info@prodhuesit.org

Lajme

Inflacioni në eurozonë shton presionin mbi prodhuesit shqiptarë

Rritja e inflacionit në ekonomitë kryesore të eurozonës paralajmëron presion të shtuar për prodhuesit shqiptarë.

Sipas analizës së Reuters të 30 shtatorit 2026, inflacioni u përshpejtua në shtator në disa prej ekonomive kryesore të eurozonës: në Gjermani arriti 3,3%, nga 2,9% në gusht, në Francë 3,4%, nga 2,6%, dhe në Itali 4,1%, nga 3,2%. Reuters e lidh përshpejtimin kryesisht me shtrenjtimin e energjisë.

Në Shqipëri, inflacioni vjetor ishte 3,2% në gusht, kundrejt 3,4% në korrik (të dhënat shqiptare për shtatorin ende nuk janë publikuar). Kjo tregon ngadalësim të ritmit ndaj muajit paraardhës, por jo ulje të nivelit të çmimeve.

Për prodhuesit shqiptarë, shqetësimi kryesor është rritja e mundshme e kostove në një treg që mund të përballojë më vështirë çmime më të larta. Shtrenjtimi i energjisë mund të transmetohet te materialet dhe transporti i importuar, ndërsa presioni mbi buxhetet e klientëve evropianë mund të frenojë porositë.

Më të ekspozuara janë ndërmarrjet që varen nga energjia dhe inputet e importuara, eksportojnë në eurozonë dhe kanë kontrata shitjeje me çmime fikse.

Read more

Ministrja e Ekonomisë dhe Drejtorja e AKU takim me prodhuesit

Etiketimi, siguria ushqimore dhe zbatimi i legjislacionit në praktikë ishin në qendër të takimit të ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, dhe drejtores së AKU-së, Blerina Gjylameti, me prodhuesit e sektorit ushqimor.

Diskutimi u përqendrua te nevoja për rregulla të qarta, procedura transparente dhe informacion të saktë për konsumatorin, me vëmendje të veçantë te lexueshmëria e etiketave, data e prodhimit, afati i përdorimit dhe skadenca.

Prodhuesit theksuan se siguria ushqimore është në fokus të aktivitetit të tyre dhe se investimi në teknologji dhe respektimi i standardeve mbeten thelbësore.

Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”, vuri theksin te rëndësia që bizneset të njohin në kohë legjislacionin dhe rregulloret e reja të BE-së, pasi kërkesat që po hyjnë në fuqi mund të ndikojnë drejtpërdrejt në proceset dhe modelin e tyre të biznesit. Z. Shkodra nënvizoi gjithashtu nevojën që vetë prodhuesit të kërkojnë dhe të mbështesin transparencën.

Takimi konfirmoi rëndësinë e dialogut të drejtpërdrejtë mes institucioneve dhe industrisë për të adresuar problemet konkrete, për të garantuar standarde të qarta dhe për të forcuar sigurinë ushqimore.

Read more

BE kundër punës së detyruar, rregulla të reja për prodhuesit

Nga 14 dhjetori 2027, në tregun e Bashkimit Europian do të ndalohen produktet për të cilat është përdorur punë e detyruar në çdo fazë të prodhimit ose përpunimit. Rregulli do të zbatohet për produktet që tregtohen në BE, pavarësisht origjinës së tyre, si edhe për ato që eksportohen nga BE-ja.

Hetimet do të bazohen te niveli i rrezikut dhe do të marrin në konsideratë, ndër të tjera, seriozitetin e dyshimit, sasinë e produkteve të përfshira dhe zinxhirin e furnizimit.

Rregullorja nuk vendos një detyrim të ri të përgjithshëm për auditim apo raportim për çdo kompani, por autoritetet mund të kërkojnë informacion mbi masat e ndërmarra për identifikimin dhe menaxhimin e rrezikut të punës së detyruar.

Nëse shkelja provohet, produktet mund te ndalohen në tregun e BE-së, të tërhiqen nga qarkullimi dhe, sipas rastit, të riciklohen ose asgjësohen.

Read more

“Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, nisin aplikimet online

Nisin aplikimet online për programin “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”.

Bizneset mund të shprehin interes përmes e-Albania, ndërsa programi parashikon asistencë teknike falas për përgatitjen e planit të biznesit dhe dokumentacionit të aplikimit.

Financimi mund të arrijë deri në 200 milionë lekë për përfitues, me afat shlyerjeje deri në 10 vjet dhe normë interesi 2–3%.

Prodhimi dhe agro-përpunimi janë ndër sektorët prioritarë. Fondet mund të përdoren për makineri dhe modernizim të prodhimit, digjitalizim, standarde e certifikime për eksport dhe eficiencë energjetike.

Shprehjet e interesit mbyllen më 20 nëntor 2027.

https://www.instagram.com/reel/DdbFfiLxJn7/?utm_source=ig_web_copy_link&stkn=MzRlODBiNWFlZA==

Read more

“Inspektimet të jenë këshilluese deri në vitin 2027”

Inspektorati i Përgjithshëm zhvilloi një tryezë dialogu me shoqatat dhe dhomat përfaqësuese të biznesit, në kuadër të reformimit të sistemit të inspektimit dhe ndërtimit të një raporti të ri me sipërmarrjen.

Në fjalën e tij, Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”, theksoi se sfida kryesore është që kjo frymë reformuese të reflektohet edhe te inspektorët në terren, aty ku biznesi përballet drejtpërdrejt me kontrollin dhe zbatimin e ligjit.

Z. Shkodra rikujtoi se përafrimi me legjislacionin e Bashkimit Europian do të sjellë kërkesa më të ndërlikuara, detyrime të reja dhe kosto shtesë për sipërmarrjen.

Në këtë proces, paralajmëroi ai, ekziston rreziku që derregullimi të pasohet nga mbirregullimi, duke shtuar barrën mbi bizneset në një periudhë kur ato duhet të përshtaten me standarde të reja.

Z. Shkodra propozoi që deri në vitin 2027 inspektimet të kenë kryesisht karakter këshillues: të evidentojnë mangësitë, të orientojnë biznesin dhe t’i japin kohën e nevojshme për t’u përshtatur përpara aplikimit të sanksioneve.

Read more

Shqipëria rrezikon të hyjë në tregun e BE pa një model të qartë ekonomik!

“Shqipëria rrezikon të hyjë në tregun e përbashkët europian pa një model të qartë ekonomik dhe pa përcaktuar sektorët që do të udhëheqin zhvillimin e vendit.”

Në një intervistë për emisionin “A2 Business” në A2 CNN, me gazetaren Aurora Sulçe, Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”, Arben Shkodra, theksoi nevojën për hartimin e një strategjie kombëtare për konkurrueshmërinë, e cila do të mund të orientojë biznesin shqiptar në procesin e integrimit europian.

Sipas tij, pragmatizmi, aftësia për t’u përshtatur dhe shpirti sipërmarrës janë ndër pikat e forta të biznesit shqiptar. Megjithatë, modernizimi i mënyrës së të bërit biznes, forcimi i bashkëpunimit dhe mbështetja e industrisë prodhuese janë të domosdoshme.

Z. Shkodra nënvizoi se, pavarësisht qëndrueshmërisë dhe aftësisë për t’u përshtatur që ka dëshmuar ndër vite, biznesi prodhues nuk e ka pasur vëmendjen dhe mbështetjen e shtetit.

Read more

Industria joushqimore: Masa për rritjen e konkurrueshmërisë

Shoqata “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë” zhvilloi një tryezë me përfaqësues të industrisë joushqimore, ku u diskutuan faktorët që po rrisin kostot e prodhimit dhe po dobësojnë konkurrueshmërinë e sipërmarrjeve.

Prodhuesit ngritën shqetësime për akcizën e gazit, ndikimin e kursit të këmbimit, taksën e karbonit, çmimin e lartë të energjisë elektrike dhe kostot e transportit. U evidentua gjithashtu barra e taksave vendore, e cila, sipas tyre, nuk përkthehet në shërbime të mjaftueshme nga bashkitë.

Ndër problematikat e tjera u renditën procedurat administrative, doganore dhe tatimore, proceset e pajisjes me leje, mungesa e fuqisë punëtore dhe çështjet që lidhen me mbrojtjen e të dhënave personale të punonjësve.

Përfaqësuesit e industrisë paralajmëruan se kostot e larta po dobësojnë konkurrueshmërinë e sipërmarrjeve, po kontribuojnë në tkurrjen e sektorit dhe po vënë në rrezik qëndrueshmërinë e tyre në treg. Ata kërkuan që shqetësimet e ngritura të trajtohen me masa konkrete nga qeveria dhe institucionet përgjegjëse.

Tryezat me prodhuesit do të zhvillohen rregullisht për të ndjekur çështjet prioritare të sektorit.

https://www.instagram.com/reel/DbAv9WHsxR4/?utm_source=ig_web_copy_link&igsh=MzRlODBiNWFlZA==

Read more

Zhvillohet tryeza e parë sektoriale me përfaqësues të industrisë ushqimore

Shoqata “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë” zhvilloi tryezën e parë sektoriale me përfaqësues të industrisë ushqimore, duke vendosur në qendër sfidat që ndikojnë në zhvillimin dhe konkurrueshmërinë e prodhimit vendas.

Prodhuesit kërkuan uljen e barrës administrative dhe reduktimin e burokracive në dogana dhe institucione të tjera. Ata propozuan gjithashtu marrëveshje me vendet fqinje për lehtësimin e procedurave doganore dhe tregtare.

Një tjetër çështje e ngritur ishte nevoja për më shumë drejtësi fiskale. Sipas prodhuesve, politikat e reja duhet të hartohen në mënyrë që të mos rëndojnë kostot dhe të mos dëmtojnë prodhimin vendas.

Në fokus ishte edhe procesi i përafrimit të legjislacionit me atë të Bashkimit Europian. Prodhuesit kërkuan të konsultohen përpara miratimit të ligjeve, si dhe të informohen e trajnohen mbi standardet dhe detyrimet e reja që rrjedhin nga procesi i integrimit.

Përballë kostove të larta të prodhimit dhe sfidave të integrimit, industria ushqimore kërkon një dialog publik-privat më të fortë, përfshirje reale në vendimmarrje dhe masa konkrete nga qeveria.

https://www.instagram.com/reel/Da2wkz8ukpV/?utm_source=ig_web_copy_link&igsh=MzRlODBiNWFlZA==

Read more

“Kostoja për BE mund të nxjerrë nga tregu një pjesë të prodhuesve”

Intervista e Ilda Baraj, anëtare e Shoqatës së Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, dhënë për revistën “Monitor”

Përballja me kërkesat e reja për procesin e integrimit të Bashkimit Europian ka nisur edhe për prodhuesit e materialeve të ndërtimit. Ilda Baraj, anëtare e Shoqatës së Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, thotë se kompanitë e sektorit po përgatiten për investime të konsiderueshme në teknologji, mbrojtje të mjedisit dhe përmbushje të standardeve teknike.

Znj. Baraj thekson se në këtë periudhë tranzicioni, deri në anëtarësimin e Shqipërisë në BE, kostot e transformimit do të përballohen kryesisht nga vetë bizneset. Për shkak të vështirësive financiare, për rrjedhojë sipas saj pritet që një pjesë e kompanive të mos arrijnë të mbijetojnë dhe të falimentojnë.

Sa të përgatitura janë kompanitë prodhuese të materialeve të ndërtimit, por edhe ato zhvilluese, për përmbushjen e standardeve të BE-së?

Kompanitë e mëdha prodhuese të materialeve të ndërtimit, që prej vitesh operojnë në treg, kanë nisur të marrin masa për përafrimin me standardet e BE-së. Kjo ka filluar me investime inovative në mbrojtje të mjedisit dhe komunitetit. Shembull për këtë është kompania e prodhimit të tullave K.I.D Alb sh.p.k., e cila ka ndërmarrë investime inovative.

Edhe fabrikat e prodhimit të çimentos kanë realizuar investime për ndryshimin e teknologjisë, me qëllim që të jenë më miqësore me mjedisin.

Disa kompani janë në proces përshtatjeje me standardet e BE-së. Por, nga ana tjetër, një pjesë e konsiderueshme e kompanive, për shkak të mungesës së kapaciteteve financiare dhe njerëzore, janë ende larg përmbushjes së këtyre standardeve.

A jeni në dijeni të të dhënave konkrete për sektorin?

Ende nuk ka nisur një monitorim i plotë i kompanive për kontrollin e përmbushjes së standardeve. Megjithatë, bizneset tashmë kanë udhëzimet dhe një busull orientuese se cilave standarde duhet t’u referohen.

Prej 5 vitesh, që kur nisi diskutimi për investimet në teknologji për reduktimin e emetimeve të lëndëve djegëse të dëmshme për mjedisin, kompania e prodhimit të tullave K.I.D Alb ka përmirësuar sistemet e filtrimit dhe teknologjinë prodhuese.

Edhe kompani të tjera serioze, përfshirë prodhuesit e çimentos, e kanë nisur tashmë këtë proces.

Megjithatë, prodhuesve u është ngarkuar ndër vite një barrë fiskale e lartë krahasuar me prodhuesit e materialeve të ndërtimit në rajon, duke sjellë rritje të kostove të prodhimit. Gjithashtu mungojnë lehtësitë për promovimin e produkteve shqiptare.

A arrin biznesi ta përballojë financiarisht koston e transformimit?

Deri tani, 90% e bizneseve prodhuese anëtare të Shoqatës së Bashkimit të Prodhuesve e kanë përballuar vetë koston e investimeve për transformimin e teknologjisë dhe përmirësimin e standardeve. Investimet janë mbështetur nëpërmjet financimit bankar, ose me burimet e vetë kompanive.

Duhet pranuar se Ministria e Mjedisit ka qenë shumë e pranishme vitet e fundit në dhënien e direktivave, udhëzimeve dhe monitorimin e emetimeve të lëndëve të dëmshme, por kostoja është përballuar vetëm nga bizneset.

Nga ana tjetër, jo të gjitha kompanitë prodhuese mund ta përballojnë këtë kosto. Edhe në vendet që janë anëtarësuar në BE para Shqipërisë ka ndodhur që shumë biznese të mos arrijnë ta përballojnë këtë proces.

Tregu europian është një mundësi për kompanitë, por për të mbijetuar, ato duhet të jenë efikase. Kompanitë shqiptare nuk kanë avantazhe të mjaftueshme konkurruese.

Së pari, tregu i brendshëm është i vogël. Së dyti, mungojnë politikat mbështetëse për industrinë prodhuese. Industria prodhuese shpesh shihet si kosto për ekonominë dhe jo si sektor që krijon vlerë të shtuar.

Në shumë raste, në Itali, prodhuesit e tullave e kanë koston e energjisë më të ulët se ne, pasi konsiderohen industri parësore dhe paguajnë tarifa më të favorshme sesa konsumatorët e zakonshëm.

Në Shqipëri, situata është paradoksale. Një qytetar paguan rreth një të tretën e çmimit për 1 kwh energji krahasuar me çmimin që paguan një prodhues.

Disavantazh për eksportuesit mbetet edhe zhvlerësimi i Euros, i cili e bën garën më të pabarabartë. Në tërësi, eksportet kanë shënuar rënie për shkak të humbjeve të shkaktuara nga zhvlerësimi i monedhës europiane.

Duke marrë shkas nga kjo situatë, me hapjen e tregut europian në vend do të vërshojnë produktet e importit.

A do të rritet konkurrueshmëria me hapjen e tregut për eksportet?

Nëse bizneset shqiptare arrijnë të qëndrojnë të forta deri në hapjen e plotë të tregut europian, konkurrueshmëria e tyre do të rritet. Paralelisht, ndikim pozitiv do të kishte edhe hyrja në Eurozonë, pra përdorimi i një monedhe të përbashkët.

Megjithatë, prodhuesit shqiptarë mbartin prej vitesh një barrë financiare, ndërsa kapacitetet prodhuese mbeten të kufizuara. Kjo lidhet edhe me mënyrën si u zhvillua nisma e lirë pas viteve ’90, ndërkohë që vendet e tjera e kanë nisur industrializimin dhe konsolidimin e sektorëve prodhues shumë më herët.

Përfshirja në një treg të përbashkët nuk përbën shqetësim, pasi do të sjellë rregulla të njëjta për të gjitha kompanitë.

Shqetësuese mbetet periudha e tranzicionit, pasi deri në anëtarësimin e Shqipërisë në BE, kostot e transformimit të industrisë prodhuese do të përballohen kryesisht nga vetë bizneset. Gjatë kësaj periudhe, për shkak të vështirësive financiare, pritet që një pjesë e kompanive të mos arrijnë të mbijetojnë dhe të falimentojnë.

Atëherë, në këtë situatë, si mund të ndihmohen prodhuesit vendas nga institucionet shtetërore? Çfarë kërkoni ju prej tyre?

Në takimet e zhvilluara me institucionet shqiptare, një nga përparësitë ka qenë promovimi i markës “Made in Albania”. Kjo është një nismë pozitive, nëse do të përdoret siç duhet për të promovuar bizneset shqiptare që prodhojnë produkte konkurruese për tregun europian.

Po ashtu, biznesi ka shumë nevojë të operojë në një mjedis me rregulla të barabarta loje. Siç e theksova edhe më lart, kostot e prodhimit në Shqipëri janë më të larta sesa për një prodhues në Serbi, Bosnjë-Hercegovinë apo vende të tjera të rajonit, kryesisht për shkak të kostos më të lartë të energjisë, karburanteve dhe lëndëve të tjera djegëse.

Përveç kostove të larta të energjisë, një tjetër disavantazh janë taksat e larta, si TVSH-ja, tatimi në burim, akcizat dhe mungesa e politikave fiskale në mbështetje të prodhimit vendas.

Politika fiskale për akcizën e lëndëve djegëse duhet të rishikohet. Është e nevojshme të ulet akciza për naftën, gazin dhe burimet e tjera të energjisë që përdoren nga industria prodhuese, në mënyrë që bizneset shqiptare të përmirësojnë konkurrueshmërinë e tyre në tregjet rajonale dhe europiane.

Read more

“Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, skema e re e financimit nis në korrik

“Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” është skema e re e financimit që synon të lehtësojë aksesin në kredi për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në Shqipëri.

Programi parashikon një linjë likuiditeti prej 25 miliardë lekësh nga Banka e Shqipërisë, të mbështetur edhe nga një fond garancie sovrane prej rreth 3 miliardë lekësh nga qeveria.

Bizneset përfituese mund të kenë akses në kredi me interes deri në 3% dhe garanci sovrane deri në 70%, për investime në teknologji, digjitalizim, standarde dhe rritjen e konkurrueshmërisë drejt tregut europian.

Read more