info@prodhuesit.org

Blog

“Paketa fiskale kërkon konsultim dhe kohë për biznesin”

Përfshirja e prodhuesve në konsultimin për paketën fiskale dhe përcaktimi i afateve që u japin bizneseve kohë të përshtaten janë kërkesat kryesore që parashtroi Arben Shkodra, sekretar i përgjithshëm i shoqatës “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”, në emisionin “Ekopol” të gazetares Aurora Sulçe, në televizionin SCAN.

Z. Shkodra theksoi se mungon një analizë e ndikimit të paketës në ekonomi dhe e cilësoi mosrespektimin e konsultimit publik shkelje të rëndë ligjore.

Sipas tij, ndërhyrjet e befta, pa dëgjuar prodhuesit, cenojnë besimin te qeveria dhe e vendosin biznesin vendas në disavantazh përballë konkurrentëve të huaj.

Në këtë kuadër, ai kërkoi rishikimin e afateve të hyrjes në fuqi të masave dhe sqarimin e trajtimit fiskal të nënprodukteve që përdoren për prodhimin e artikujve të shportës. Shqetësimi lidhet me ndikimin që taksimi i këtyre nënprodukteve mund të ketë te produkti përfundimtar.

Për financat publike, Z. Shkodra e lidhi suficitin buxhetor të dy viteve radhazi me mosrealizimin e planeve nga ministritë dhe agjencitë përkatëse.

Ai kërkoi llogaridhënie nga ministrat përgjegjës, duke theksuar se mosrealizimi i përsëritur i planeve tregon probleme strukturore në menaxhimin e parave publike.