Në kuadër të aktivitetit të zhvilluar ditën e djeshme datë 18 shtator 2018, me nismën e lëvizjes “RRNO për me gatue” që ka për qëllim të ruajë, ri-krijimin, zhvillimin dhe të promovimin e ushqimeve dhe kuzhinës shqiptare, në një kënd dedikuar rëndësisë së cilësisë së produkteve vendore dhe ushqimit të shëndetshëm, u zhvillua një aktivitet tjetër, ku të pranishëm ishin 30 fëmijë të shkollës “Fan Noli”, në Tiranë.
Ky aktivitet u organizua nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë dhe u mundësua me mbështetjen e organizatës ndërkombëtare “Food and Agriculture Organization” FAO në Shqipëri, qëllimi i së cilës ishte informimi i fëmijëve mbi rëndësinë e ushqimit të shëndetshëm, sigurisë së ushqimit, dhe edukimin e gjeneratë së re se si duhet të ushqehet.
Moderimi nga ana e asistentit të përfaqësuesit të “Food and Agriculture Organization” FAO, në Shqipëri, z. Arben Kipi, mbi rëndësinë dhe sigurinë e një ushqimi të shëndetshëm, si dhe pjesëmarrja interaktive e fëmijëve të pranishëm me pyetje-përgjigje, përcolli mesazhin dhe informacion e nevojshëm mbi rëndësinë e mënyrës së të ngrënit dhe jetës së shëndetshme.