Sot më datë 21 prill 2017, u organizua në qytetin e Pejës në Kosovë “Forumi Ekonomik i Prodhuesve Shqiptarë dhe AlbExpo 2017”, ku morën pjesë sipërmarrës prodhues nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia Veri-Perendimore si dhe personalitete të larta të tre vendeve respektive. Ky Forum u organizua nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perendimore si dhe Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare.
Qëllimi i mbajtjes së këtij forumi ishte promovimi i lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, pjesëmarrja në projekte të përbashkëta Cross-Border, monitorimi i tregtisë mes tre vendeve si dhe promovimi i produkteve shqiptare.
Një nga kërkesat kryesore të prodhuesve shqiptarë që morën pjesë në këtë forum ishte lehtësimi i procedurave doganore për lëvizjen e lire të mallrave. Z. Astrit Shabani, Drejtor Ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës u shpreh se tregtia e lirë po na kushton shumë shtrenjtë. Ai tha se për shkak të konkurrencës nga vende të tjera të rajonit, produktet shqiptare nuk po kanë mundësi të depërtojnë dhe për këtë shkak kërkohet rishikimi i tarifave doganore dhe i CEFTA-s.
“Eksiztojnë mjaft probleme të tjera si standartet, procedurat dhe praktikat, por problemi ynë kryesor mbeten barrierat doganore që ekzistojnë. Ne kemi qarkullim të lirë të njerëzve ndaj nuk ka arsye pse të mos kemi qarkullim të lirë të mallrave”, tha z. Luan Leka, President i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë. Ndërsa z. Nikolin Jaka, anëtar themelues i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, teksa theksoi rëndësinë e promovimit të produkteve shqiptare, u shpreh se ky organizim duhet të diktoje politika të reja doganore mes 2 vendeve, deri në heqjen e tarifave doganore.
Gjatë këtij Forumi të mbajtur në Pejë u diskutua dhe për dixhitalizimin e sipërmarrjeve prodhuese në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni duke vendosur në një platformë të vetme informacion për çdo fabrike prodhuese, si një nga mjetet kryesore të promovimit të produkteve shqiptare në tregjet e huaja.