1-Vjetori i Themelimit i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë

????????????????????????????????????

Më 11 dhjetor 2017, në ambjentet e “Te Stela Resort” u zhvillua ceremonia e 1-vjetorit të themelimit të Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, organizimi i vetëm vullnetar në vend që mbron interesat e gjithë sektorëve të prodhimit. Në ceremoni morën pjesë rreth 200 të ftuar, ministra e përfaqësues të institucioneve publike, ambasadorë,  përfaqësues të organizatave të huaja në Shqipëri, përfaqësues të USAID nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, partnerë nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës e Maqedonia, gazetarë dhe prodhues të të gjithë sektorëve në Shqipëri. Mbrëmja filloi me një ekspozitë të anëtarëve të Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, ku pjesëmarrësit patën mundësi të shikonin dhe provonin produkte shqiptare.

Në hyrje të ceremonisë, u prezantua një video promovuese e industrisë prodhuese shqiptare, me pamje nga fabrikat e anëtarëve të Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, ndër fabrikat më të mëdha të prodhimit në vend, me qëllim sensibilizimin e pjesëmarrësve nga  institucionet publike dhe organizatat e huaja në Shqipëri për sfidat, rëndësinë dhe përpjekjet e mëdha të sipërmarrësve prodhues vendas për të sjellë për konsumatorët shqiptarë produkte “Made in Albania” të një cilësie të lartë.

Sekretari i Përgjithshëm z. Arben Shkodra, falënderoi gjithë pjesëmarrësit për praninë e tyre dhe ftoi prodhuesit shqiptarë t’i bashkohen këtij organizimi kaq të rëndësishëm për sektorin e prodhimit në Shqipëri.

Z. Bardhyl Baltëza, President i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, prezantoi shkurtimisht ecurinë e shoqatës, me mbi 50 aktivitete të zhvilluara duke përfshirë workshope, seminare, B2B, takime pune me përfaqesues të qeverisë, tryeza teknike të Komiteteve të Politikave për çështje të caktuara lidhur me prodhimin. Z. Baltëza nënvizoi rëndësinë e marrëveshjeve të bashkëpunimit me partnerët nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës dhe Maqedonisë, dhe ftoi përfaqësuesit e qeverive të tre vendeve për të bashkëpunuar në drejtim te pengesave ekzistuese doganore. Presidenti prezantoi edhe përbërjen e shoqatës, me 30 anëtarë që përbëjnë në total një xhiro vjetore mbi 170 milionë euro, përfaqësojnë mbi 10 000 të punësuar, kanë mbi 100 milionë euro eksporte të shtrira në pothuajse të gjitha shtetet e Evropës, në SHBA, Kinë por edhe Afrikën Veriore dhe vlera e investimeve të të cilëve shkon më shumë se 500 milionë euro.

Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, znj. Sonila Qato, e cila u shpreh e befasuar nga puna e zhvilluar nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë në vetëm një vit dhe numri i madh i prodhuesve vendas, partnerëve nga Kosova, Maqedonia dhe organizatat e huaja që punojnë në Shqipëri, të mbledhur posaçërisht për të festuar një vjetorin e këtij organizimi të rëndësishëm për industrinë prodhuese shqiptare.  Znj. Qato vlerësoi komunikimin e vazhdueshëm me Sekretarin e Përgjithshëm, Presidentin e Shoqatës, Bordin Drejtues dhe anëtarët pjesëmarrës ne tryezat teknike të zhvilluara. Ministrja theksoi se bashkëpunimi do të vazhdojë dhe u shpreh e hapur për diskutime e takime të vazhdueshme me anëtarët e shoqatës për çështjet që i shqetësojnë ata në aktivitetin e tyre.

Z. Nagib Fejzi, Kryetar i Forumit Ekonomik te Prodhuesve Shqiptare tha se u shpreh se në të gjitha vendet e Evropës ku ka pasur rastin të shkojë, nuk ka gjetur një organizim kaq të konsoliduar dhe një frymë bashkëpunimi kaq të mirë siç ka ndodhur midis prodhuesve te Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë. Z. Fejzi u shpreh i bindur se Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, me kaq arritje vetëm në nje vit punë, po merr rolin e organizimit vullnetar më të rëndësishëm në Shqipëri përsa i përket industrisë së prodhimit dhe ftoi prodhuesit në Shqipëri të bëhen pjesë e këtij organizimi.

Fjalën e fundit përshëndetëse e mbajti z. Astrit Shabani nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës, i cili u shpreh se prodhuesit shqiptarë në Kosovë Maqedoni e Shqipëri i kanë hequr tashmë barrierat, dhe është rradha e qeverive respektive qe të bëjnë të njëjtën gjë. Pasi vlerësoi punën e prodhuesve shqiptarë të të gjitha trevave, ai ftoi konsumatorët shqiptarë të konsumojnë shqip, të konsumojnë produkte vendase sepse përveçse përfitojnë produkte cilësore, mbështesin konkurrimin e denjë të produkteve shqiptare në tregun evropian.

Pas ceremonisë, mbrëmja vazhdoi me darkën gala, ku u servir per të ftuarit ushqim me produkte shqiptare nga anëtarët e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, nën tingujt e muzikës live.