PBB sipas Rajoneve Statistikore në Shqipëri, 2015

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT në vitin 2015, sipas rajoneve statistikore në nivel 1 (Republika e Shqipërisë), PBB me çmime korente është 1.427.799 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej rreth 2,23 %, krahasuar me vitin 2014.

Kontributin më të madh në rritjen ekonomike për vitin 2015, e ka dhënë Qarku Tiranë me +2,1 pikë përqindje, pasuar nga Qarku Durrës me + 0,76 pikë përqindje dhe Qarku Dibër me +0,36 pikë përqindje. Kontributin më të ulët në rritjen ekonomike e ka dhënë Qarku Fier me -0,81 pikë përqindje, i pasuar me Qarkun Elbasan me një kontribut prej -0,21 pikë përqindje dhe Qarkun Gjirokastër me një kontribut prej -0,15 pikë përqindje.

Në vitin 2015, sipas rajoneve statistikore në nivel 2, në rajonin Qendër, PBB me çmime korente ishte 671,0 miliardë lekë ose 47,0 %, ndaj totalit të PBB-së. Krahasuar me vitin 2014, për rajonin Qendër, PBB në terma reale shënoi një rritje prej 4,2 %. PBB me çmime korente në rajonin Jug ishte 420,1 miliardë lekë ose 29,4 %, ndaj totalit të vendit. Krahasuar me vitin 2014, në rajonin Jug, PBB në terma reale shënoi një rënie me 2,8 %. PBB me çmime korente në rajonin Veri ishte 336,6 miliardë lekë ose 23,6 % ndaj totalit të PBB-së. Krahasuar me vitin 2014, PBB në terma reale në rajonin Veri shënoi një rritje prej 5,3 %. Sipas rajoneve statistikore në nivel 3, rritjen më të lartë e shënoi Qarku Dibër me 11,5 %, në terma realë, i ndjekur nga Qarku Durrës me 8,2 % dhe Qarku Tiranë me 5,5 %. Rritja ekonomike u ngadalësua në Qarkun Fier, duke shënuar rënie në terma realë prej 6,0 %, pasuar me Qarkun Gjirokastër, PBB e të cilit ra me 5,7 % dhe në Qarkun Kukës me një rënie në terma realë prej 5,6 %.

Read more

Kredia për Bizneset, Rezultatet e Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues për Tremujorin e Dytë 2017

Nga rezultatet e vrojtimit të kryera nga  Departamenti i Politikës Monetare të Bankës së Shqipërisë, vihet re se  standardet e kredisë për bizneset kanë mbetur pothuajse të pandryshuara në tremujorin e dytë të vitit 2017. Kushtet e kreditimit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë lehtësuar disi, në përputhje dhe me pritjet e tremujorit të kaluar. Për ndërmarrjet e mëdha, ndryshe nga sa pritej, standardet e kredisë kanë mbetur të pandryshuara. Në tremujorin e tretë të vitit 2017, bankat presin që standardet e kreditimit të mbeten të pandryshuara, si në segmentin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ashtu edhe për ndërmarrjet e mëdha.

Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, standardet janë lehtësuar për kreditë për kapital qarkullues, ndërsa për kredinë për investime kanë mbetur të pandryshuara. Në tremujorin e ardhshëm pritet që standardet për të dy këto kategori të mos ndryshojnë.

Faktorët me ndikimin kryesor në lehtësimin e standardeve të kredisë për biznese në tremujorin e dytë rezultuan të jenë konkurrenca në tregun bankar dhe niveli i likuiditetit në sistem. Ndërkohë, faktorët e tjerë si: problemet specifike të sektorëve ku vepron biznesi; kreditë me probleme; perceptimi i bankave mbi situatën makroekonomike; si edhe mjaftueshmëria e kapitalit; vijojnë të ndikojnë në kahun shtrëngues.

Lehtësimi i standardeve të kreditimit të bizneseve në tremujorin e dytë të vitit 2017 u realizua kryesisht nëpërmjet uljes së komisioneve dhe uljes së marzhit mesatar. Ndërkohë, rritja e kërkesave për kolateral është faktor që ka vepruar në kahun shtrëngues.

Kërkesa për kredi ka mbetur pothuajse e pandryshuar në tremujorin e dytë të vitit 2017, e ndikuar më shumë nga segmenti i ndërmarrjeve të mëdha, ndërkohë që ndërmarrjet e vogla e të mesme kanë shfaqur rritje të kërkesës. Në tremujorin e dytë, bizneset kanë shfaqur kërkesë më të lartë për kredi për kapital qarkullues, ndërkohë kërkesa për kredi për investime ka mbetur e pandryshuar.  Në tremujorin e tretë të vitit, bankat presin rritje të kërkesës, të mbështetur si nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme ashtu edhe nga ndërmarrjet e mëdha.

Faktorët që kanë ndikuar kërkesën. Bankat raportojnë se kërkesa për kredi nga ana e bizneseve është mbështetur nga nevoja për financimin e kapitalit qarkullues dhe e investimeve, si dhe nga kushtet e favorshme të kreditimit. Kërkesa më e ulët për kredi është perceptuar nga bankat si pasojë e përdorimit të burimeve alternative të financimit jashtë sistemit bankar.

Publikimin e plotë të rezultateve të vrojtimit të aktivitetit kreditues për tremujorin e dytë 2017 do ta gjeni këtu

Read more

Shtator-Tetor 2017, Panairi Sllovak B2B

Agjencia Sllovake e Zhvillimit të Investimeve dhe Tregtisë (SARIO) po përgatit dy evente ndërkombëtare: Panairi Sllovak i Ndërmjetësimit në Bratislavë  më 19 Shtator 2017 dhe Panairi Sllovak i Ndërmjetësimit Kosice 2017, 30 Tetor, 2017.

Panairi Sllovak i Ndërmjetësimit është eventi më i madh ndërkombëtar i organizuar nga Agjencia Sllovake e Zhvillimit të Investimeve dhe Tregtisë (SARIO) në Sllovaki nën kujdesin e Ministrisë së Ekonomisë.

Ky event bën të mundur lidhjen e biznesit dhe potencialin prodhues me më shumë se 1500  kompani  nga 35 vende, veçanërisht në sektorët kryesorë ekonomikë si inxhinieri, TIK, energji, logjistikë R & D, risi automotive dhe sektorë të ndërlidhur.

Panairi Sllovak i Ndërmjetësimit u ofron subjekteve të biznesit mundësinë e negociatave dypalëshe të përshtatura sipas planit individual brenda një dite, për të gjetur kontakte të reja që lidhen me mundësitë e biznesit dhe investimeve. Ky panair gjithashtu siguron program shoqërues që pasqyron nevojat e komunitetit të biznesit dhe paraqet trendet e industrisë, zgjidhjet praktike dhe informacionet mbi çështjet aktuale.

Për më shumë informacion mbi eventet, ju lutemi vizitoni linkun më poshtë:

Panairi Sllovak i Ndërmjetësimit në Bratislavë

Panairi Sllovak i Ndërmjetësimit në Košice

Read more

Arben Shkodra: Tregtia në rajon, pengesat vijnë nga procedurat e ndryshme në dogana

Procedurat e ndryshme doganore vijojnë të pengojnë tregtinë Shqipëri-Kosovë, ndërsa prodhuesit vendas kërkojnë të mendohet seriozisht për njehsimin e procedurave edhe rritjen e konkurueshmërisë në vend.

Një zonë ekonomike e përbashkët në rajon, parashikuar në marrëveshjen e Triestes, shihet me shqetësim nga prodhuesit shqiptarë. Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, tregon se industritë në rajon mbështeten prej vitesh nga qeveritë e tyre, duke u bërë shumë më konkures në treg. Ndaj i kërkohet qeverisë shqiptare që të përcaktojë e mbështesë sektorët me të cilët vendi mund të jetë konkurues.

“Nëse nuk ecim me të njëjtin hap si fqinjët në rajon, nuk përjashtohet mundësia e dyndjes së prodhimeve fqinje në treg. Por, para integrimit rajonal, prodhuesit kërkojnë të njehsohen procedurat e Tregtisë me Kosovën. Procedura të ndryshme po bëhen pengesë edhe në atë që zoti Shkodra e quan hapin e parë të integrimit tregtar, tregtia Shqipëri- Kosovë. Në takimet e zhvilluara këtë vit, si prodhuesit e Kosovës edhe ata shqiptarë tregohen të interesuar për të bashkëpunuar. Por shpesh herë kontenierët mbetën me ditë të tëra në dogana”, u shpreh z.Shkodra.
Read more

Komiteti Kombëtar i Lehtësimit të Tregtisë, sesion informues për procedurat e Kodit të ri Doganor

Komiteti Kombëtar i Lehtësimit të Tregtisë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, organizoi një sesion të përbashkët informues mbi dispozitat e reja të Kodit Doganor. Në këtë sesion ishin të pranishëm përfaqësues të Dhomës Kombëtare të Tregtisë dhe Industrisë, Shoqata e Agjentëve Doganorë, Ambasada Gjermane, përfaqësues të Biznesit etj.

Përgjatë këtij takimi, përfaqësuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave informuan mbi zhvillimet më të fundit ligjore të përcjella nga hyrja në fuqi e Kodit Doganor. Ky takim mundësoi një dialog midis institucioneve qeveritare dhe biznesit për tu njohur më nga afër me ndryshimet e reja ligjore, por edhe për tu përcjellë problematika e deritanishme. Përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave sqaruan se Kodi i ri Doganor përafron më tej procedurat doganore evropiane.

Gjithashtu, u sqaruan disa koncepte si Operatori Ekonomik i Autorizuar, procedurat e zhdoganimit lokal, deklarimi i thjeshtuar, trajtimi tarifor favorizues, magazinimi doganor dhe ai i përkohshëm etj.

Përgjatë takimit u ngrit shqetësimi se biznesi nuk ka kapacitete të ndjekë zhvillimet e vazhdueshme të legjislacionit doganor. Për këtë qëllim do të përgatitet një kalendar sesionesh informuese mbi procedurat e Kodit të ri Doganor, nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes nëpërmjet Komitetit Kombëtar të Lehtësimit të Tregtisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Agjencive Doganore dhe biznesit, sipas nevojave të tyre. Takime të tilla do të zhvillohen në muajt në vijim.

Read more

Tatimet: Njoftim për saktësimin e të dhënave të punëmarrësve në listëpagesat e deklaruara nga punëdhënësit e tyre

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve është vënë në dukje një problematikë nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, lidhur me mospërputhjen në disa raste të numrit të identifikimit (ID), të kartës personale të identitetit me emrat e punëmarrësve, apo edhe emra të deklaruar gabim në listepagesat, nga punëdhënësit e tyre.

Bazuar në Ligjin Nr. 9136, datë 11.09.2003 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”, i ndryshuar, çdo punëdhënës, është përgjegjës për mbajtjen e kontributeve të punëmarrësit dhe deklarimin e pagesës në organet tatimore, së bashku me kontributet e punëdhënësit.
Sipas nenit 15 të këtij ligji, çdo tatimpagues deklarues (punëdhës), është i detyruar që të vendosë në listëpagesë numrin personal të çdo punonjësi të punësuar prej tij.

Kujtojmë çdo tatimpagues, që të jetë i saktë në deklarimin e këtyrë të dhënave, pasi çdo gabim përveçse është penalizues për vetë ato, sjell pasoja edhe për punëmarrësit e tyre, përsa i takon përfitimeve që ato do të kenë, përkundrejt kontributeve të paguara realisht.

Read more

INSTAT: Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit, Qershor 2017

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT ndryshimi vjetor i Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit në muajin Qershor 2017 është 3,7 %. Ky ndryshim, është ndikuar kryesisht nga rritja vjetore e çmimeve të grupit “ushqime dhe pije joalkoolike” me 8,8 %, pasuar nga grupet “mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,1 %, “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,8 %, “argëtim dhe kulturë” me 1,6 %, etj.  Ndërsa, çmimet e grupit “veshje dhe këpucë” u ulën me 2,4 %, pasuar nga grupi “mobilje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 1,4 %.

Në Qershor 2017, ndryshimi mujor i Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit është -0,3 %. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit “ushqime dhe pije jo alkoolike”.

 

Read more

31 korrik i vitit kalendarik afati i deklarimit elektronik të vendimit të ortakut

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në një njoftim zyrtar lajmëron së referuar nenit 33/1, pika 2 të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, shoqëritë tregtare dhe personat fizikë të cilët janë subjekte të tatimit mbi fitimin, duhet të depozitojnë pranë organeve tatimore, jo më vonë se data 31 korrik e vitit kalendarik, vendimin për miratimin e rezultatit dhe destinimin e fitimit pas tatimit të vitit paraardhës. Për mos paraqitjen apo paraqitjen me vonesë të këtij vendimi zbatohet një gjobë prej 10 000 (dhjetë mijë) lekësh për çdo muaj vonesë.

Sipas raportit të gjeneruar nga sistemi informatik i administrates tatimore, rezulton se një numër i konsiderueshëm tatimpaguesish të tatimit mbi fitimin nuk kanë paraqitur vendimin e ortakut për miratimin e rezultatit dhe destinimin e fitimit pas tatimit për vitet 2014 dhe 2015. Në këtë mënyrë, për këto tatimpagues, në sistem vazhdojnë të llogariten çdo muaj gjobat përkatëse, duke rënduar kështu situatën e tyre të detyrimeve të papaguara.

Lidhur me këtë problem, administrata tatimore fton të gjithë tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin për paraqitjen sa më parë në rrugë elektronike të vendimit të ortakut për miratimin e rezultatit dhe destinimin e fitimit pas tatimit, në mënyrë që të ndërpritet llogaritja e gjobave dhe të mos rëndohet më tej situata e detyrimeve të papaguara.

Administrata tatimore, kujton të gjithë tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin, se brenda datës 31 korrik duhet të paraqesin edhe vendimin e ortakut për miratimin e rezultatit dhe destinimin e fitimit pas tatimit të vitit 2016. Pas kësaj date fillon llogaritja në mënyrë automatike e gjobave për tatimpaguesit që nuk e kanë paraqitur këtë vendim.

Read more

Njoftim për zbatimin e procesit të fshirjes së detyrimeve tatimore me kusht

Në zbatim të ligjit “Për pagesën dhe fshirjen e pjesshme të detyrimeve tatimore, doganore, si dhe procedura e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit” dhe Udhëzimit të Ministrisë së Financave në zbatim të tij, për fshirjen me kusht të detyrimeve për periudhat Janar 2011-Dhjetor 2014, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaron se:

  • Tatimpaguesit duhet të logohen në llogarinë e tyre e-filing.
  • Në rubrikën “Kontabilitet” klikojnë në nënmenunë “Urdhërpagesat”
  • Zgjedhin Urdhërpagesën përkatëse dhe e printojnë atë.

Më pas mund të drejtohen në çdo bankë të nivelit të dytë duke kryer pagesën vetëm për detyrimin principal për tatimin/taksën/tarifën/kontributin.

Sapo sistemi tatimor të njohë likujdimin e detyrimit, ekzekuton fshirjen e gjobës dhe kamatëvonesës lidhur me të. Për t’u njohur me llojet e detyrimeve të cilat përfitojnë nga fshirja me kusht vizitoni edhe faqen tonë zyrtare në rubrikën Legjislacioni/Akte 2017.

Kujtojmë se tatimpaguesit mund të përfitojnë nga fshirja me kusht e detyrimeve nëse paguajnë detyrimin principal deri më 31/12/2017.

 

Read more

INSTAT: Ulen eksportet – Qershor 2017, rritet deficiti tregtar

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në Qershor 2017 eksportet e mallrave arritën vlerën 23 mld lekë, duke u ulur me 0,3 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 7,1 %, në krahasim me Maj 2017. Importet e mallrave në Qershor 2017 arritën vlerën 56 mld lekë, duke u rritur me 8,4 %, në krahasim me një vit më parë dhe me 1,3 %, në krahasim me Maj 2017. Deficiti tregtar i këtij muaji është 34 mld lekë, duke u rritur me 15,1 %, krahasuar me Qershor 2016 dhe me 7,9 %, në krahasim me Maj 2017.
 
Në gjashtë muajt e parë eksportet e mallrave arritën vlerën 133 mld lekë, duke u rritur me 13,5 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 295 mld lekë, duke u rritur me 5,6 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 162 mld lekë, duke u ulur me 0,1 %, krahasuar me 2016
Rënia vjetore e eksporteve prej -0,3 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -11,4 pikë përqindje dhe “prodhime druri dhe letre” me -0,02 pikë përqindje. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në ndryshimin vjetor të eksporteve, janë: “materiale ndërtimi dhe metale” me +4,5 pikë përqindje, “tekstile dhe këpucë” me +3,8 pikë përqindje dhe “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +1,6 pikë përqindje.
 
Eksportet, gjatë gjashtëmujorit të parë janë rritur me +13,5 %, krahasuar me gjashtëmujorin e parë 2016. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “materiale ndërtimi dhe metale” me +5,3 pikë përqindje, “tekstile dhe këpucë” me +3,6 pikë përqindje, “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +1,9 pikë përqindje. Grupi që ka ndikuar negativisht në ndryshimin vjetor të eksporteve, është “prodhime druri dhe letre” me -0,1 pikë përqindje.
Read more