Shoqata “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë” zhvilloi tryezën e parë sektoriale me përfaqësues të industrisë ushqimore, duke vendosur në qendër sfidat që ndikojnë në zhvillimin dhe konkurrueshmërinë e prodhimit vendas.
Prodhuesit kërkuan uljen e barrës administrative dhe reduktimin e burokracive në dogana dhe institucione të tjera. Ata propozuan gjithashtu marrëveshje me vendet fqinje për lehtësimin e procedurave doganore dhe tregtare.
Një tjetër çështje e ngritur ishte nevoja për më shumë drejtësi fiskale. Sipas prodhuesve, politikat e reja duhet të hartohen në mënyrë që të mos rëndojnë kostot dhe të mos dëmtojnë prodhimin vendas.
Në fokus ishte edhe procesi i përafrimit të legjislacionit me atë të Bashkimit Europian. Prodhuesit kërkuan të konsultohen përpara miratimit të ligjeve, si dhe të informohen e trajnohen mbi standardet dhe detyrimet e reja që rrjedhin nga procesi i integrimit.
Përballë kostove të larta të prodhimit dhe sfidave të integrimit, industria ushqimore kërkon një dialog publik-privat më të fortë, përfshirje reale në vendimmarrje dhe masa konkrete nga qeveria.
https://www.instagram.com/reel/Da2wkz8ukpV/?utm_source=ig_web_copy_link&igsh=MzRlODBiNWFlZA==



