Blog

Produktet blegtorale shqiptare drejt Ukrainës, hiqen barrierat

Bizneset shqiptare dhe fermerët do të kenë mundësinë të lidhin kontrata me përfaqësuesit ukrainas, duke nisur kështu eksportet e prodhimeve blegtorale “made in Albania” në Ukraninë.

Për ta konkretizuar këtë mundësi për eksportet shqiptare, Qendra e Eksporteve Shqiptare në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë së Doneskut, organizojnë në Tiranë më 28 dhe 29 Prill, forumin e parë të biznesit Shqipëri Ukrainë.

Në këtë aktivitet, që synon të forcojë bashkëpunimin tregtar ndërmjet dy vendeve, do të jenë të pranishëm përfaqësues nga qeveria e Ukrainës dhe Presidenti i Dhomës së Tregtisë Ukrainase. Pjesëmarrës në forum do të jenë një sërë kompanish të mirënjohura shqiptare dhe ukrainase nga sektorët e ushqimit, pijeve, produkteve të agrikulturës, turizmit, makinerive etj., të cilat kanë shprehur interesin e tyre për partneritet me kompanitë tona. Tregu ukrainas, i llogaritur në rreth 42 milion banorë, është një treg potencial i rëndësishëm për prodhuesit shqiptarë.

Gjatë forumit të biznesit “Shqipëri – Ukrainë’’ do të organizohen prezantime dhe diskutime mbi mundësitë e krijimit të një Marrëveshjeje të Përbashkët Tregtare (FTA), takime mes bizneseve të të dyja vendeve në  formatin B2B, vizita në kompani të ndryshme në Shqipëri etj.