info@prodhuesit.org

Blog

“Made in Albania”, artizanët japin mendimet dhe propozimet e tyre për projektligjin

Artizanët, duarartët që ruajnë dhe përcjellin traditat e të parëve tanë, ishin të radhës që dhanë mendimet dhe propozimet e tyre për projektligjin “Made in Albania”, në tryezën e tretë konsultuese të organizuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Shoqata “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”.

Gjatë takimit, ata ndanë sfidat me të cilat përballen në përditshmëri dhe paraqitën kërkesa konkrete për çështjet që, sipas tyre, duhet të adresohen nga projektligji.

Mes problematikave kryesore u renditën vështirësitë për sigurimin e lëndës së parë, mungesa e laboratorëve certifikues, nevoja për etiketim dhe identifikim më të qartë të produkteve shqiptare, mungesa e makinerive dhe fuqisë punëtore, si edhe konkurrenca nga informaliteti.

Artizanët kërkuan më shumë mbështetje për ruajtjen e traditës dhe përcjelljen e zanateve te brezi i ri, duke propozuar ngritjen e grupeve të punës dhe kthimin e ateliereve në hapësira ku mjeshtëria artizanale të transmetohet ndër breza.

Në diskutime u ndal gjithashtu te sfidat me të cilat sektori mund të përballet gjatë procesit të integrimit europian.

Zv.ministri Enkelejd Musabelliu u shpreh se projektligji “Made in Albania” synon të adresojë një pjesë të çështjeve të ngritura dhe të krijojë më shumë mundësi mbështetjeje për artizanët dhe prodhuesit shqiptarë.

Tryezat konsultuese me grupet e interesit do të vijojnë edhe me sektorë të tjerë në ditët në vazhdim.