Duke parë nevojën për bashkëpunim të përbashkët dhe mbështetje reciproke në fushat prioritare të dy institucioneve dhe duke parë rëndësinë dhe rolin e nxitjes së sektorit të prodhimit vendor në zhvillimin ekonomik, më datë 6 mars 2017, nënshkruhet memorandum bashkëpunimi ndërmjet Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë dhe Klubit të Prodhuesve të Kosovës.
Ky Memorandum ka si qëllim vendosjen e raporteve të bashkëpunimit në drejtim të shkëmbimit të informacionit dhe mbrojtjes së interesave të bizneseve që përfaqësohen nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës dhe bizneseve që përfaqësohen nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë. Ky qëllim do të arrihet nëpërmjet organizimit të aktiviteteve të përbashkëta, si dhe shkëmbimit të rregullt të informacioneve reciproke.
Bashkëpunimi midis dy institucioneve do të shtrihet kryesisht në shkëmbimin e informacioneve lidhur me numrin e anëtarëve që përfaqësojnë në sektorët përkatës, studimin e tregut në nivelin kombëtar (në Kosovë dhe Shqipëri), rajonal dhe ndërkombëtar; për rreziqet e mundshme që përfshijnë sektorin; studime apo vlerësime të ndryshme të situatës ekonomike në momente të caktuara, të shpërndarjes gjeografike apo fizike të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë; për trendin e zhvillimit të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, si dhe për prioritetet dhe efektivitetin e industrive të ndryshme në Kosovë dhe Shqipëri , për ti bërë ato të njohura dhe të efektshme për një konsumator më të gjerë.
Palët kanë rënë dakord që për probleme të rëndësishme, me karakter më të përgjithshëm të organizojnë takime institucionale, ballafaqime, tavolina të rrumbullakëta dhe misione biznesi në shërbim reciprok të grupeve të interesit që përfaqësojnë.