info@prodhuesit.org

Blog

Tryeza e dytë “Made in Albania”: Ligji të përcaktojë kriteret dhe masat mbështetëse për bizneset!

Tryeza e dytë me prodhuesit e industrisë ushqimore: Ligji të përcaktojë kriteret dhe masat mbështetëse për bizneset që do të certifikohen. Ky ishte fokusi i tryezës së dytë me prodhuesit e industrisë ushqimore, ku u diskutuan kriteret që duhet të përcaktojnë markën shqiptare dhe mbështetjen që do të shoqërojë bizneset e certifikuara.

Gjatë diskutimit, Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”, Arben Shkodra, theksoi se “Made in Albania” është një vlerë e shtuar për biznesin shqiptar — jo një mekanizëm detyrues apo përjashtues.

Ai tha gjithashtu se ligji duhet të adresojë dy çështje thelbësore: kriteret që përcaktojnë certifikimin dhe masat monetare e jomonetare që do të shoqërojnë produktet dhe bizneset që plotësojnë standardet.

Përfaqësuesit e industrisë ushqimore kërkuan certifikim më të fortë në funksion të integrimit në BE, më shumë garanci për konkurrencë të ndershme, si edhe politika që forcojnë promovimin e produkteve shqiptare, gjurmueshmërinë, kontrollin e cilësisë, pjesëmarrjen në panaire dhe praninë e tyre në tregjet ndërkombëtare.