Në Svalbard, pranë Polit të Veriu Kasaforta Botërore e Farave strehon mbi 1,4 milion mostra farash nga më shumë se 6 500 specie. Shqipëria ka kontribuar në këtë koleksion me 1 140 mostra, të depozituara gjatë viteve 2023 dhe 2024.
Mes tyre ka fara misri, gruri dhe fasuleje.
Të mbajtura në temperaturën −18°C, ato shërbejnë si rezervë sigurie në rast se koleksionet origjinale dëmtohen ose humbasin.
Në Shqipëri, për këtë pasuri kujdeset Banka Gjenetike pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës, e cila numëron mijëra mostra të burimeve gjenetike bimore. Koleksioni përfshin edhe varietete tradicionale, të përzgjedhura dhe të trashëguara brez pas brezi nga fermerët.
Një shembull i kësaj trashëgimie është misri “Sulova”, që vazhdon të kultivohet në Shqipëri që prej shekullit XVII. Ky misër me kokrra të bardha vlerësohet për miellin e përdorur në përgatitjen e bukës dhe ballakumeve.
Nga tokat shqiptare deri në kasafortën e Svalbardit, këto fara mbartin histori, shije dhe trashëgimi. Të kultivuara dhe të përdorura në produktet “Made in Albania”, ato sjellin në tryezë atë që brezat kanë përzgjedhur me kujdes në ara.



