info@prodhuesit.org

Blog

Projektligji në konsultim, Kodi Doganor drejt ndryshimit

Kodi Doganor pritet t’i nënshtrohet një rishikimi të gjerë, që prek procedurat e bizneseve në dogana, ankimet, garancitë, kamatëvonesat, kursin e këmbimit, sanksionet dhe digjitalizimin e shërbimeve.

Projektligji për ndryshimin e ligjit nr. 102/2014, i hedhur për konsultim publik, synon përafrimin e mëtejshëm me Kodin Doganor të Bashkimit Evropian.

Një nga ndryshimet kryesore lidhet me kamatëvonesat për detyrimet doganore të papaguara. Shuma e kamatëvonesës nuk do të mund të tejkalojë vetë vlerën e detyrimit të importit ose eksportit mbi të cilin llogaritet.

Ndryshime parashikohen edhe në procedurën e ankimit. Subjektet do të mund të kundërshtojnë vendimet e Doganave që i prekin drejtpërdrejt. Kur Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është organi më i lartë administrativ, ankimi bëhet brenda 15 ditëve, ndërsa vendimi duhet të merret brenda 30 ditëve.

Për garancitë doganore, projektligji parashikon që Doganat të mund të mos kërkojnë depozitimin e tyre për mallra tregtare me vlerë deri në ekuivalentin e 1,000 eurove ose deri në 1,000 kg peshë neto, si edhe për mallrat jotregtare.

Ndryshon edhe mënyra e përcaktimit të kursit të këmbimit për llogaritjen e vlerës doganore dhe detyrimeve. Referencë do të jetë kursi i Bankës së Shqipërisë i publikuar të mërkurën e parafundit të çdo muaji.

Rishikimi prek edhe sanksionet doganore, të cilat duhet të jenë efektive, proporcionale dhe dekurajuese. Masat mund të përfshijnë gjoba, por edhe pezullimin, ndryshimin ose revokimin e autorizimeve.

Një pjesë e rëndësishme e reformës është digjitalizimi i Doganave, përmes krijimit të “dritares së vetme kombëtare për doganat” dhe zgjerimit të përdorimit të sistemeve elektronike për shkëmbimin dhe ruajtjen e informacionit. Projektligji zgjeron gjithashtu kuadrin për Operatorët Ekonomikë të Autorizuar (AEO), duke hapur mundësinë e njohjes së statusit dhe përfitimeve edhe për operatorë jashtë territorit doganor shqiptar, mbi bazën e reciprocitetit dhe marrëveshjeve përkatëse.

https://konsultimipublik.gov.al/Konsultime/Detaje/1049