info@prodhuesit.org

Blog

“Made in Albania” edhe me ligj!

Një kërkesë e artikuluar prej vitesh nga Shoqata “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë” për krijimin e një legjislacioni të posaçëm për markën shqiptare po merr formë konkrete nga institucionet.

Këtë të hënë, nën kujdesin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, u zhvillua dëgjesa e parë me bizneset për projektligjin “Made in Albania”, ku prodhuesit ngritën shqetësimet dhe pritshmëritë e tyre për nismën.

Drejtues të kompanive kërkuan që ligji të garantojë rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare, forcimin e besimit të konsumatorëve vendas dhe të huaj, si edhe promovim më të gjerë të prodhimeve “Made in Albania” në tregjet ndërkombëtare.

Nevojën për lehtësi dhe mbështetje më të madhe nga qeveria e nënvizoi edhe Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”, Arben Shkodra, i cili paralajmëroi se, nëse nuk merren masat e duhura në kohë, Shqipëria rrezikon deindustrializimin.

Nga ana tjetër, zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, garantoi se shqetësimet e prodhuesve do të adresohen dhe se do të organizohen dëgjesa të tjera, në mënyrë që ligji “Made in Albania” të reflektojë nevojat reale të biznesit.