Blog

Skemat e financimit për bizneset shqiptare për vitin 2018

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), bën publike fondet në dispozicion të biznesit për vitin 2018 nga buxheti i shtetit: Fondin Shqiptar të Konkurrueshmërisë, Fondin e Ekonomisë Kreative (Artizanatit), Fondin në mbështetje të Sipërmarrjeve të reja ”Start Up” dhe Fondin e Inovacionit.

Këto fonde i dedikohen ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme të sektorit prodhues dhe të shërbimit; si industria e lehtë, turizmi, kërkimi dhe zhvillimi, inovacionit dhe teknologjisë, agropërpunimit, dizenjimit, artizanatit etj.

  1. Fondi i Konkurrueshmërisë (totali vjetor 28 milion lekë)

Ky fond ka për qëllim mbështetjen dhe përmirësimin e kapaciteteve të NVM-ve shqiptare në mënyrë që ato të jenë të përgatitura për t’iu përgjigjur zhvillimeve dhe kërkesave të tregut kombëtar dhe ndërkombëtar.

Kushte dhe informacione

Ky fond mbështet ndërmarrjet e vogla ose të mesme me fokus prodhimin dhe eksportin, të cilat janë të regjistruara në QKB prej 2 ose më shumë vitesh.

Vlera e mbulimit të projektit ndahet sipas raportit: 70% grant dhe 30% vetëfinancim nga ndërmarrja.

Vlera maksimale përfituese për çdo projekt të aplikuar është jo më e shumë se 1’400’000 lekë.

Fondi mbulon projektet për qëllimet e mëposhtme:

  • çertifikim produkti;
  • ambalazhim dhe etiketim të produkteve;
  • pjesëmarrje në panaire ndërkombëtare;
  • krijim faqesh interneti;
  • koncept edhe dizenjim të materialeve promovuese.
  1. Fondi i Ekonomisë Kreative (totali vjetor 10 milion lekë )

Fondi ka për qëllim zhvillimin e sektorit të artizanatit dhe zejtarisë në Shqipëri, për të krijuar mjedisin e favorshëm për rritjen e qendrueshmërisë  ekonomike të aktivitetit dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Kushte dhe informacione

Fondi i Ekonomisë Kreative i shërben Ndërmarrjeve Mikro dhe të Vogla që ushtrojnë aktivitetin e tyre në sektorin e artizanatit, të cilat janë të regjistruara në QKB prej 1 ose më shumë vitesh.

Vlera e mbulimit të projektit ndahet sipas raportit: 80% në formë granti dhe 20% vetëfinancim nga ndërmarrja.

Vlera maksimale përfituese për çdo projekt të aplikuar është jo më e shumë se 500.000 lekë.

Fondi mbulon projektet e përzgjedhura nga sektori i artizanatit specifikisht për qëllimet e mëposhtme:

  • zhvillimin e produkteve të reja;
  • blerjen e pajisjeve për nxitjen e prodhimit;
  • marketingun e produktit;
  • kualifikimin e ndërtimin e kapaciteteve menaxheriale të ndërmarrjes.
  1. Fondi Start-Up (totali vjetor 10 milion lekë)

Mbështet bizneset e sapo krijuara “Start-Up” në Shqipëri për krijimin e bazave për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, si dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Kushte dhe informacione

Mund të aplikojnë, subjektet që janë të regjistruara në QKB, nga 0-2 vjet.

Vlera e mbulimit të projektit ndahet sipas raportit: 70% në formë granti dhe 30% vetëfinancim nga ndërmarrja.

Vlera maksimale përfituese për çdo projekt është jo më e shumë se 500.000 lekë.

Fondi mbulon projektet për qëllimet e mëposhtme:

  • Investime në pajisje dhe teknologji për nxitjen e prodhimit/shërbimit;
  • Promovim, publikim dhe hartim materialesh promovues;
  • Përshtatje produkti – duke përfshirë ambalazhim dhe etiketim;
  • Kualifikim dhe trajnim për rritjen e aftësive sipërmarrëse;
  • Krijim faqesh në internet dhe zhvillim të tregtisë elektronike;
  • Pjesëmarrje në panair ose ekspozitë brenda apo jashtë shtetit, si vizitor apo ekspozues.
  1. Fondi i Inovacionit (totali vjetor 15 milion lekë)

Ky fond ka për qëllim nxitjen e NMVM-ve në auditimin e nevojave të tyre për inovacion dhe teknologji dhe më tej në identifikimin e furnizuesve të teknologjisë dhe partnerëve në shtete të tjera.

Kushte dhe informacione

Mund te aplikojnë, subjekte që janë të regjistruara  në QKB prej 1 ose më shumë vitesh.

Vlera e mbulimit të projektit ndahet sipas raportit 50% grant dhe 50% vetëfinancim nga ndërmarrja.

Vlera maksimale përfituese për çdo projekt të aplikuar është jo më e shumë se 400.000 lekë.

Bëjnë përjashtim vetëm subjektet që do të aplikojnë për zërin makineri-paisje, ku vlera maksimale që do përfitojnë është 600.000 lekë.

Fondi mbulon projektet për qëllimet e mëposhtme:

  • Auditim të kapacitetit inovativ dhe teknologjik që synon t’u mundësojë ndërmarrjeve aplikuese vlerësimin për nivelin ekzistues të teknologjisë dhe mundësitë për rinovimin e tyre të inovacionit dhe/ose pozicionimit teknologjik, sipas një strukture konkurruese zhvillimi;
  • Ndërkombëtarizimin e teknologjisë, e cila synon t’u mundësojë ndërmarrjeve aplikuese të Identifikojnë dhe të inspektojnë teknologjinë që kërkojnë të përshtatin;
  • Pjesëmarrje në panaire inovacioni /teknologjie/ RDI dhe të ngjashme;
  • Promovim në lidhje me inovacione të ndërmarrjes; Kostot e licencave (software ose hardware) ose patentave;

Për më shumë informacione http://aida.gov.al/home