Projektligji propozon të ndryshojë mënyrën si planifikohet, jepet dhe kontrollohet mbështetja publike për bujqësinë dhe zonat rurale. Ai synon të zëvendësojë ligjin e vitit 2007 dhe të përafrojë rregullat shqiptare me Politikën e Përbashkët Bujqësore të Bashkimit Europian.
Mbështetja për fermerët dhe investimet në zonat rurale do të planifikohet mbi bazën e një strategjie shtatëvjeçare me objektiva të matshëm. Sipas propozimit, pagesat për sipërfaqe ose për krerë do t’u jepen fermerëve aktivë dhe do të lidhen me respektimin e kërkesave ligjore dhe të praktikave të mira bujqësore e mjedisore. Fermerët e vegjël që përfitojnë pagesën e thjeshtuar përjashtohen nga ky kushtëzim.
Ministria do të planifikojë mbështetjen, Agjencia e Pagesave do të administrojë dhe kontrollojë pagesat, ndërsa një organ i pavarur do të certifikojë llogaritë. Projektligji parashikon gjithashtu identifikimin e parcelave dhe monitorimin satelitor të sipërfaqeve bujqësore.
Konsultimi publik është i hapur deri më 22 dhjetor 2026
Për më tepër informacion: https://konsultimipublik.gov.al/Konsultime/Detaje/1104



