info@prodhuesit.org

“Pesha e industrisë në ekonomi po bie, po shkojmë drejt deindustrializimit”

Në seancën dëgjimore për Paketën Fiskale 2027, Shoqata “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë” ngriti shqetësimin për mungesën e konsultimit me prodhuesit përpara se projektligjet të mbërrinin në Kuvend.

Para Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, sekretari i përgjithshëm i Shoqatës, Arben Shkodra, vuri në dukje se pesha e industrisë në ekonomi po bie për të tretin vit radhazi. Ai evidentoi ndikimin e kursit të këmbimit, rritjen e kostove të lëndëve të para dhe barrën administrative mbi ndërmarrjet.

Për propozimin e TVSH-së 6% për disa ushqime, z.Shkodra kërkoi qartësi për listën e produkteve dhe vuri në dukje mungesën e ujit, djathit dhe grurit.

Në të njëjtën seancë, Eduard Gjokutaj foli për rritjen e barrës tatimore mbi fitimin e shpërndarë, ndërsa Sajmir Laçej ngriti shqetësimin se rritja e akcizës për duhanin vendas rrezikon t’i nxjerrë prodhuesit nga tregu.

Read more

“Qeveria të konsultohet për listën e produkteve të shportës”

Shqetësimet e prodhuesve për Paketën Fiskale 2027 u ngritën në panelin e emisionit “Ekopol” në TV SCAN.

Në diskutimin e drejtuar nga gazetarja Aurora Sulçe, sekretari i përgjithshëm i Shoqatës “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”, Arben Shkodra, ia parashtroi ato ministrit të Financave, Petrit Malaj.

Z.Shkodra theksoi se gjatë hartimit të paketës mungoi dialogu me prodhuesit. Ai kërkoi konsultim për listën e produkteve që do të përfitojnë nga TVSH-ja 6% dhe propozoi që rritja e tatimit mbi dividentin nga 8% në 15% të zbatohet me faza, duke marrë parasysh ndikimin te investimet.

Në mbyllje, z.Shkodra ngriti shqetësimin për gatishmërinë e ndërmarrjeve shqiptare për integrimin në BE. Sipas tij, sot vetëm 5% e ndërmarrjeve janë gati.

Ai vlerësoi se duhen të paktën 200 milionë euro në vit në mbështetje nga shteti, për tre vitet e ardhshme, që ndërmarrjet të përshtaten me kërkesat e BE-së dhe të përballojnë konkurrencën në tregun europian.

Read more

Prodhimet shqiptare tërheqin interes në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës

Prodhimet shqiptare tërhoqën interesin e vizitorëve në stendën e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës.

Qytetarët panë nga afër produktet që sollën disa kompani anëtare dhe mësuan më shumë për veprimtarinë dhe prodhimet e anëtarëve të tjerë.

Shoqata solli këndvështrimin e prodhuesve edhe në diskutimet për konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare.

Në tryezat e organizuara, vëmendja ishte te ndikimi i mundshëm i paketës fiskale te bizneset dhe nevoja për dialog me prodhuesit përpara vendimeve që i prekin.

Read more

Konkurrueshmëria e ekonomisë shqiptare, sfidat dhe rreziqet

Shoqata “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë” organizoi, në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, një tryezë diskutimi me përfaqësues të biznesit, shoqatave dhe ekspertë të ekonomisë, për të analizuar sfidat që ndikojnë në konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare dhe perspektivën e zhvillimit të saj.

Në qendër të diskutimeve ishte paketa e re fiskale dhe ndikimi i saj i mundshëm në kostot e prodhimit, çmimet, aktivitetin e sipërmarrjeve dhe pozicionin konkurrues të Shqipërisë në rajon.

Pjesëmarrësit shprehën shqetësime për barrën fiskale, mungesën e transparencës dhe dialogun e pamjaftueshëm ndërmjet qeverisë dhe biznesit. U theksua nevoja për politika fiskale të mirëstudiuara, të parashikueshme dhe të drejta, si dhe për përfshirjen e sipërmarrjes në proceset vendimmarrëse.

Forcimi i konkurrueshmërisë kërkon një dialog të strukturuar dhe politika ekonomike që mbështesin prodhimin vendas, investimet dhe zhvillimin e qëndrueshëm të biznesit.

Read more

Mbledhje e jashtëzakonshme Asambleje për paketën fiskale

Paketa fiskale 2027 në qendër të mbledhjes së jashtëzakonshme të Asamblesë së Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë

Prodhuesit shprehën kundërshtimin ndaj paketës së re fiskale, të cilën e cilësuan të pakonsultuar, dhe ngritën shqetësime për ndikimin e saj mbi likuiditetin, investimet dhe konkurrueshmërinë e industrisë vendase.

Në diskutime u theksua se rritja e tatimit mbi dividendin në 15% kufizon fondet e aksionarëve për investime, ndërsa ulja e pragut të regjistrimit në TVSH nuk i jep zgjidhje informalitetit. Përfaqësuesit e industrisë së duhanit paralajmëruan se rritja e akcizës rrezikon qëndrueshmërinë e sektorit.

Sipërmarrësit evidentuan gjithashtu kostot e larta të prodhimit dhe energjisë elektrike, barrën e akcizave, zhvlerësimin e euros dhe mungesën e stafit të kualifikuar.

Prodhuesit kërkuan TVSH 6% edhe për lëndët e para të produkteve të shportës, zbatim me faza të ndryshimeve fiskale dhe kohë të mjaftueshme për përshtatje. Konsultimi dhe dialogu me sipërmarrjen duhet t’i paraprijnë çdo vendimmarrjeje me karakter ekonomik.

Read more

“Paketa fiskale kërkon konsultim dhe kohë për biznesin”

Përfshirja e prodhuesve në konsultimin për paketën fiskale dhe përcaktimi i afateve që u japin bizneseve kohë të përshtaten janë kërkesat kryesore që parashtroi Arben Shkodra, sekretar i përgjithshëm i shoqatës “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”, në emisionin “Ekopol” të gazetares Aurora Sulçe, në televizionin SCAN.

Z. Shkodra theksoi se mungon një analizë e ndikimit të paketës në ekonomi dhe e cilësoi mosrespektimin e konsultimit publik shkelje të rëndë ligjore.

Sipas tij, ndërhyrjet e befta, pa dëgjuar prodhuesit, cenojnë besimin te qeveria dhe e vendosin biznesin vendas në disavantazh përballë konkurrentëve të huaj.

Në këtë kuadër, ai kërkoi rishikimin e afateve të hyrjes në fuqi të masave dhe sqarimin e trajtimit fiskal të nënprodukteve që përdoren për prodhimin e artikujve të shportës. Shqetësimi lidhet me ndikimin që taksimi i këtyre nënprodukteve mund të ketë te produkti përfundimtar.

Për financat publike, Z. Shkodra e lidhi suficitin buxhetor të dy viteve radhazi me mosrealizimin e planeve nga ministritë dhe agjencitë përkatëse.

Ai kërkoi llogaridhënie nga ministrat përgjegjës, duke theksuar se mosrealizimi i përsëritur i planeve tregon probleme strukturore në menaxhimin e parave publike.

Read more

“Paketa fiskale shton presionin mbi prodhimin vendas”

Paketa fiskale shton presionin mbi prodhimin vendas dhe i krijon atij disavantazhe përballë importeve, paralajmëroi Sekretari i Përgjithshëm i shoqatës “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë” në një intervistë për Top Neës. Z. Shkodra e cilësoi paketën “absurde dhe paradoksale” dhe kritikoi përshpejtimin e procesit të miratimit të saj.

Ai ritheksoi propozimin për heqjen e fashave të deklarimit të TVSH-së, të shoqëruar me rimbursim automatik për kategori të caktuara biznesesh.

Uljen e parashikuar të TVSH-së për produktet e shportës e vlerësoi pozitivisht, por ngriti pikëpyetje nëse ajo do të sjellë çmime më të ulëta dhe si do të trajtohen stoqet e blera me TVSH 20%.

Kostot e inputeve, rritja e pritshme e kostove të energjisë dhe karburantit, konkurrenca nga importet dhe informaliteti ishin shqetësimet kryesore të ngritura. Z. Shkodra theksoi se biznesi ka nevojë për mbështetje për të përballuar sfidat e integrimit në tregun e BE-së, ndërsa qeveria, përmes kësaj pakete, po i krijon disavantazhe të reja.

Read more

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë kundërshton ndryshimet fiskale

Paketa e re fiskale pritet të rrisë barrën tatimore për bizneset, duke lënë më pak fonde për investime dhe duke shtuar presionin mbi çmimet.

Parashikohet rritja e tatimit mbi fitimin nga 15% në 17% dhe e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%. Norma e përgjithshme e TVSH-së pritet të rritet nga 20% në 21%, ndërsa norma e reduktuar për turizmin nga 6% në 10%.

Ulja e pragut të regjistrimit të detyrueshëm në TVSH nga 10 në 5 milionë lekë qarkullim vjetor do të përfshinte më shumë biznese të vogla në këtë skemë, duke u shtuar detyrimet për deklarim dhe administrim.

Shoqata “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë” kundërshton fuqimisht çdo ndryshim në paketën fiskale që hartohet pa konsultim real dhe transparent me komunitetin e biznesit.

Ndryshimet që prekin sipërmarrjen kërkojnë dialog paraprak, vlerësim të ndikimit dhe kohë të mjaftueshme për përshtatje.

Zëri i sipërmarrjes duhet të dëgjohet përpara çdo vendimmarrjeje me karakter ekonomik.

Read more

Projektvendim për ambalazhet dhe mbetjet e tyre

Në konsultim publik projektvendimi për ambalazhet dhe mbetjet e tyre.

Ai parashikon kërkesa për riciklueshmërinë, etiketimin dhe gjurmueshmërinë, si dhe detyrime për financimin e menaxhimit të mbetjeve.

Prek prodhuesit, importuesit dhe shpërndarësit, sipas rolit të tyre.

Afati për komente: 20 nëntor 2026.

Njihuni me propozimet dhe jepni mendimin tuaj në Regjistrin Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike

Read more

“Të mbrohet mundi dhe djersa e sipërmarrësve shqiptarë”

Shoqata “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë” po ndjek me vëmendje dhe shqetësim zhvillimet që kanë shoqëruar protestat e ditëve të fundit në Tiranë.

Shoqata njeh dhe mbështet të drejtën e çdo qytetari për të shprehur lirisht qëndrimet dhe kërkesat e tij përmes protestës paqësore. Kjo është një e drejtë themelore e një shoqërie demokratike, e cila duhet të respektohet dhe të garantohet, në përputhje me parimet kushtetuese dhe standardet evropiane.

Në të njëjtën kohë, ushtrimi i kësaj të drejte nuk mund të justifikojë dhunën, dëmtimin e pronës private apo rrezikimin e sigurisë së punonjësve të saj.

Sipërmarrja dhe veprimtaria e saj ekonomike nuk duhet të bëhen objekt i akteve të vandalizmit, shkatërrimit, dëmtimit dhe vjedhjes.

Shoqata “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë” u kërkon institucioneve përgjegjëse të mbrojnë mundin dhe djersën e sipërmarrësve shqiptarë.

Read more