Në një dalje në A2CNN, përballë Ministrit të Financave Petrit Malaj, Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”, propozoi ngritjen e një Instituti të Politikave Ekonomike, që do të ndihmonte në analizë, parashikim dhe orientim më të qartë të reformave. Z. Shkodra theksoi se ky është një moment historik për ekonominë shqiptare, ku biznesi duhet të ndërgjegjësohet për standardet e reja që sjell integrimi në BE.
Sipas tij, mënyra si është bërë biznes deri më sot nuk është më e mjaftueshme — transformimi i brendshëm, nga menaxhimi financiar te raporti me tregun dhe punonjësit, është kyç për të përballuar kërkesat e tregut europian. Në të njëjtën linjë, u nënvizua edhe nevoja për analiza më të thelluara, për të orientuar zhvillimin drejt sektorëve ku Shqipëria ka avantazh real konkurrues.




