Nisur nga shqetësimet e shprehura dhe nga problematikat që kanë sjellur ndryshimet e fundit të paketës fiskale 2019, në ligjin nr. 9975, datë 28.07.2008 “Për Taksat Kombëtare”, të ndryshuar, dhe më konkretisht për taksën e lëndës së parë të importuar që përdoret për prodhimin, që hyri në fuqi në janar të këtij viti, prodhuesit shqiptarë vihen përballe një rrisku të madh në aspektin ekonomik-financiar të subjekteve të tyre duke çuar deri në mbyllje të aktiviteteteve të tyre prodhuese.
Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë pas tryezave teknike të zhvilluara me disa nga anëtarët në lidhje me ketë çështje dhe pasi ka analizuar situatën dhe efektet ekonomike –financiare dhe sociale që ka shkaktuar ky ndryshim i ligjit tek prodhuesit vendas, zhvilloi sot një tryezë diskutimi në të cilën morën pjesë subjekte nga fusha të ndryshme të industrisë së prodhimit, si prodhues të ambalazheve plastike, prodhues të materialeve të ndërtimit, bojra, polisterol, prodhues të tubave elektrike, kuti elektrike, aksesorë elektrikë, prodhues të guarnicioneve për dyer dhe dritare, prodhues të aluminit dhe plastikës, hekurit dhe nënprodukteve të tyre, prodhues të çizmeve dhe sandaleve plastike, prodhues tubash, etj, si dhe përfaqësues nga Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.
Gjatë mbledhjes subjektet treguan mbi dëmet ekonomike që u janë shkaktuar nga ndryshimi i ligjit, ulja e prodhimit vendas, ulja e eksporteve, shkurtimet e vendeve të punës deri në mbyllje të aktivitetit. Njëzëri prodhuesit u shprehën se me ndryshimet e këtij ligji goditen prodhuesit vendas dhe favorizohet importi. Ata kërkojnë nga instancat ligjvënëse rikthimin e ligjit të mëparshëm dhe taksa të shkojë 0.
Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë do të dalë së shpejti me një dokument zyrtar ku do të analizohen dhe do të jepen kostot dhe dëmet që u shkaktohen këtyre subjekteve, humbjet e miliona euro-ve investime, humbjet e vendeve të punës, uljet e prodhimit vendas, që automatikisht shkakton dhe një dëm ekonomik për vendin tone, si dhe kërkesa e propozime ndaj qeverisë për rishikimin e ligjit.