info@prodhuesit.org

Ndryshon ligji i inspektimeve!

Ndryshon ligji i inspektimeve! Me miratimin e ndryshimeve në ligjin “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, synohet më shumë transparencë, më pak burokraci dhe shërbime më efikase për biznesin.

Ndryshimet parashikojnë rritjen e digjitalizimit, uljen e komunikimit fizik mes administratës dhe biznesit, si edhe përzgjedhjen e subjekteve për inspektim në bazë risku nga sistemi dhe jo nga inspektori.

Ligji lidhet ngushtësisht me procesin e integrimit europian dhe prek drejtpërdrejt klimën e të bërit biznes në Shqipëri.

Read more

Nga Europa, në Kinë e SHBA materialet e ndërtimit “Made in Albania” gjenden kudo në botë

Një pallat në Itali.

Një resort në SHBA.

Një kantier në Kinë.

Në secilin prej tyre mund të ketë një pjesë Shqipërie.

Materialet e ndërtimit të prodhuara në vendin tonë gjenden sot në shumë ndërtesa në rajon, në vendet e Bashkimit Europian, por edhe më larg, deri në SHBA e Kinë.

Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë vitit 2025 eksportet e grupit “materiale ndërtimi dhe metale” arritën në afro 460 milionë euro. Brenda këtij grupi, materialet e ndërtimit zënë një pjesë të rëndësishme: rreth 70 milionë euro çimento, deri në 30 milionë euro gurë ndërtimi, mermer dhe granit, si dhe rreth 10 milionë euro gëlqere, gips dhe materiale të tjera.

Në vend operojnë dhjetëra kompani që merren me prodhimin dhe përpunimin e materialeve të ndërtimit, të cilat furnizojnë edhe tregjet ndërkombëtare.

Ajo që ndërtohet jashtë, shpesh nis nga këtu — në Shqipëri.

Read more

Vera shqiptare ka shkuar shumë më larg se Europa. Sot gjendet edhe në Japoni

Një japonez që pi verë shqiptare?

Dikur do dukej çudi… sot është krejt normale.

Vera shqiptare ka shkuar shumë më larg se Europa. Sot gjendet edhe në Japoni — një nga vendet më kërkuese për cilësinë në botë.

Në 6-mujorin e parë 2025, Shqipëria eksportoi anekënd botës rreth 17,785 ton verë, me rritje +82% krahasuar me një vit më parë.

“Made in Albania” — nga duart tona, në tregjet ndërkombëtare.

Read more

“Kapitali njerëzor të jetë prioritet kombëtar në procesin e integrimit të biznesit në tregun e BE-së!”

Këtë mesazh përcolli Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”, Arben Shkodra, gjatë aktivitetit “Integrimi i Biznesit në Tregun Europian”, organizuar nga Swisscontact Albania në bashkëpunim me SWISSA Albania.

Sipas tij, përgatitja e biznesit për standardet europiane nuk lidhet vetëm me investimet në teknologji apo financim, por edhe me zhvillimin e aftësive dhe kualifikimin e forcës së punës që do t’u nevojiten kompanive për të konkurruar në tregun e përbashkët europian.

Gjatë aktivitetit, Z. Shkodra u shpreh në lidhje me shtyllat kryesore të Programit Kombëtar për Mbështetjen e Biznesit në procesin e integrimit në BE: Ky program po përgatitet nga qeveria, vëmendje do t`i kushtohet transformimit të kompanive me në fokus kapitalin njerëzor.

Programi do të jetë në mbështetje të të gjithë procesit që do të kërkojë përshtatje graduale me standardet dhe kërkesat e Bashkimit Europian.

Read more

Prodhuesit shqiptarë kanë nevojë për profesionistë të kualifikuar për të përballuar sfidat e integrimit!

Në Konferencën e 3-të Kombëtare të Arsimit dhe Formimit Profesional, Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”, Arben Shkodra, theksoi se mungesa e aftësive profesionale po kthehet në një pengesë për zhvillimin e sipërmarrjes, në një kohë kur bizneset duhet të përgatiten për konkurrencën në tregun europian dhe për ndryshimet që sjell Industria 5.0.

Z. Shkodra nënvizoi se arsimi profesional, përgatitja për integrimin në tregun europian dhe përshtatja me transformimin teknologjik të industrisë janë sfida që kërkojnë bashkëpunim më të ngushtë mes arsimit dhe sipërmarrjes.

Sipas tij, vetëm përmes investimit te kapitali njerëzor mund të ndërtojmë një ekonomi më produktive, më konkurruese dhe më të përgatitur për të ardhmen.

Read more

Integrimi, kompanitë kanë nevojë për informim, ndërgjegjësim dhe transformim të vazhdueshëm.

Përgatitja e kompanive shqiptare për tregun e përbashkët europian kërkon informim, ndërgjegjësim dhe transformim të vazhdueshëm. Ky ishte mesazhi i Sekretarit të Përgjithshëm të Shoqatës “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”, Arben Shkodra, në takimin e tretë të Komitetit të Përbashkët Konsultativ të Shoqërisë Civile BE-Shqipëri.

Z. Shkodra njoftoi se përveç harmonizimit të legjislacionit me Bashkimin Europian, po punohet për reformimin e sistemit të përfaqësimit të sipërmarrjes, përmirësimin e regjistrit të biznesit dhe ngritjen e një procesi të gjerë komunikimi me kompanitë gjatë rrugëtimit drejt integrimit.

Sipas tij, hyrja në tregun e përbashkët europian kërkon standardizimin e produkteve dhe proceseve të prodhimit, përmbushjen e kërkesave teknike dhe sigurimin e certifikimeve të nevojshme, në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga kapitujt e negociatave me BE-në.

Z. Shkodra theksoi gjithashtu se informaliteti dhe dezinformimi mbeten ndër faktorët që dëmtojnë mbrojtjen e konsumatorit dhe konkurrencën e ndershme në treg.

Read more

“Biznesi shqiptar të nisë transformimin për integrimin në BE, përndryshe sfida mund të kthehet në dështim.”

“Na pret “dimri i madh”! Biznesi shqiptar të nisë transformimin për integrimin në Bashkimin Europian, përndryshe sfida mund të kthehet në dështim.” Ky ishte mesazhi i Sekretarit të Përgjithshëm të Shoqatës “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”, Arben Shkodra, i ftuar në “Euroneës Albania” për të folur mbi sfidat që sjell procesi i integrimit për sipërmarrjet.

Sipas tij, Shqipëria po përballet me një ritëm shumë të shpejtë përafrimi të legjislacionit me atë të BE-së, ndërsa bizneset kanë nevojë për më shumë kohë, informacion dhe orientim për të kuptuar ndryshimet që kërkohen.

Z. Shkodra theksoi se tregu i BE-së me rreth 450 milionë konsumatorë përfaqëson një mundësi të madhe për prodhuesit shqiptarë, por hyrja në të kërkon investime të konsiderueshme në standarde, teknologji dhe procese prodhimi.

Ai nënvizoi se bizneset kanë nevojë për një proces të strukturuar përgatitjeje: informim dhe ndërgjegjësim, nisjen e transformimit të brendshëm, si dhe mbështetje financiare dhe jofinanciare për të përballuar kostot e tranzicionit.

“Duhet të kalojmë klasën, por edhe të mbajmë notën”, u shpreh Z. Shkodra, duke theksuar se nëse procesi nis tani, pesë vitet e ardhshme mund të shfrytëzohen për të ndihmuar bizneset që të përgatiten për konkurrencën në tregun europian.

Read more

“Made in Albania”, artizanët japin mendimet dhe propozimet e tyre për projektligjin

Artizanët, duarartët që ruajnë dhe përcjellin traditat e të parëve tanë, ishin të radhës që dhanë mendimet dhe propozimet e tyre për projektligjin “Made in Albania”, në tryezën e tretë konsultuese të organizuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Shoqata “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”.

Gjatë takimit, ata ndanë sfidat me të cilat përballen në përditshmëri dhe paraqitën kërkesa konkrete për çështjet që, sipas tyre, duhet të adresohen nga projektligji.

Mes problematikave kryesore u renditën vështirësitë për sigurimin e lëndës së parë, mungesa e laboratorëve certifikues, nevoja për etiketim dhe identifikim më të qartë të produkteve shqiptare, mungesa e makinerive dhe fuqisë punëtore, si edhe konkurrenca nga informaliteti.

Artizanët kërkuan më shumë mbështetje për ruajtjen e traditës dhe përcjelljen e zanateve te brezi i ri, duke propozuar ngritjen e grupeve të punës dhe kthimin e ateliereve në hapësira ku mjeshtëria artizanale të transmetohet ndër breza.

Në diskutime u ndal gjithashtu te sfidat me të cilat sektori mund të përballet gjatë procesit të integrimit europian.

Zv.ministri Enkelejd Musabelliu u shpreh se projektligji “Made in Albania” synon të adresojë një pjesë të çështjeve të ngritura dhe të krijojë më shumë mundësi mbështetjeje për artizanët dhe prodhuesit shqiptarë.

Tryezat konsultuese me grupet e interesit do të vijojnë edhe me sektorë të tjerë në ditët në vazhdim.

Read more

Tryeza e dytë “Made in Albania”: Ligji të përcaktojë kriteret dhe masat mbështetëse për bizneset!

Tryeza e dytë me prodhuesit e industrisë ushqimore: Ligji të përcaktojë kriteret dhe masat mbështetëse për bizneset që do të certifikohen. Ky ishte fokusi i tryezës së dytë me prodhuesit e industrisë ushqimore, ku u diskutuan kriteret që duhet të përcaktojnë markën shqiptare dhe mbështetjen që do të shoqërojë bizneset e certifikuara.

Gjatë diskutimit, Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”, Arben Shkodra, theksoi se “Made in Albania” është një vlerë e shtuar për biznesin shqiptar — jo një mekanizëm detyrues apo përjashtues.

Ai tha gjithashtu se ligji duhet të adresojë dy çështje thelbësore: kriteret që përcaktojnë certifikimin dhe masat monetare e jomonetare që do të shoqërojnë produktet dhe bizneset që plotësojnë standardet.

Përfaqësuesit e industrisë ushqimore kërkuan certifikim më të fortë në funksion të integrimit në BE, më shumë garanci për konkurrencë të ndershme, si edhe politika që forcojnë promovimin e produkteve shqiptare, gjurmueshmërinë, kontrollin e cilësisë, pjesëmarrjen në panaire dhe praninë e tyre në tregjet ndërkombëtare.

Read more

“Made in Albania” edhe me ligj!

Një kërkesë e artikuluar prej vitesh nga Shoqata “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë” për krijimin e një legjislacioni të posaçëm për markën shqiptare po merr formë konkrete nga institucionet.

Këtë të hënë, nën kujdesin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, u zhvillua dëgjesa e parë me bizneset për projektligjin “Made in Albania”, ku prodhuesit ngritën shqetësimet dhe pritshmëritë e tyre për nismën.

Drejtues të kompanive kërkuan që ligji të garantojë rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare, forcimin e besimit të konsumatorëve vendas dhe të huaj, si edhe promovim më të gjerë të prodhimeve “Made in Albania” në tregjet ndërkombëtare.

Nevojën për lehtësi dhe mbështetje më të madhe nga qeveria e nënvizoi edhe Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”, Arben Shkodra, i cili paralajmëroi se, nëse nuk merren masat e duhura në kohë, Shqipëria rrezikon deindustrializimin.

Nga ana tjetër, zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, garantoi se shqetësimet e prodhuesve do të adresohen dhe se do të organizohen dëgjesa të tjera, në mënyrë që ligji “Made in Albania” të reflektojë nevojat reale të biznesit.

Read more