info@prodhuesit.org

Blog

Projektligji për produktet e ndërtimit: çfarë ndryshon për prodhuesit

Projektligji “Për tregtimin e produkteve të ndërtimit” synon të garantojë produkte ndërtimi të sigurta, me performancë të dokumentuar dhe të gjurmueshme, duke përafruar pjesërisht rregullat shqiptare me ato të BE-së. Ai përfshin edhe produktet e përdorura, pjesët kyçe dhe produktet e printuara në 3D.

Detyrimet kryesore

Sipas specifikimeve dhe sistemit të zbatueshëm për produktin, prodhuesit duhet:

  • Të vlerësojnë dhe dokumentojnë performancën, të hartojnë deklaratën e performancës dhe konformitetit kur kërkohet dhe të mbajnë përgjegjësi për saktësinë e saj. Mungesa e deklaratës së detyrueshme ose mospërputhja pengon tregtimin.
  • Të kontrollojnë vazhdimisht prodhimin dhe të rivlerësojnë produktin kur ndryshimet në materiale, projektim ose proces ndikojnë në performancë apo konformitet.
  • Të identifikojnë produktin me kod unik dhe, kur është e mundur, numër serie ose partie. Dokumentet, udhëzimet dhe informacioni i sigurisë duhet të jenë në shqip dhe informacioni i kërkuar të jepet para blerjes, edhe online. Kur kërkohen aftësi të specializuara, vendoset shënimi “Vetëm për përdorim profesional”.
  • Të sigurojnë gjurmueshmërinë e furnizimeve dhe të ruajnë dokumentacionin përgjithësisht për 10 vjet, me përjashtimin përkatës për pasaportën digjitale. Dokumentet e kërkuara nga autoriteti paraqiten brenda 10 ditëve.
  • Të marrin menjëherë masa për produktet problematike. Kur produkti paraqet rrezik, njoftimi bëhet pa vonesë, jo më vonë se tre ditë pune. Për rrezik serioz, tërheqja dhe kthimi kryhen me shpenzimet e prodhuesit.

Jo çdo produkt kërkon laborator ose organ certifikimi. Ndërhyrja e palës së tretë varet nga sistemi përkatës; në sistemin 4, vlerësimin dhe kontrollin i kryen prodhuesi.

Markimi CE

Deri në anëtarësimin në BE, CE nuk është përgjithësisht i detyrueshëm sipas projektligjit, përveçse kur një marrëveshje Shqipëri–BE parashikon ndryshe. Kur një produkt shqiptar tregtohet me CE dhe kërkohet palë e tretë, procedurat kryhen nga organizma evropianë të notifikuar ose degët e tyre të regjistruara në Shqipëri.

Kjo nuk heq detyrimet e tjera për dokumentacionin, performancën dhe sigurinë, as kërkesat evropiane për eksportet në BE.

Kërkesat mjedisore dhe digjitale

Parashikohet deklarimi i ndikimit mjedisor gjatë ciklit jetësor, përfshirë paketimin, me përllogaritje përmes programit që ministria do të ofrojë pa pagesë. Treguesit zbatohen me faza: ndikimet klimatike nga 1 dhjetori 2027, grupi i dytë nga 9 janari 2030 dhe grupi i tretë nga 9 janari 2032.

Pasaporta digjitale do të përmbledhë dokumentet dhe të dhënat e produktit. Detyrimet për të fillojnë kur Shqipëria fiton akses në sistemin evropian ose anëtarësohet në BE, cilado ngjarje të ndodhë e para.

Lehtësimet dhe mundësitë

Projektligji parashikon përdorimin e rezultateve ekzistuese të testimit në kushte të caktuara, procedura të thjeshtuara për mikro-ndërmarrjet dhe përjashtime të kufizuara për prodhime individuale, me porosi ose për trashëgiminë kulturore. Prodhuesit mund të kërkojnë të dhëna nga furnitorët dhe informacion falas nga pika e kontaktit.

Dokumentimi i cilësisë dhe performancës mjedisore mund të forcojë besueshmërinë e produkteve dhe mundësitë në prokurimin e gjelbër ose skemat e stimujve, pa garantuar subvencione apo kontrata.

Afatet dhe sanksionet

Zbatimi i përgjithshëm parashikohet një vit pas hyrjes në fuqi, me afate të posaçme për disa kërkesa. Deri më 8 janar 2040 lejohet edhe rruga kalimtare e tregtimit sipas standardeve, dokumenteve dhe deklaratës së performancës përkatëse; kjo nuk përbën përjashtim të përgjithshëm nga detyrimet.

Për shkelje të caktuara parashikohet gjobë 2% e xhiros vjetore të vitit pararendës, jo më pak se 200.000 lekë; për të tjera, 150.000, 100.000 ose 50.000 lekë. Përsëritja sipas kushteve të parashikuara rrit gjobën me 50%. Mund të vendosen edhe ndalim tregtimi, tërheqje produktesh dhe rimbursim kostosh kontrolli.

Prodhuesit duhet të përgatitin dosjet teknike, kontrollet e prodhimit, gjurmueshmërinë, etiketat dhe të dhënat mjedisore, duke planifikuar investimet sipas kërkesave dhe afateve për produktin konkret.

Projektligjin e plotë dhe relacionin e tij mund ta gjeni në faqen e konsultimeve publike, aty mund te lini komente dhe sugjerime deri në datën 29 tetor 2026.

https://konsultimipublik.gov.al