Rishikimi i afateve dhe zbatimi me faza i ligjit për Përgjegjësitë e Zgjeruara të Prodhuesve ishin kërkesat kryesore të biznesit në tryezën e organizuar nga shoqata “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”.
Në diskutimin me ministrat e Mjedisit dhe të Ekonomisë dhe Inovacionit, prodhuesit dhe ekspertët ngritën shqetësime për kostot dhe kushtet e zbatimit të ligjit.
Ligji, i miratuar në vitin 2025, parashikohet të nisë të zbatohet më 1 dhjetor. Përmes ekspertëve, prodhuesit propozuan një kalendar të shkallëzuar për përmbushjen e detyrimeve. Ata kërkuan gjithashtu rishikimin e taksës kombëtare dhe mosvendosjen e gjobave gjatë periudhës kalimtare.
Arben Shkodra, sekretar i përgjithshëm i shoqatës “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”, theksoi nevojën për drejtësi fiskale dhe kërkoi përfshirjen e administratës doganore në koordinimin ndërinstitucional për zbatimin e ligjit.
Linda Dervishaj, përfaqësuese e Coca-Cola-s, theksoi se prodhuesit duhet të marrin pjesë në grupet e punës që qeveria do të ngrejë për zbatimin e ligjit.
Vullnet Haka, përfaqësues i Everest I.E, e cilësoi zbatimin në praktikë si sfidën kryesore. Ai kërkoi që ministria dhe sipërmarrjet të bashkëpunojnë për të zhvilluar praktika që mundësojnë përpunimin e mbetjeve në lëndë të para dytësore për industrinë.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, dhe ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, pranuan se zbatimi i ligjit mund të sjellë vështirësi për bizneset. Ministrat theksuan angazhimin për plotësimin e kuadrit rregullator dhe krijimin e mekanizmave të nevojshëm për zbatimin efektiv të ligjit, përmes dialogut me biznesin dhe bashkëpunimit me institucionet e tjera.



