton Drejtorinë Tatimore Rajonale ku është i regjistruar, me një procesverbal (i cili klikohet e shkarkohet nga faqja www.tatime.gov.al, në rubrikën Pajisjet Fiskale/Formularë për pajisjet fiskale);
  • DPT do të bëjë reflektimin e këtij gabimi në të dhënat e regjistruara në serverin e raportimeve të shitjeve duke e korrigjuar atë (nëpërmjet pasqyrimit në një kolonë të veçantë)

Kujdes! Subjekti pavarësisht kërkesës për korrigjim do të vazhdojë normalisht raportimin e shitjeve. Shifra e raportuar do të tregojë xhiron reale pas zbritjes së gabimit (korrigjimit/rregullimit) nga ana e DPT-së.

Nëse tatimpaguesi nuk bën kërkesë në drejtorinë rajonale për të korigjuar gabimet në shtypjen e kuponit tatimor atëherë aplikohet dënimi administrativ për mosreflektimin real të situatës financiare dhe lëshim të gabuar të kuponit tatimor.

Administrata Tatimore ka analizuar transaksionet që tatimpaguesit persona fizikë dhe juridikë kryejnë nëpërmjet pajisjeve fiskale ku rezulton se tatimpaguesit kanë shtypur kupona tatimorë me vlera të larta ose kupona tatimorë me vlerë 0.

Në bashkëpunim me Drejtoritë Rajonale Tatimore, po verifikohet numri i tatimpaguesve të cilët kanë reklamuar gabimin e kryer në shtypjen e pajisjeve fiskale ndaj ftojmë tatimpaguesit të respektojnë detyrimin e tyre si më sipër.

Read more

Forumi Ekonomik Shqipëri – Poloni, 6 Dhjetor 2017

Në kuadër të 80-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Polonisë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Poloni, në datë 6 dhjetor 2017, në ambientet e Qendrës së Dhomës së Tregtisë së Polonisë do të zhvillohet Forumi Ekonomik Shqipëri – Poloni me fokus: Investimet, Tregtinë dhe Turizmin, me qëllim nxitjen e investimeve dhe promovimin e produkteve shqiptare, për ato çfarë kërkon tregu polak dhe ato që i ofron atij Shqipëria.

Temat kryesore të forumit do të jenë:

– investimet;

– shkëmbimet tregtare dhe turizmi;

– përpunimi i produkteve bujqësore/ushqimore, teknologjitë e kësaj fushe;

– export/import i produkteve bujqësore;

– produktet e lëkurës dhe këpucëve

– sektori i energjisë (hidrocentralet, energjia diellore, energjia e erës, etj);

– turizmi, know- how, pajisjet për hotelet (dizajn të brendshëm, mobilje, dritare, etj);

– infrastruktura – hekurudhat (rivitalizimi i rrugëve hekurudhore në Shqipëri);

– autostradat, portet, etj, por edhe fusha të tjera, për të cilat ju mendoni se paraqesin dhe keni interes.

Ndërsa ekipi zyrtar do të ketë në fokus informimin dhe promovimin e Shqipërisë para kompanive polake, lidhur me ofertën shqiptare për investime, tregti dhe turizëm, pjesa e biznesit dhe përfaqësuesve të tjerë do ti dedikohet prezantimeve dhe njohjeve konkrete me partnerë dhe homologë të sektorëve specifikë, për të ndarë eksperienca, praktika dhe diskutuar perspektivën e një bashkëpunimi  dhe partneriteti të ri mes atyre bizneseve që kanë interesa dhe kërkesa ndaj/ për tregun polak dhe shqiptar. Pritet që të pranishmit të përshëndeten nga Kryeministrat Shqiptare dhe Polake.

Forumi do të vijojë me takime B2B si dhe do të ketë një hapësirë promovuese me produkte shqiptare, kryesisht ato që janë me interes për tregun polak, si dhe një kënd me materiale informative për fushat e sipërcituara dhe promovimin e turizmit detar, malor, historik kulturor, kulinarisë shqiptare.

Për të gjithë të interesuarit për pjesëmarrje në këtë aktivitet, kontaktoni në adresën info@prodhuesit.org.

Read more

INSTAT: Statistikat për sektorin e blegtorisë

Instituti i Statistikës, bën të ditur se gjatë vitit 2016, numri i gjedhëve në vend shënoi 492.393 krerë, ose 2,3 % më i ulët në krahasim me vitin 2015. Ndërsa u rrit me 2,8% për të njëjtën periudhë, numri i krerëve të të leshtave (dele, dhi).

Sipas INSTAT, në ndaj totalit të tufës së gjedhit dominojnë lopët e qumështit me 72 %. Numri i të leshtave shënoi 1.971.933 krerë .

Kategoria kryesore e të leshtave janë delet e qumështit me 72,4 % ndaj totalit të tufës. Qarqet ku është më i përqendruar mbarështimi i të leshtave është Vlora me 17,3 %, Gjirokastra dhe Fieri me 15 %. Lezha është qarku i cili ka numrin më të vogël të të leshtave, me 1,7 % ndaj totalit të numrit të krerëve në të gjithë vendin.

INSTAT bën të ditur se, në vitin 2016, numri i dhive rezultoi 940.806 krerë, me një rritje vjetore 0,9 %, në krahasim me vitin 2015. Kategoria kryesore janë dhitë e qumështit, me 76 % ndaj totalit të tufës.

Qarqet ku është më i përqëndruar mbarështimi i tyre janë Gjirokastra dhe Elbasani me 15 %, ndërsa Durrësi është qarku i cili ka numrin më të vogël të të dhirtave me 2,3 % ndaj totalit. Në vitin 2016 numri i krerëve të derrave ka qenë 181.024 krerë, duke shënuar një rritje vjetore me 5,6 % në krahasim me vitin 2015. Përqëndrimi më madh i numrit të krerëve është në Lezhë me 36,2 % dhe Shkodër me 27,7 % ndaj totalit të gjithë krerëve.

Qarqet me numrin më të vogël përfaqësues të derrave janë: Vlora dhe Elbasani me 3 %, ndërsa Gjirokastra është qarku më pak përfaqësues me 0,7 %, ndaj totalit të krerëve të derrave në të gjithë vendin.

Në 2016, prodhimi i qumështit është rreth 1.2 milion ton, duke rritur me 1,2 %, në krahasim me vitin 2015. Prodhimi i mishit peshë e gjallë është 160 mijë ton, duke u rritur me 1,27 %, në krahasim me vitin 2015.

Read more

Forumi i Parë i Përbashkët Ekonomik “Asistenca për qytetarët, Bujqësia Sociale dhe Agrobiznesi”

Instituti Kombëtar Italian i Asistencës për Qytetarët “INAC”, Federata Italiane e Bujqësisë, “CIA, Këshilli Agrobiznesit Shqiptar “KASH” që është njëkohësisht dhe anëtar i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptar, në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor Tiranë (UBT) dhe me disa shoqata simotra të KASH, sot më datë 23 nëntor 2017, në ambientet e Hotel Tirana International, po zhvillojnë Forumin e Parë të Përbashkët Ekonomik me temë “Asistenca për qytetarët, Bujqësia Sociale dhe Agrobiznesi”.

Shërbimi ndaj qytetarit, Bujqësia Sociale dhe Agrobiznesi, bashkëpunim e bashkërendim më të mirë të punës dhe veprimtarive të organizatave jofitimprurëse, të komunitetit të biznesit dhe agrobiznesit, të projekteve të ndihmës dhe organeve shtetërore midis Shqipërisë dhe Italisë është objekti i këtij takimi.

Qëllimi takimit:

  • Koordinimi dhe përmirësimi i veprimtarisë sonë veçanërisht në ndihmë të asaj pjese të qytetarëve shqiptarë, të biznesit dhe agrobiznesit, që punojnë e banojnë në Itali dhe atyre italiane, që punojnë e banojnë në Shqipëri;
  • Vendosja e një bashkëpunimi efiçent midis forumit tonë me platformën e portalit të ri për bashkëqeverisje në Shqipëri;
  • Zhvillimi dhe mbështetja e inisiativës së promovuar në takimin e Brukselit të datës 11 korrik 2017, për “Zhvillimin e Bujqësisë Sociale dhe Agrobiznesit në disa vende të Mesdheut dhe Europës Juglindore” ose Projekti (EURO+MED).
Read more

Prodhimet bujqësore: Fieri, Tirana dhe Berati prodhojnë më shumë perime

Prodhimi vendas i perimeve të freskëta, u rrit me 9.6% gjatë vitit 2016, kundrejt një viti më parë, sipas raportit të  Institutit të Statistikave (INSTAT).

Sipas INSTAT, niveli më i lartë i prodhimit të perimeve është në qarqet Fier me 373.406 ton, Tiranë me 121.661 ton dhe Berat me 120.105 ton.

Prodhimi i drithërave, në vitin 2016, është 698.400 ton, duke shënuar një rritje me 0,4 %, në krahasim me një vit më parë. Niveli më i lartë i prodhimit të drithërave u arrit në qarkun e Fierit me 156.530 ton, e pasuar nga qarqet Elbasan me 98.535 ton dhe Korçës me 88.451 ton.

Ndërsa në grupin e perimeve peshën më të madhe e zënë perimet e njoma me 65,5 %, të pasuara nga bostanoret me 24,5 % dhe perimet e thata me 10,0 %.

Sipas INSTAT, numri i rrënjëve të pemëve frutore në prodhim në vitin 2016 është 10.575.000, duke pësuar një rritje me 3,8 %, në krahasim me vitin 2015.

Instituti i Statistikave bën të ditur se, numri i rrënjëve të ullinjve në prodhim në vitin 2016 është 6.643.000 dhe ka pësuar një rritje 4,9 %, në krahasim me vitin 2015. Numri i rrënjëve të agrumeve në prodhim në vitin 2016 është 1.044.000, duke shënuar një rritje 9,8 %, në krahasim me vitin 2015.

Ndërsa sipërfaqja e vreshtave në prodhim është 10, 011 ha, duke pësuar një rritje me 1,2 %, në krahasim me vitin 2015. Prodhimi i pemëve frutore në vitin 2016 është 261.754 ton dhe u karakterizua nga një rritje prej 7,6 %, krahasuar me 2015. Në vitin 2016 u prodhuan 99.075 ton ullinj duke pësuar një rritje 3,2 %, krahasuar me një vit më parë.

Prodhimi i agrumeve në vitin 2016 është 40.000 ton, duke shënuar një rritje prej 33,3 %, krahasuar me një vit më parë. Niveli më i lartë i prodhimit të agrumeve u arrit në qarkun e Vlorës me 23.379 ton, sipas INSTAT.

Read more

19-20 prill 2018, “Konkursi Ndërkombëtar i Verës” i Monde Selection Bruksel

“Konkursi Ndërkombëtar i Verës” i Monde Selection, qe do të zhvillohet në 19-20 prill në Bruksel, njihet nga Bashkimi Evropian dhe organizohet nën kontrollin e Menaxhimit të Përgjithshëm, Kontrollit dhe Ndërmjetësimit të Shërbimit Federal të Ekonomisë Publike.

Gara ndërkombëtare e verës e Selection Monde është e vetmja në Belgjikë që përfiton nga përkrahja e lartë e Organizatës Ndërkombëtare të Vreshtit dhe Verës (O.I.V.) dhe është e organizuar sipas rregullave të saj.

Në këtë aktivitet pjesëmarrja është e hapur për të gjithë prodhuesit e verës, tregtarët, kultivuesit e verës, shpërndarësit, eksportuesit, importuesit nga të gjitha shtetet, të cilët duan t’i japin një shans vetes dhe produktit të tyre për të qënë konkurues me market më të mira në treg.

Për Konkursin Ndërkombëtar të Verës, Monde Selection zbaton rregullat ndërkombëtare në mënyrë rigoroze në lidhje me organizimin e këtij konkursi. Dosjet e secilit produkt pjesëmarrës, duke përfshirë analizat laboratorike, kontrollohen përpara konkursit nga Ekonomia Federale e Shërbimit Publik, (Menaxhimi i Përgjithshëm i Kontrollit dhe Ndërmjetësimit) dhe juritë e ndryshme, të përbërë nga ekspertë ndërkombëtarë.

Secili anëtar i jurisë do të shijojë verbërisht produktet e paraqitura atyre nga varieteti dhe origjina e rrushit dhe secila do të plotësojë individualisht një fletë provash në përputhje me atë të OIV dhe UIOE (Bashkimi Ndërkombëtar i Oenologëve).

Në varësi të pikëve mesatare të dhëna nga secili prej ekspertëve, do të dallohen dhe produktet më rezultate më të larta, të cilat do të vlerësohen me një medalje bronzi, një medalje të argjendtë, një medalje ari ose një medalje të artë të madhe, në bazë të rregullores së aplikueshme për konkurset e verës në Evropë.

Për të qënë pjesë e eventit dhe për më shumë informacion klikoni linkun: http://www.monde-selection.com/en/Products/Wine_Contest/International_Wine_Contest.asp

Read more

Deklarimi për regjimin e përpunimit aktiv (fason) dhe kriteret e statusit “eksportues me risk zero”

Lidhur me rubrikën e deklarimit të TVSH-së për subjektet që i nënshtrohen regjimit të përpunimit aktiv Administrata Tatimore sqaron se: 

Bazuar në Ligjin nr.92/2014, datë 24.07.2014 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, neni 57 “Eksportet”, pika “ç” dhe Udhëzimin Nr.6 datë 30.01.2015 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, neni 48 është përcaktuar krahas të tjerave se, konsiderohen furnizime me shkallë zero të TVSH-së transaksionet e eksportit që kanë të bëjnë me furnizimin e shërbimeve që konsistojnë në punime mbi mallra të luajtshme të importuara për t’u bërë atyre punime në Republikën e Shqipërisë dhe të dërguara apo të transportuara sërish jashtë Republikës së Shqipërisë nga furnizuesi i shërbimit apo nga destinuesi i shërbimeve, të cilët nuk janë vendosur në territorin e Republikës së Shqipërisë ose për llogari të tyre. 

Përpunuesi asnjëherë nuk duhet të bëhet pronar i materialeve të sjella nga porositësi sepse importet e kryera (materiale, lëndë e parë, mallra gjysëm të gatshme) janë importe të natyrës jo tregtare, të cilat rieksportohen në fomën e gjysmëproduktit ose produktit të gatshëm, të shoqëruara me faturë për punën e kryer e cila i bashkëngjitet deklaratës doganore të ri-eksportit të këtyre mallrave dhe kjo faturë deklarohet në librat e shitjes në rubrikën “furnizime me shkallë 0%”.

Për sa i përket përfitimit të statusit të eksportuesit me risk zero të shoqërive fason, këto të fundit duhet plotësojnë njëkohësisht kriteret e mëposhtme:

  • Vlera e eksporteve të kryera në periudhën/at tatimore, për të cilën/at kërkohet rimbursim, është më shumë se 70% e vlerës së përgjithshme të shitjeve, përfshirë eksportet
  • Kanë aktivitet eksportues mbi 1vit;
  • Paraqesin si dokument prove të kryerjes së eksportit deklaratën doganore të eksportit, lëshuar sipas legjislacionit doganor në Republikën e Shqipërisë;
  • Nuk kanë detyrime të papaguara të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Read more

31 dhjetor 2017, afati i fundit i kryerjes së pagesave të detyrimit principal të papaguar

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar elektronikisht në sistemin E-Filing 365 tatimpagues, të cilët përfitojnë nga raundi i fundit i zbatimit të Ligjit të Faljes.

Administrata Tatimore rikujton se data 31 dhjetor 2017 është afati i fundit i kryerjes së pagesave të detyrimit principal të papaguar në mënyrë që këta tatimpagues të përfitojnë jo vetëm fshirjen e gjobave dhe interesave të regjistruara deri në datën e hyrjes së ligjit në fuqi, por njëkohësisht dhe heqjen e çdo mase administrative të ndërmarrë kundrejt tyre për mbledhjen e detyrimit me forcë.

Administrata Tatimore i bën thirrje të gjithë tatimpaguesve, të cilët kanë detyrime principali të papaguara për periudhën 2011-2014, të kryejnë sa më parë pagesën e këtij principali për të përfituar fshirjen/shuarjen e të gjithë detyrimeve të tjera për gjoba dhe interesa të papaguara.

Kujtojmë se tatimpaguesit mund të konsultohen me legjislacionin tatimor lidhur me detyrimet që përjashtohen nga falja në Udhëzimin e Ministrisë së Financave i cili gjëndet i publikuar në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në rubrikën e Legjislacionit Tatimor link-u i mëposhtëm:

https://www.tatime.gov.al/c/6/69/procedurat-tatimore

Read more

Tregtia e Jashtme, Tetor 2017

Në Tetor 2017 eksportet e mallrave arritën vlerën 25 mld lekë, duke u rritur me 14,2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 2,8 %, në krahasim me Shtator 2017. Importet e mallrave në Tetor 2017 arritën vlerën 57 mld lekë, duke u rritur me 14,8 %, në krahasim me një vit më parë dhe me 7,2 %, në krahasim me Shtator 2017.

Deficiti tregtar i këtij muaji është 32 mld lekë, duke u rritur me 15,2 %, krahasuar me Tetor 2016 dhe duke u ulur me 10,7 %, në krahasim me Shtator 2017.

Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të eksporteve

Rritja vjetore e eksporteve prej 14,2 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet:

  • “Tekstile dhe këpucë” me +5,5 pikë përqindje;
  • “Materiale ndërtimi dhe metale” me +4,9 pikë përqindje;
  • “Makineri, paisje dhe pjesë këmbimi” me +1,5 pikë përqindje.

Grupi që ka ndikuar negativisht në ndryshimin vjetor të eksporteve, është: “Produkte kimike dhe plastike” me -0,2 pikë përqindje.

Eksportet, gjatë këtij dhjetëmujori janë rritur me 13,4 %, krahasuar me një vit më parë. Si dhjetëmujor të gjitha grupet kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, ku ndikimin më të madh e kanë patur: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +5,1 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me +4,3 pikë përqindje, “Ushqim, pije, duhan” me +1,8 pikë përqindje.

Për të dhënat zyrtare të importeve të mallrave në Tetor 2017 shihni këtu

Read more