Inspektorati i Përgjithshëm zhvilloi një tryezë dialogu me shoqatat dhe dhomat përfaqësuese të biznesit, në kuadër të reformimit të sistemit të inspektimit dhe ndërtimit të një raporti të ri me sipërmarrjen.
Në fjalën e tij, Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”, theksoi se sfida kryesore është që kjo frymë reformuese të reflektohet edhe te inspektorët në terren, aty ku biznesi përballet drejtpërdrejt me kontrollin dhe zbatimin e ligjit.
Z. Shkodra rikujtoi se përafrimi me legjislacionin e Bashkimit Europian do të sjellë kërkesa më të ndërlikuara, detyrime të reja dhe kosto shtesë për sipërmarrjen.
Në këtë proces, paralajmëroi ai, ekziston rreziku që derregullimi të pasohet nga mbirregullimi, duke shtuar barrën mbi bizneset në një periudhë kur ato duhet të përshtaten me standarde të reja.
Z. Shkodra propozoi që deri në vitin 2027 inspektimet të kenë kryesisht karakter këshillues: të evidentojnë mangësitë, të orientojnë biznesin dhe t’i japin kohën e nevojshme për t’u përshtatur përpara aplikimit të sanksioneve.




