info@prodhuesit.org

Blog

“Biznesi shqiptar të nisë transformimin për integrimin në BE, përndryshe sfida mund të kthehet në dështim.”

“Na pret “dimri i madh”! Biznesi shqiptar të nisë transformimin për integrimin në Bashkimin Europian, përndryshe sfida mund të kthehet në dështim.” Ky ishte mesazhi i Sekretarit të Përgjithshëm të Shoqatës “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”, Arben Shkodra, i ftuar në “Euroneës Albania” për të folur mbi sfidat që sjell procesi i integrimit për sipërmarrjet.

Sipas tij, Shqipëria po përballet me një ritëm shumë të shpejtë përafrimi të legjislacionit me atë të BE-së, ndërsa bizneset kanë nevojë për më shumë kohë, informacion dhe orientim për të kuptuar ndryshimet që kërkohen.

Z. Shkodra theksoi se tregu i BE-së me rreth 450 milionë konsumatorë përfaqëson një mundësi të madhe për prodhuesit shqiptarë, por hyrja në të kërkon investime të konsiderueshme në standarde, teknologji dhe procese prodhimi.

Ai nënvizoi se bizneset kanë nevojë për një proces të strukturuar përgatitjeje: informim dhe ndërgjegjësim, nisjen e transformimit të brendshëm, si dhe mbështetje financiare dhe jofinanciare për të përballuar kostot e tranzicionit.

“Duhet të kalojmë klasën, por edhe të mbajmë notën”, u shpreh Z. Shkodra, duke theksuar se nëse procesi nis tani, pesë vitet e ardhshme mund të shfrytëzohen për të ndihmuar bizneset që të përgatiten për konkurrencën në tregun europian.