info@prodhuesit.org

Projektligji për produktet e ndërtimit: çfarë ndryshon për prodhuesit

Projektligji “Për tregtimin e produkteve të ndërtimit” synon të garantojë produkte ndërtimi të sigurta, me performancë të dokumentuar dhe të gjurmueshme, duke përafruar pjesërisht rregullat shqiptare me ato të BE-së. Ai përfshin edhe produktet e përdorura, pjesët kyçe dhe produktet e printuara në 3D.

Detyrimet kryesore

Sipas specifikimeve dhe sistemit të zbatueshëm për produktin, prodhuesit duhet:

  • Të vlerësojnë dhe dokumentojnë performancën, të hartojnë deklaratën e performancës dhe konformitetit kur kërkohet dhe të mbajnë përgjegjësi për saktësinë e saj. Mungesa e deklaratës së detyrueshme ose mospërputhja pengon tregtimin.
  • Të kontrollojnë vazhdimisht prodhimin dhe të rivlerësojnë produktin kur ndryshimet në materiale, projektim ose proces ndikojnë në performancë apo konformitet.
  • Të identifikojnë produktin me kod unik dhe, kur është e mundur, numër serie ose partie. Dokumentet, udhëzimet dhe informacioni i sigurisë duhet të jenë në shqip dhe informacioni i kërkuar të jepet para blerjes, edhe online. Kur kërkohen aftësi të specializuara, vendoset shënimi “Vetëm për përdorim profesional”.
  • Të sigurojnë gjurmueshmërinë e furnizimeve dhe të ruajnë dokumentacionin përgjithësisht për 10 vjet, me përjashtimin përkatës për pasaportën digjitale. Dokumentet e kërkuara nga autoriteti paraqiten brenda 10 ditëve.
  • Të marrin menjëherë masa për produktet problematike. Kur produkti paraqet rrezik, njoftimi bëhet pa vonesë, jo më vonë se tre ditë pune. Për rrezik serioz, tërheqja dhe kthimi kryhen me shpenzimet e prodhuesit.

Jo çdo produkt kërkon laborator ose organ certifikimi. Ndërhyrja e palës së tretë varet nga sistemi përkatës; në sistemin 4, vlerësimin dhe kontrollin i kryen prodhuesi.

Markimi CE

Deri në anëtarësimin në BE, CE nuk është përgjithësisht i detyrueshëm sipas projektligjit, përveçse kur një marrëveshje Shqipëri–BE parashikon ndryshe. Kur një produkt shqiptar tregtohet me CE dhe kërkohet palë e tretë, procedurat kryhen nga organizma evropianë të notifikuar ose degët e tyre të regjistruara në Shqipëri.

Kjo nuk heq detyrimet e tjera për dokumentacionin, performancën dhe sigurinë, as kërkesat evropiane për eksportet në BE.

Kërkesat mjedisore dhe digjitale

Parashikohet deklarimi i ndikimit mjedisor gjatë ciklit jetësor, përfshirë paketimin, me përllogaritje përmes programit që ministria do të ofrojë pa pagesë. Treguesit zbatohen me faza: ndikimet klimatike nga 1 dhjetori 2027, grupi i dytë nga 9 janari 2030 dhe grupi i tretë nga 9 janari 2032.

Pasaporta digjitale do të përmbledhë dokumentet dhe të dhënat e produktit. Detyrimet për të fillojnë kur Shqipëria fiton akses në sistemin evropian ose anëtarësohet në BE, cilado ngjarje të ndodhë e para.

Lehtësimet dhe mundësitë

Projektligji parashikon përdorimin e rezultateve ekzistuese të testimit në kushte të caktuara, procedura të thjeshtuara për mikro-ndërmarrjet dhe përjashtime të kufizuara për prodhime individuale, me porosi ose për trashëgiminë kulturore. Prodhuesit mund të kërkojnë të dhëna nga furnitorët dhe informacion falas nga pika e kontaktit.

Dokumentimi i cilësisë dhe performancës mjedisore mund të forcojë besueshmërinë e produkteve dhe mundësitë në prokurimin e gjelbër ose skemat e stimujve, pa garantuar subvencione apo kontrata.

Afatet dhe sanksionet

Zbatimi i përgjithshëm parashikohet një vit pas hyrjes në fuqi, me afate të posaçme për disa kërkesa. Deri më 8 janar 2040 lejohet edhe rruga kalimtare e tregtimit sipas standardeve, dokumenteve dhe deklaratës së performancës përkatëse; kjo nuk përbën përjashtim të përgjithshëm nga detyrimet.

Për shkelje të caktuara parashikohet gjobë 2% e xhiros vjetore të vitit pararendës, jo më pak se 200.000 lekë; për të tjera, 150.000, 100.000 ose 50.000 lekë. Përsëritja sipas kushteve të parashikuara rrit gjobën me 50%. Mund të vendosen edhe ndalim tregtimi, tërheqje produktesh dhe rimbursim kostosh kontrolli.

Prodhuesit duhet të përgatitin dosjet teknike, kontrollet e prodhimit, gjurmueshmërinë, etiketat dhe të dhënat mjedisore, duke planifikuar investimet sipas kërkesave dhe afateve për produktin konkret.

Projektligjin e plotë dhe relacionin e tij mund ta gjeni në faqen e konsultimeve publike, aty mund te lini komente dhe sugjerime deri në datën 29 tetor 2026.

https://konsultimipublik.gov.al

Read more

Inflacioni në eurozonë shton presionin mbi prodhuesit shqiptarë

Rritja e inflacionit në ekonomitë kryesore të eurozonës paralajmëron presion të shtuar për prodhuesit shqiptarë.

Sipas analizës së Reuters të 30 shtatorit 2026, inflacioni u përshpejtua në shtator në disa prej ekonomive kryesore të eurozonës: në Gjermani arriti 3,3%, nga 2,9% në gusht, në Francë 3,4%, nga 2,6%, dhe në Itali 4,1%, nga 3,2%. Reuters e lidh përshpejtimin kryesisht me shtrenjtimin e energjisë.

Në Shqipëri, inflacioni vjetor ishte 3,2% në gusht, kundrejt 3,4% në korrik (të dhënat shqiptare për shtatorin ende nuk janë publikuar). Kjo tregon ngadalësim të ritmit ndaj muajit paraardhës, por jo ulje të nivelit të çmimeve.

Për prodhuesit shqiptarë, shqetësimi kryesor është rritja e mundshme e kostove në një treg që mund të përballojë më vështirë çmime më të larta. Shtrenjtimi i energjisë mund të transmetohet te materialet dhe transporti i importuar, ndërsa presioni mbi buxhetet e klientëve evropianë mund të frenojë porositë.

Më të ekspozuara janë ndërmarrjet që varen nga energjia dhe inputet e importuara, eksportojnë në eurozonë dhe kanë kontrata shitjeje me çmime fikse.

Read more

A e dini se farat autoktone shqiptare ruhen edhe në Arktik?

Në Svalbard, pranë Polit të Veriu Kasaforta Botërore e Farave strehon mbi 1,4 milion mostra farash nga më shumë se 6 500 specie. Shqipëria ka kontribuar në këtë koleksion me 1 140 mostra, të depozituara gjatë viteve 2023 dhe 2024.

Mes tyre ka fara misri, gruri dhe fasuleje.

Të mbajtura në temperaturën −18°C, ato shërbejnë si rezervë sigurie në rast se koleksionet origjinale dëmtohen ose humbasin.

Në Shqipëri, për këtë pasuri kujdeset Banka Gjenetike pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës, e cila numëron mijëra mostra të burimeve gjenetike bimore. Koleksioni përfshin edhe varietete tradicionale, të përzgjedhura dhe të trashëguara brez pas brezi nga fermerët.

Një shembull i kësaj trashëgimie është misri “Sulova”, që vazhdon të kultivohet në Shqipëri që prej shekullit XVII. Ky misër me kokrra të bardha vlerësohet për miellin e përdorur në përgatitjen e bukës dhe ballakumeve.

Nga tokat shqiptare deri në kasafortën e Svalbardit, këto fara mbartin histori, shije dhe trashëgimi. Të kultivuara dhe të përdorura në produktet “Made in Albania”, ato sjellin në tryezë atë që brezat kanë përzgjedhur me kujdes në ara.

Read more