Shqetësimet e prodhuesve për Paketën Fiskale 2027 u ngritën në panelin e emisionit “Ekopol” në TV SCAN.
Në diskutimin e drejtuar nga gazetarja Aurora Sulçe, sekretari i përgjithshëm i Shoqatës “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”, Arben Shkodra, ia parashtroi ato ministrit të Financave, Petrit Malaj.
Z.Shkodra theksoi se gjatë hartimit të paketës mungoi dialogu me prodhuesit. Ai kërkoi konsultim për listën e produkteve që do të përfitojnë nga TVSH-ja 6% dhe propozoi që rritja e tatimit mbi dividentin nga 8% në 15% të zbatohet me faza, duke marrë parasysh ndikimin te investimet.
Në mbyllje, z.Shkodra ngriti shqetësimin për gatishmërinë e ndërmarrjeve shqiptare për integrimin në BE. Sipas tij, sot vetëm 5% e ndërmarrjeve janë gati.
Ai vlerësoi se duhen të paktën 200 milionë euro në vit në mbështetje nga shteti, për tre vitet e ardhshme, që ndërmarrjet të përshtaten me kërkesat e BE-së dhe të përballojnë konkurrencën në tregun europian.










