info@prodhuesit.org

Origjina dhe Trashëgimia

A e dini se disa shije shqiptare mbrohen me ligj?

Më shumë se 10 produkte tradicionale shqiptare janë regjistruar në skemat e cilësisë. Në varësi të kategorisë, mbrohet origjina e produktit, lidhja e tij me zonën ku prodhohet ose mënyra tradicionale e përgatitjes.

Pas secilit produkt qëndron një histori e veçantë:

Qepa e Drishtit

Njihet dhe kultivohet prej më shumë se 200 vjetësh. Është e regjistruar në Inventarin Kombëtar të Resurseve Gjenetike me emërtimin “Qepa e Drishtit” dhe vendndodhje në Postribë.

Vaji i Ullirit Valmi, Elbasan

Eshtë një vaj ekstra i virgjër prodhuar në Shirgjan të Elbasanit, i certifikuar me Tregues Gjeografik të Mbrojtur dhe i njohur për cilësinë 100% natyrale.

Molla e Dvoranit

Në Korçë, dokumentet tregojnë praninë e plantacioneve që në vitet 1934–1938.

Kërpudha e Pukës

Kërpudhat e Pukës janë të egra dhe mblidhen me dorë në pyll. Ato nuk kultivohen dhe jetojnë në simbiozë me organizma të tjerë

Mishavina e Bjeshkëve të Kelmendit

Receta 100 vjeçare e këtij djathi mbrohet ndërkombëtarisht. Familjet e zonës vijojnë të zbatojnë teknikën e prodhimit të trashëguar nga stërgjyshërit, pa e ndryshuar atë.

Gështenja e Malësisë së Madhe

Prej më shumë se një shekulli, gështenjat janë sinonim i Reçit, pemët më të vjetra janë rreth 250 vjeçare.

Kumbulla e thatë e Shumbatit

Vlerësohen për përmbajtjen e fibrave, magnezit dhe vitaminave B6, A dhe K.

Mjalti i Bedunicës

Është i rrallë dhe cilësor, përdoret për ushqim dhe qëllime mjekësore. Veçantia e këtij produkti lidhet me lulen e bedunicës, e cila rritet në zonën e Frashërit dhe në Parkun Kombëtar të Bredhit të Hotovës.

Glikoja e arrës

Është një ëmbëlsirë e përgatitur nga arra të vogla të papjekura dhe shurup sheqeri. Arrat mblidhen në pjesën e sipërme të luginës së lumit Vjosë, në zonën e Përmetit, ku këto pemë rriten në gjendje të egër.

Produktet e certifikuara dallohen nga logot në ambalazh, të cilat tregojnë kategorinë e mbrojtjes dhe dëshmojnë se janë përmbushur kërkesat përkatëse.

Kur mbrohet një produkt, nuk ruhet vetëm shija. Ruhen dija, puna dhe historia e vendit që e krijoi.

https://www.instagram.com/reel/DbdL_4_vcrK/?utm_source=ig_web_copy_link&igsh=MzRlODBiNWFlZA==

Read more

Nga sabaia e ilirëve te eksportet, birra shqiptare arrin 40.1 mln litra prodhim

Ilirët e shijonin po aq sa shqiptarët e sotëm. Ata e quanin “sabaia” ne e njohim si birrë.

E përmendur në burimet e lashta si një pije e fermentuar nga drithërat, “sabaia” dëshmon praninë e hershme të kësaj tradite në hapësirën ilire.

Së fundmi, kjo lidhje me të shkuarën ka gjetur një interpretim të ri në treg përmes birrës “Iliria”. Marka e ndërton identitetin mbi traditën dhe synon ta përkthejë atë në një shije autentike, të përshtatur me prodhimin bashkëkohor.

Prodhimi industrial i birrës në Shqipëri nisi në vitin 1928 me birrën “Korça”. Sot, fabrikat vendase punojnë me linja të automatizuara, teknologji bashkëkohore dhe kontroll laboratorik, duke mundësuar prodhim më të standardizuar dhe cilësi të njëtrajtshme.

Krahas prodhimit industrial, po forcohet edhe prania e birrës artizanale.

“Birraria e Gjyshit” dhe birra “Puka” sjellin prodhime në sasi më të kufizuara por lidhura ngushtë me identitetin e zonave ku prodhohen.

Në vitin 2025, Shqipëria prodhoi rreth 40.1 milionë litra birrë, afro 6% më shumë se një vit më parë. Nga fabrikat e mëdha te mikrobirraritë, prodhimi vendas ka kaluar edhe kufijtë, duke mbërritur në tregjet europiane dhe ato të SHBA-së.

Megjithatë, kjo industri përballet me kostot e larta të prodhimit, varësinë nga lëndët e para të importuara, akcizën e unifikuar dhe konkurrencën e fortë nga birrat e huaja. Edhe nën këtë presion, sipërmarrjet shqiptare vijojnë të prodhojnë, të investojnë dhe të eksportojnë duke e mbajtur birrën shqiptare pjesë aktive të industrisë vendase, jo vetëm të historisë së saj.

https://www.instagram.com/reel/DbIqs49RSus/?utm_source=ig_web_copy_link&igsh=MzRlODBiNWFlZA==

Read more

Livandoja shqiptare përdoret për prodhimin e produkteve që shiten nga kompani të njohura amerikane.

Për breza me radhë, sherebela, trumza, rigoni, livanda dhe dhjetëra bimë të tjera kanë qenë pjesë e traditës shqiptare. Sot, ato përdoren në industrinë farmaceutike, kozmetike, ushqimore dhe në produktet e kujdesit natyral, duke u kthyer në lëndë të parë për një gamë të gjerë produktesh.

Shqipëria renditet mes 25 eksportuesve kryesorë në botë në këtë sektor.

Të rritura kryesisht në Shkodër, Malësi të Madhe, Kukës, Korçë, Elbasan, Berat dhe Gjirokastër, këto bimë përbëjnë një burim të rëndësishëm të ardhurash për komunitetet lokale. Mbi 90 mijë persona janë të angazhuar në këtë aktivitet, ndërsa më shumë se 6.000 hektarë kultivohen në mbarë vendin.

Vetëm në vitin 2022, prodhimi arriti në 16.430 tonë, ndërsa eksportet u vlerësuan në 63 milionë euro, me një rritje prej 6.7% krahasuar me një vit më parë. Rreth 70% e eksporteve shkojnë drejt vendeve të Bashkimit Europian, ndërsa pjesa tjetër kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë dekadës së fundit, grumbulluesit shqiptarë kanë investuar në standarde, certifikime dhe procese që kanë rritur cilësinë dhe besueshmërinë e produkteve vendase.

Dikur njiheshin vetëm në fshatrat dhe malet e Shqipërisë, sot kërkohen shumë përtej kufijve.

https://www.instagram.com/reel/DZNYneHuwlv/?utm_source=ig_web_copy_link&igsh=MzRlODBiNWFlZA==

Read more

“Made in Albania”, artizanët japin mendimet dhe propozimet e tyre për projektligjin

Artizanët, duarartët që ruajnë dhe përcjellin traditat e të parëve tanë, ishin të radhës që dhanë mendimet dhe propozimet e tyre për projektligjin “Made in Albania”, në tryezën e tretë konsultuese të organizuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Shoqata “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”.

Gjatë takimit, ata ndanë sfidat me të cilat përballen në përditshmëri dhe paraqitën kërkesa konkrete për çështjet që, sipas tyre, duhet të adresohen nga projektligji.

Mes problematikave kryesore u renditën vështirësitë për sigurimin e lëndës së parë, mungesa e laboratorëve certifikues, nevoja për etiketim dhe identifikim më të qartë të produkteve shqiptare, mungesa e makinerive dhe fuqisë punëtore, si edhe konkurrenca nga informaliteti.

Artizanët kërkuan më shumë mbështetje për ruajtjen e traditës dhe përcjelljen e zanateve te brezi i ri, duke propozuar ngritjen e grupeve të punës dhe kthimin e ateliereve në hapësira ku mjeshtëria artizanale të transmetohet ndër breza.

Në diskutime u ndal gjithashtu te sfidat me të cilat sektori mund të përballet gjatë procesit të integrimit europian.

Zv.ministri Enkelejd Musabelliu u shpreh se projektligji “Made in Albania” synon të adresojë një pjesë të çështjeve të ngritura dhe të krijojë më shumë mundësi mbështetjeje për artizanët dhe prodhuesit shqiptarë.

Tryezat konsultuese me grupet e interesit do të vijojnë edhe me sektorë të tjerë në ditët në vazhdim.

Read more