Përgatitja e kompanive shqiptare për tregun e përbashkët europian kërkon informim, ndërgjegjësim dhe transformim të vazhdueshëm. Ky ishte mesazhi i Sekretarit të Përgjithshëm të Shoqatës “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”, Arben Shkodra, në takimin e tretë të Komitetit të Përbashkët Konsultativ të Shoqërisë Civile BE-Shqipëri.
Z. Shkodra njoftoi se përveç harmonizimit të legjislacionit me Bashkimin Europian, po punohet për reformimin e sistemit të përfaqësimit të sipërmarrjes, përmirësimin e regjistrit të biznesit dhe ngritjen e një procesi të gjerë komunikimi me kompanitë gjatë rrugëtimit drejt integrimit.
Sipas tij, hyrja në tregun e përbashkët europian kërkon standardizimin e produkteve dhe proceseve të prodhimit, përmbushjen e kërkesave teknike dhe sigurimin e certifikimeve të nevojshme, në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga kapitujt e negociatave me BE-në.
Z. Shkodra theksoi gjithashtu se informaliteti dhe dezinformimi mbeten ndër faktorët që dëmtojnë mbrojtjen e konsumatorit dhe konkurrencën e ndershme në treg.





