info@prodhuesit.org

Kreu

“Paketa fiskale kërkon konsultim dhe kohë për biznesin”

Përfshirja e prodhuesve në konsultimin për paketën fiskale dhe përcaktimi i afateve që u japin bizneseve kohë të përshtaten janë kërkesat kryesore që parashtroi Arben Shkodra, sekretar i përgjithshëm i shoqatës “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”, në emisionin “Ekopol” të gazetares Aurora Sulçe, në televizionin SCAN.

Z. Shkodra theksoi se mungon një analizë e ndikimit të paketës në ekonomi dhe e cilësoi mosrespektimin e konsultimit publik shkelje të rëndë ligjore.

Sipas tij, ndërhyrjet e befta, pa dëgjuar prodhuesit, cenojnë besimin te qeveria dhe e vendosin biznesin vendas në disavantazh përballë konkurrentëve të huaj.

Në këtë kuadër, ai kërkoi rishikimin e afateve të hyrjes në fuqi të masave dhe sqarimin e trajtimit fiskal të nënprodukteve që përdoren për prodhimin e artikujve të shportës. Shqetësimi lidhet me ndikimin që taksimi i këtyre nënprodukteve mund të ketë te produkti përfundimtar.

Për financat publike, Z. Shkodra e lidhi suficitin buxhetor të dy viteve radhazi me mosrealizimin e planeve nga ministritë dhe agjencitë përkatëse.

Ai kërkoi llogaridhënie nga ministrat përgjegjës, duke theksuar se mosrealizimi i përsëritur i planeve tregon probleme strukturore në menaxhimin e parave publike.

Read more

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë kundërshton ndryshimet fiskale

Paketa e re fiskale pritet të rrisë barrën tatimore për bizneset, duke lënë më pak fonde për investime dhe duke shtuar presionin mbi çmimet.

Parashikohet rritja e tatimit mbi fitimin nga 15% në 17% dhe e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%. Norma e përgjithshme e TVSH-së pritet të rritet nga 20% në 21%, ndërsa norma e reduktuar për turizmin nga 6% në 10%.

Ulja e pragut të regjistrimit të detyrueshëm në TVSH nga 10 në 5 milionë lekë qarkullim vjetor do të përfshinte më shumë biznese të vogla në këtë skemë, duke u shtuar detyrimet për deklarim dhe administrim.

Shoqata “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë” kundërshton fuqimisht çdo ndryshim në paketën fiskale që hartohet pa konsultim real dhe transparent me komunitetin e biznesit.

Ndryshimet që prekin sipërmarrjen kërkojnë dialog paraprak, vlerësim të ndikimit dhe kohë të mjaftueshme për përshtatje.

Zëri i sipërmarrjes duhet të dëgjohet përpara çdo vendimmarrjeje me karakter ekonomik.

Read more

“Inspektimet të jenë këshilluese deri në vitin 2027”

Inspektorati i Përgjithshëm zhvilloi një tryezë dialogu me shoqatat dhe dhomat përfaqësuese të biznesit, në kuadër të reformimit të sistemit të inspektimit dhe ndërtimit të një raporti të ri me sipërmarrjen.

Në fjalën e tij, Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”, theksoi se sfida kryesore është që kjo frymë reformuese të reflektohet edhe te inspektorët në terren, aty ku biznesi përballet drejtpërdrejt me kontrollin dhe zbatimin e ligjit.

Z. Shkodra rikujtoi se përafrimi me legjislacionin e Bashkimit Europian do të sjellë kërkesa më të ndërlikuara, detyrime të reja dhe kosto shtesë për sipërmarrjen.

Në këtë proces, paralajmëroi ai, ekziston rreziku që derregullimi të pasohet nga mbirregullimi, duke shtuar barrën mbi bizneset në një periudhë kur ato duhet të përshtaten me standarde të reja.

Z. Shkodra propozoi që deri në vitin 2027 inspektimet të kenë kryesisht karakter këshillues: të evidentojnë mangësitë, të orientojnë biznesin dhe t’i japin kohën e nevojshme për t’u përshtatur përpara aplikimit të sanksioneve.

Read more

CIPE asiston ristrukturimin e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë

Një dekadë e re kërkon një qasje të re!

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë ka nisur procesin e transformimit dhe ristrukturimit të Shoqatës përmes një partneriteti me Center for International Private Enterprise (CIPE), e cila do të asistojë në forcimin e kapaciteteve organizative, fuqizimin e rolit advokues dhe përfaqësimin më efektiv të çështjeve prioritare të industrisë prodhuese.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, përfaqësues të Shoqatës morën pjesë në workshopin dyditor të organizuar nga CIPE, së bashku me organizata të biznesit nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Workshopi krijoi një hapësirë të vlefshme për shkëmbimin e përvojave, ndërtimin e partneriteteve të reja dhe diskutimin e praktikave që forcojnë rolin, qëndrueshmërinë dhe efektivitetin e organizatave të biznesit.

Ky partneritet shënon fillimin e një etape të re për Bashkimin e Prodhuesve Shqiptarë, me synimin për të ndërtuar një organizatë edhe më të fortë, më moderne dhe më efektive në përfaqësimin e interesave të prodhuesve shqiptarë.

Read more

Arsimi profesional, nis partneriteti me Dhomën Zejtare të Dortmundit

Një industri më konkurruese nis nga një fuqi punëtore më e kualifikuar.

Me këtë vizion, Dhoma Zejtare e Dortmundit, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë dhe Shkolla Profesionale “Karl Gega” po ndërtojnë një partneritet strategjik për forcimin e arsimit profesional dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor në Shqipëri.

Gjatë workshop-it të përbashkët për gjetjen e fakteve të Projektit Federal “Partneriteti për Arsim Profesional në Shqipëri”, ekspertët e Dhomës Zejtare të Dortmundit, përfaqësuesit e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, të Shkollës Profesionale “Karl Gega” dhe partnerët institucionalë diskutuan objektivat e projektit, modulet e trajnimit dhe modelin e bashkëpunimit mes biznesit, arsimit profesional dhe institucioneve.

Projekti synon zhvillimin e programeve moderne të formimit profesional, të orientuara drejt praktikës dhe kërkesave të tregut të punës, forcimin e bashkëpunimit mes ndërmarrjeve dhe shkollave profesionale, si edhe përmirësimin e cilësisë së arsimit profesional sipas standardeve ndërkombëtare.

Projekti mbështetet nga Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim e Gjermanisë (BMZ) dhe shënon një hap konkret drejt ndërtimit të një fuqie punëtore që i përgjigjet nevojave të industrisë shqiptare.

Read more

Mblidhet Asambleja e Përgjithshme, prezantohet vizioni për dekadën e re

Mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë shënoi një etapë të rëndësishme për të ardhmen e Shoqatës dhe të industrisë prodhuese në vend.

Në fokus të diskutimeve ishin ristrukturimi i Shoqatës, vizioni për 10-vjetorin dhe një qasje e re në përfaqësimin, komunikimin dhe mbështetjen e anëtarëve të saj.

Gjatë Asamblesë, prodhuesit ngritën problematikat kryesore që ndikojnë në zhvillimin e industrisë, duke theksuar nevojën për më shumë konsultim publik, drejtësi fiskale, lehtësim të barrës administrative, ulje të kostove të prodhimit, zhvillim të kapitalit njerëzor, përmbushje të standardeve të Bashkimit Europian, si dhe adresim të çështjeve mjedisore.

Asambleja konfirmoi një drejtim të qartë: një Shoqatë më pranë anëtarëve dhe më e angazhuar në ndërtimin e një dialogu të qëndrueshëm me institucionet për çështjet që prekin industrinë prodhuese.

Read more