Fiskalizimi: Të shtyhet procesi, kërkon më shumë kohë për implementim

Në një intervistë të dhënë për Balkanweb, Sekretari i Përgjitshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë z. Arben Shkodra, shprehet se biznesi vlerëson sistemin e ri elektronik përmes të cilit do të regjistrojë dhe raportojë aktivitetin e tij financiar tek tatimet por kërkon më shumë kohë për implementimin e saj.

“Kemi disa shqetësime të cilat lidhen me mënyrën sesi është draftuar ky ligj dhe mendojmë që duhet të rishikohet. Jemi pro një dixhitalizimi të ekonomisë shqiptare por ai është një proces shumë i komplikuar dhe ka nevojë për më shumë hapsirë, dialog dhe verifikime, por ka nevojë dhe për një qasje tjetër midis dy aktorëve qeverisë dhe biznesit.” – shprehet z. Shkodra.

Sistemi i ri eliminon kasat fiskale që ka sot biznesi duke i zëvendësuar me një program inteligjent kompjuterik, i cili mund të instalohet në kompjutera apo dhe telefona smart. Për biznesin këto ndryshime prite të rrisin kostot e tyre.

“Ajo që bie në sy nga të gjithë propozimet është koha shumë e shpejt e implementimit e cila nuk do t’i lejojë të gjithë aktorët, si qeverinë, ndërmjetësit dhe përdoruesit final që janë bizneset të bëjnë investime kaq shpejt dhe cilësore. Do të ketë kosto të drejtëpërdrejta që lidhen me implementimin e ligjit, do të ketë dhe kosto indirekte me qëllim qasjen e të gjithë biznesit dhe natyrës të bërit biznes me këtë ligj dhe këtë reform”, tha Arben Shkodra.

Shumë shpejt “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë” do t’i paraqesë Ministrisë së Financave propozimet për fiskalizimin.

Ndiqni intervistën këtu.