info@prodhuesit.org

Blog

Shqipëria kryeson rajonin për industrinë e orientuar nga tregu vendas

Shqipëria kryeson vendet e Ballkanit Perëndimor për peshën në punësim të firmave të industrisë përpunuese që prodhojnë vetëm me lëndë dhe materiale vendase dhe shesin vetëm në tregun e brendshëm.

Sipas të dhënave të Anketës së Ndërmarrjeve të Bankës Botërore, këto kompani ofrojnë 24,7% të punësimit total në industri, një shifër që është më shumë se dyfishi i peshës prej 11,5% që ky segment zë në pesë ekonomitë e tjera të rajonit të marra së bashku.

Ky profil tregon se një pjesë e konsiderueshme e industrisë përpunuese shqiptare operojnë me zinxhirë të shkurtër dhe të mbyllur lokalë, të mbështetur te burimet e brendshme dhe konsumi vendas, ndryshe nga vendet fqinje ku industria është e integruar më fort në zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit.

Shifrat e Bankës Botërore vënë në pah një diferencë të thellë mes Shqipërisë dhe fqinjëve të saj sa i takon orientimit lokal të prodhimit. Pas Shqipërisë, në kategorinë e firmave që përdorin vetëm lëndë vendase dhe shesin vetëm brenda vendit, renditet Serbia me 13,3% të punësimit në industri,  gati përgjysmë më pak se niveli shqiptar.

Më poshtë në renditje vjen Kosova me 9,1% dhe Bosnjë e Hercegovina me 8%. Ndërkohë, pesha e këtyre firmave zbret në nivelin më të ulët në Malin e Zi me 6,4% dhe në Maqedoninë e Veriut me vetëm 5,8%.

Ana tjetër e medaljes, Shqipëria mbetët pas në eksporte dhe varësi nga inputet e importuara

Ndërsa Shqipëria dallon për bazën e gjerë të prodhimit 100% lokal, ky orientim i lartë drejt tregut të brendshëm shoqërohet me një prani më të ulët të punësimit në kompanitë eksportuese.

Kompanitë eksportuese punësojnë 56,8% të punonjësve të industrisë përpunuese në Shqipëri, duke e renditur vendin të pestin ndër gjashtë ekonomitë e rajonit, në një nivel të ngjashëm me Kosovën (58,6%) dhe duke lënë pas vetëm Malin e Zi (38%).

Në vendet e tjera të rajonit, punësimi në industri dominohet nga eksportuesit, psh në Bosnjë dhe Hercegovinë arrin në 81%, në Maqedoninë e Veriut në 80,7% dhe në Serbi në 77,3%.

Po ashtu, pavarësisht peshës rekord të prodhuesve me lëndë vendase, pjesa tjetër e industrisë shqiptare mbetet ndjeshëm e lidhur me importet. Kompanitë që eksportojnë dhe përdorin lëndë të para, pjesë ose materiale të importuara punësojnë 51,4% të të gjithë punonjësve të sektorit.

Duke përfshirë si eksportuesit, ashtu edhe prodhuesit për tregun e brendshëm, firmat që përdorin materiale të importuara zënë 69,9% të punësimit në industrinë përpunuese në Shqipëri.

Marrë nga Monitor