Etiketimi, siguria ushqimore dhe zbatimi i legjislacionit në praktikë ishin në qendër të takimit të ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, dhe drejtores së AKU-së, Blerina Gjylameti, me prodhuesit e sektorit ushqimor.
Diskutimi u përqendrua te nevoja për rregulla të qarta, procedura transparente dhe informacion të saktë për konsumatorin, me vëmendje të veçantë te lexueshmëria e etiketave, data e prodhimit, afati i përdorimit dhe skadenca.
Prodhuesit theksuan se siguria ushqimore është në fokus të aktivitetit të tyre dhe se investimi në teknologji dhe respektimi i standardeve mbeten thelbësore.
Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”, vuri theksin te rëndësia që bizneset të njohin në kohë legjislacionin dhe rregulloret e reja të BE-së, pasi kërkesat që po hyjnë në fuqi mund të ndikojnë drejtpërdrejt në proceset dhe modelin e tyre të biznesit. Z. Shkodra nënvizoi gjithashtu nevojën që vetë prodhuesit të kërkojnë dhe të mbështesin transparencën.
Takimi konfirmoi rëndësinë e dialogut të drejtpërdrejtë mes institucioneve dhe industrisë për të adresuar problemet konkrete, për të garantuar standarde të qarta dhe për të forcuar sigurinë ushqimore.




